Pallaska: Edhe Kosova duhet t’i drejtohet Këshillit të Evropës për raportin e Dick Martyt

Aktuale

Pallaska: Edhe Kosova duhet t’i drejtohet Këshillit të Evropës për raportin e Dick Martyt

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 21:29
Dastid Pallaska

Avokati Dastid Pallaska, i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, vlerëson se fakti se Kosova nuk ka mundësi që të raportoj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nuk duhet t’i pengoj institucionet e vendit që t’i drejtohen Këshillit të Evropës me një njoftim lidhur me raportin e Dick Martyt.

“E kemi një rezolutë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e cila e thërret Kosovën për të ndërmarrë veprime specifike, Kosova këto veprime specifike i ka ndërmarrë, madje i ka tejkaluar dhe normalisht që duhet të shpërblehet, qoftë edhe në mënyrë deklarative për përmbushjen e obligimeve të veta dhe nën dritën e kërkesave të Shqipërisë që të konstatohet se pavarësisht kryerjes së këtyre detyrimeve, kryerjes së hetimeve shteruese u konstatua se akuza kryesore mbi të cilën është bazuar ai raport i pavërtetë doli që të ishte fiksion, sepse në asnjë nga aktakuzat që janë objekt shqyrtimi në Dhomat e Specializuara nuk përfshihet fare ky pretendim për trafikim me organe njerëzore” tha Pallaska në emisionin Rubikon.

Pallaska, në Rubikon në Klan Kosova, tha se të njëjtën gjë do të duhet ta bënte në emër të Kosovës edhe Prokuroria e Specializuar.

“Ata do të mund të përfundonin hetimet, do duhej ta konstatonin, për shembull kur fillon një hetim penal zhvillohet hetimi penal, për pjesët e hetimit penal që mblidhen prova, lëshohet një aktakuzë, për pjesën tjetër e cila është hetuar dhe për të cilën nuk ka prova të mjaftueshme për të nxjerrë një aktakuzë nevojitet një vendim formal procedural me të cilin konstatohet përfundimi i hetimit dhe hudhja poshtë e kallëzimit penal në mungesë të provave për të ngritur aktakuzën” tha Pallaska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat