​Shtatë vjet nga nënshkrimi i Asociacionit, kërkohet që themelimi i tij të bëhet pas njohjes nga Serbia

Aktuale

​Shtatë vjet nga nënshkrimi i Asociacionit, kërkohet që themelimi i tij të bëhet pas njohjes nga Serbia

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 13:03
Foto ilustrim

Sot janë bërë shtatë vjet nga marrëveshja për parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa më 25 gusht të vitit 2015 në Bruksel. Shtatë vjet nga kjo ujdi, Qeverisë së Kosovës i kërkohet që themelimi i tij të bëhet pa kompetenca ekzekutive dhe të jetë vetëm pas njohjes së Serbisë.

Njohësi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se pas qëndrimit të Administratës Amerikane, Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. 

Sipas tij, Kosova nuk ka asnjë arsye të lejojë të negociohet e njëjta edhe nëse kërkohet nga pala serbe. 

Fetahu: Asociacioni pa kompetenca ekzekutive të vjen pas njohjes nga Serbia 

“Pas deklarimit të zotëri Escobar dhe gjithë administratës amerikane, Kosova nuk ka asnjë arsye që të lejohet të negociohet për Asociacionin me kompetenca ekzekutive nëse kjo hapet nga pala serbe. Gjithë diskutimi mund të jetë për një Asociacion dhe dizajnimin e statutit të tij pa kompetenca ekzekutive dhe në momentin që njohja nga Serbia ka ardhur, ose njohja të jetë pjesë e diskutimit. S’ka nevojë të themelohet asnjë Asociacion nëse s’ka diskutim për njohje të Republikës së Kosovës nga Serbia. Duhet të shikohet të gjendet moduli siç ka propozuar edhe pala amerikane”, thotë ai. 

Ndërsa, analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se Asociacioni mbetet një sfidë e madhe për kryeministrin Albin Kurti, sipas tij e njëjta është një test për aftësinë e tij kreative dhe diplomatike për të propozuar një alternativë që është në përputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës. 

Muhaxhiri: Asociacioni sfidë për Kurtin, test për aftësinë e tij kreative dhe diplomatike

“Tema e asociacionit është një sfidë e madhe për kryeministrin Kurti, test për aftësinë e tij kreative dhe diplomatike. Qasja e refuzimit të tij e shpie në një konflikt me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa ideja e ndonjë alternative do të dëshmonte zotësinë e kryeministrit Kurti...Është e pritshme që tema e Asociacionit të përsëritet vazhdimisht derisa Qeveria e Kosovës nuk pranon të dialogojë për këtë. Mendoj se Qeveria e Kosovës në mënyrë të panevojshme po e krijon këtë presion ndaj vetës, pasi ka edhe mënyra diplomatike për të shtyrë realizimin e tij ose ofrimin e ndonjë alternative”, thekson ai. 

Megjithatë, Fetahu nga GLPS, e sheh si shqetësim edhe modelin një etnik të themelimit të Asociacionit. 

Fetahu: Megjithatë është shqetësuese modeli një etnik i Asociacionit 

“Ndonëse për neve si GLPS e shohim me shqetësim edhe modelin një etnik të Asociacionit, pavarësisht kompetencave ekzekutive apo jo. Kjo e ndryshon karakterin e shtetit të Kosovës, pasi karakteri etnik e minon planin e Ahtisarit në brendi të saj, mbivendoset para etnive të tjera”, shton ai. 

Para marrëveshjes së parimeve më 2015, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi më 19 prill të vitit 2013 kishte nënshkruar marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ku parashihej edhe themelimi i Asociacionit, e cila më pas u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor të vitit 2013.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat