1 shtatori në prag, por Abetarja e përbashkët nuk është askund!

Aktuale

1 shtatori në prag, por Abetarja e përbashkët nuk është askund!

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 14:39
Foto ilustrim nga arkivi

Kanë mbetur edhe pesë ditë deri me 1 shtator, kur do të duhej që zyrtarisht të fillonte viti i ri shkollor.

Në rast se grevat do të ndërpriten dhe do të gjendet zgjidhje, atëherë të enjten e javës që vjen, nxënësit do të uleshin në bankat shkollore.

Por, edhe nëse një gjë e tillë do të ndodhë, Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri, nuk duket askund.

E promovuar si një e arritur e madhe mes dy vendeve, tani kur kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë deri në fillimin zyrtarisht të vitit të ri shkollor, Abetarja nuk është askund.

Për më tepër, ajo jo vetëm që nuk është shpërndarë nëpër shkolla, por nuk e di askush as si duket dhe as çfarë pamje ka sepse nuk e ka parë askush nga mësimdhënësit.

Në fakt, shpërndarja e saj edhe pse thuhet nga drejtues të Ministrisë së Arsimit në Kosovë se është në realizim e sipër, janë  drejtues të disa shkollave me të cilët ka kontaktuar RTK, që kanë deklaruar të kundërtën.

Madje mësimdhënësit  e disa prej  shkollave në kryeqytet, me të cilët ka biseduar RTK, pa dashur t’u përmendet emri,  vënë në dukje se u është thënë se akoma nuk është përzgjedhë se cila do të jetë Abetarja.

Krejt kjo, pavarësisht se më 31 maj, u bë publike nga udhëheqës të të dyja Ministrive të Arsimit Kosovë e Shqipëri, se shtëpitë botuese për Abetaren e përbashkët janë nga Kosova "Dukagjini" dhe nga Shqipëria "Pegi".

Në anën tjetër, nga Zyra për Informim në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, gjegjësisht Edona Kutleshi, nëpërmejt telefonit tha për RTK- në se shpërndarja e Abetares nëpër shkolla është duke u jetësuar.

Ndërkohë, burime të RTK-së brenda shtëpive botuese të cilat janë fituese për botimin e Abetares së përbashkët, theksojnë se ende Ministritë e Arsimit nuk kanë rënë dakord  as për kopertinën e Abetares.

Për më tepër, ende nuk ka filluar as shtypja e Abetares, vonesë kjo që con në shtyrje pastaj të shpërndarjes së Abetares në rast se viti i ri shkollor fillon me 1 shtator.

Në mbledhjen e të dy qeverive në nëntorin e vitit 2021, me nënshkrimin e marrëveshjes në mes Ministreve të Arsimit, nga Kosova ministrja Arbërie Nagavci dhe nga Shqipëria ministrja  Evis Kushi, u premtua se Abetarja e vetme andej dhe këtej kufirit,  do të jetë në duart e nxënësve më 1 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat