Nënshkruhet Marrëveshja 236.7 milionë dollarëshe mes Kosovës dhe MCC

Aktuale

Nënshkruhet Marrëveshja 236.7 milionë dollarëshe mes Kosovës dhe MCC

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 22:11 Përditësuar në ora: 23:14 më 27.07.2022
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes

Albright, udhëheqësve të Kosovës: Mezi pres të punoj me të gjithë ju për një të ardhme të ndritshme

Shefja ekzekutive e Sfidave të Mijëvjeçarit, MCC, Alice Albright, ka folur përpara nënshkrimit të marrëveshjes 236.7 milionëshe mes Kosovës dhe ShBA-së.

Albright tha se komponenti kryesor i investimit është ruajtja e baterive në shkallë të gjerë.

“Ai do të rrisë fleksibilitetin në rrjetin e vendit, do të zvogëlojë koston e sigurimit të energjisë elektrike adekuate dhe duke e bërë këtë, do të ndihmojë në mbështetjen e sigurisë energjetike të Kosovës”, është shprehur Albright.

Tutje, ajo përmendi edhe problemet me energjinë elektrike, me të cilat Kosova është duke u përballur vitet e fundit.

“Furnizimi aktualisht jo i besueshëm me energji elektrike dhe kërkesa për energji në Kosovë ka tejkaluar shumë furnizimin, ky është një problem që pritet të përkeqësohet. Katër nga dhjetë familje në Kosovë aktualisht përjetojnë një formë të varfërisë energjetike”, është shprehur Albright.

Në fund, ajo tha se mezi pret të punojë me të gjithë, për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme dhe më të qëndrueshme për popullin e Kosovës.

Kujtojmë se Alice Albright është vajza e ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Kurti shfaqet i gëzuar nga Uashingtoni, u drejtohet qytetarëve pas marrëveshjes me MCC-në

Pas nënshkrimi të marrëveshjes me MCC-në, kryeministri Albin Kurti ka folur nga Uashingtoni, prej ku ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët.

Ai ka thënë se marrëveshja 236 milionë euroshe, do të nxis investime të reja në energjetikë por edhe  do të hapë vende pune.

“Është një lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët. Do të kemi edhe rritje të investimeve në energjetikë. Energjia kur shtohet për nga kapacitet, duhet të shtohet edhe për nga aftësitë. Jo vetëm pajisje, por edhe njerëz për ato pajisje”, ka thënë ai.

“I uroj të gjithë njerëzit në Kosovë për këtë sukses të përbashkët”, ka deklaruar ai.

Për zbatimin e marrëveshjes, Kurti ka thënë se do të lëvizet sa më shpejt që është e mundur për shkak të krizës energjetike.

“Sa më shpejt që të mundemi do të ecim përpara, meqenëse kriza energjetike nuk do të shuhet”, ka thënë ai për RTK-në. 

​Osmani për marrëveshjen me MCC: SHBA konfirmoi mbështetjen për Republikën tonë

Presidentja Vjosa Osmani, në fjalën e saj në Kongresin amerikan, tha se ceremonia e nënshkrimit të kësaj marrëveshke konfirmon edhe një herë se çfarë ngërthen në vete kjo marrëdhënie: ngërthen në vete qëndrimin pranë njëri-tjetrin dhe të qenit aty për njëri-tjetrin në kohë të mira dhe në kohë të vështira.

“Sot, SHBA-të, nëpërmjet MCC-së, e rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Republikën tonë të re dhe gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar të avancojmë më tej ekonomikisht dhe të zhvillohemi në mënyrë të qëndrueshme. Të qëndrosh pranë nesh sot dhe të na mbështesësh në përpjekjet tona për të përqafuar një tranzicion të suksesshëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të energjisë, do të thotë që të vazhdosh të punosh në mënyrë strategjike e të ndërtosh mbi ato që tashmë i kemi arritur bashkërisht përgjatë viteve”, deklaroi Osmani.

Osmani tha se përballja me sfidat e tranzicionit energjetik, hartimin e politikave të duhura, përgatitja e fuqisë punëtore për nevojat e së ardhmes, si dhe ruajtja dhe garantimi i sigurisë energjetike, mbeten disa nga sfidat që po na shqetësojnë kaq shumë.

“Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës”, vijoi Osmani.

Osmani shtoi se kjo marrëveshje do të sjellë Kosovën më pranë ndërtimit të sistemit energjetik që plotëson nevojat e së ardhmes pasi ngërthen inovacionin, garanton përballueshmëri dhe promovon gjithëpërfshirje.

Në fund, Osmani ia dedikoi marrëveshjen edhe ish-sekretares amerikane të shtetit, të ndjerës Madeleine Albright, bija e të cilës, Alice, është shefe ekzekutive në MCC.

“Një ndër miq që e vlerësojmë lart është pikërisht nëna juaj e shtrenjtë, e dashur Alice, ish-sekretarja e ndjerë e Shtetit, Madeleine Albright. Jam thellësisht e bindur se ajo do të ishte shumë krenare për këtë arritje të përbashkët sot”, përfundoi Osmani. 

Rizvanolli: Kënaqësi dhe nder që kam qenë udhëheqëse e ekipit në negociatat me MCC-në

Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka është shprehur e kënaqur me finalizimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe MCC-së, nga e cila Kosova fiton 236,7 milionë dollarë, për furnizim me energji.

“Kënaqësi që sot nënshkruam, pas gjithë punëve që janë bërë. Dua të falënderoj të gjithë ata që janë angazhuar”, tha Rizvanolli.

“Është kënaqësi dhe nder që kam qenë në udhëheqje të ekipit gjatë negociatave që janë zhvilluar”

“Fillimi i zbatimit të marrëveshjes do të bëhet sa më herët që është e mundur”.

Kurti: Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC është festa e një pune të pashoq të të dy ekipeve

Kryeministri Albin Kurti foli para ceremonisë së nënshkrimi të marrëveshjes me MCC-në, nga e cila Kosova përfiton 236.7 milionë dollarë për stabilitet me energji.

“Është një ditë historike për Kosovën dhe ShBA-në, sinjalizon partneritetin për qëllime të përbashkëta”, tha Kurti.

“Strategjia jonë e energjisë shkruan rrugën tonë drejtë një të ardhme të dekarbonizuar. Ky program kompakti është esencial, jemi duke punuar intensivisht për të garantuar një furnizim me energji që është i përballuar për të gjithë”, u shpreh tutje Kurti.

Tutje kryeministri tregoi se marrëveshja do t’i prezantohet Parlamentit për ratifikim që nesër.

“Nuk do jemi për të ballafaquar për opozitën por edhe ata nuk do të jenë shumë të kënaqur që nuk do jemi atje”, shtoi Kurti.

Nënshkruhet Marrëveshja e Programit Kompakt mes Kosovës dhe MCC-së

Është nënshkruar Marrëveshja për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington. Nënshkrimi është bërënë një ceremoni të organizuar në Kongresin amerikan, nga Alice P. Albright, shefe ekzekutive e MCC-së dhe Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, teksa të pranishëm kanë qenë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes kësaj marrëveshje Kosova përfiton dy projekte, që njëherësh konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje MCC mëton ta ulë varfërinë në Kosovës përmes rritjes ekonomike dhe furnizimin e qëndrueshëm energjetik.

Marrëveshja e nënshkruar në Uashington do të duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave.

Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Alice Albright, kryeshefe e MCC-së e ka falënderuar ekipin për të cilin ka thënë se e ka bërë një punë të mrekullueshme.

Albright tutje ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.

“Këto investime pritet që të sjellin dobi, për miliona njerëz. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë kompaktin prej 263 milionë dollarësh. 4 nga 10 shtëpi në Kosovë, aktualisht janë duke u përballur me një formë të problemeve me energjinë”, tha ajo.

"Është shumë bukur që jemi mbledhur këtu në këtë moment të rëndësishëm për të dy vendet. Mirëpresim presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, ambasadorin Dugolli. Ekipi im ka bërë shumë punë për të mbërritur në këtë moment të rëndesishëm. Në 49 vende që nga viti 2004 SHBA ka investuar miliona. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë marrëveshjen në vlerë 202 milionë dollarë për mbështetje të energjisë. Energjia është kruciale për zhvillim. Investimet do të jenë në energji, si krijimin e baterive akumuluese energjetike. Fshirja e barrierave për gratë që të jenë më të përfshira në biznes. Edhe Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 35 milionë dollarë. SHBA është shumë krenare për partneritetin me Kosovën në këto marrëveshje”, ka theksuar Albright.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para të pranishmëve ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj.

“Faleminderit shumë që na mirëpritet në këtë ndërtesë historike. SHBA-ja ka qenë një shtëpi për Kosovën në kohë shumë të vështirë. Jemi të lumtur që jemi këtu me ju, në institucionin që ka pasur rol të rëndësishëm për pavarësinë tonë dhe që na përkrah sot e kësaj dite. Kosova sovrane, me një ekonomi në rritje, është krenare që ka SHBA-në pranë saj. SHBA është aleati ynë më i fuqishëm, janë dy shtete, dy kombe që kanë një lidhje të veçantë. Kjo ceremoni konfirmon për çka është kjo lidhje, që t’i qëndrojmë njërit-tjetrit pranë në kohë të vështira dhe të mira”, ka thënë fillimisht ajo.

Osmani tutje theksuar se investimet e tilla do të jenë trashëgimia më e mirë e gjeneratave të ardhshme të Kosovës.

"SHBA po na ndihmon edhe më tutje për ekonomi me këtë marrëveshje, duke qëndruar pranë nesh dhe për të parë këtë sukses të veçantë, që ne të arrijmë edhe më shumë gjatë viteve në vazhdim. Duke parë sfidat e tranzicionit të energjisë, duke formuar vende pune, por edhe siguria e energjisë është një çështje e rëndësishme. Këtë herë, këto investime do të bëhen trashëgimia më e mirë e gjeneratave në vazhdim. Sot ne jemi dëshmitarë çfarë mund të arrijmë përmes punës së madhe, ne dhe MCC kemi dizajnuar kompaktin dhe 236 milionë dollarë, janë investimi i vetëm dhe më i madhi në energjinë tonë për dekada. Për çdo gjë dhe për ato që do të vijnë në vitet e vazhdueshme, dua të falenderoj çdo person në dy ekipet tona për këtë sukses të arritur", nënvizoi Osmani.

Kongresmeni amerikan: Kosova, një nga shtetet mike më të fuqishme dhe më të palëkundura të SHBA-së

Kongresmeni dhe kryetari i nënkomitetit të Dhomës së Punëve të Jashtme për Evropën  dhe Azinë në Shtëpinë e Bardhë, Bill Keating, e ka mirëpritur dhe e mbështet marrëveshjen që do të nënshkruhet sot mes Kosovës dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Ai, në ceremoninë para nënshkrimit të marrëveshjes, ka thënë se Kosova është një nga shtetet mike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vite me radhë.

“Kishte një ekip të mirë që punuan dhe e quan para partneritetin për këtë marrëveshje, jam krenar që keni arritur deri këtu. Jemi këtu ku tregohet përkushtimi për partnerët tanë siç është Kosova, por edhe Ballkani Perëndimor”.

“Miqësia e Kosovës dhe ShBA-së ekziston edhe më parë. Kosova ka qenë mike pandashme e ShBA-së, do të vazhdojmë atë gurthemel ta rrisim. Kosova është një nga shtetet mike më të fuqishme dhe më të palëkundura të ShBA-së”, ka thënë Keating.

Ai ka shtuar se marrëveshja e sotme do të jetë e profitabile edhe për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Osmani: Marrëveshja me MCC, investimi më i madh në dekada, konfirmon lidhjen Kosovë-Amerikë

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se marrëveshja e Kosovës me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit konfirmon se lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e thellë.

“Kjo marrëveshje vërteton, marrëveshjen që të jemi krahë njëri-tjetrit në kohëra të mira e të vështira”, është shprehur Osmani.

“ShBA-ja është duke vazhduar që të na mbështesë që të arrijmë edhe më shumë. Është koha që të hartojmë politika më të mira për t’u përballur me situatën energjetike.

Kosova është e gatshme që ta përqafojë të ardhmen e agjendës së gjelbër”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat