Sveçla e konfirmon: Nis zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për qarkullim me letërnjoftime

Aktuale

Sveçla e konfirmon: Nis zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për qarkullim me letërnjoftime

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 00:26 Përditësuar në ora: 00:34 më 01.09.2022
Pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë. 1 shtator 2022.

Sveçla e konfirmon se dokumentet për hyrje-dalje nuk po lëshohen më në pikat kufitare

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se dokumetet për hyrje-daljet nuk po lëshkohen më në pikat kufitare.

“Jemi në Bërnjak, kishim një veturë të kolegëve tuaj që kaloi pa problem, është ndërpre lëshimi i hyrje-daljeve edhe në Merdarë, Dheu i Bardhë e Muçibabë.. Në Jarinjë ende s’kemi veturë që ka kaluar, por mund të konkludojmë që e kanë ndërprerë lëshimin e hyrje-daljeve”, ka thënë Sveçla.

Ai tha se tani nuk është e neovjshme që  të lëshohet dokumenti i hyrje-daljeve për ata që hyjnë në Kosovë.

Sveçla tha se shpreson që me këtë dinamikë të kalojë edhe çështja e targave.

Edhe në Merdarë nuk lëshohet më dokumenti për hyrje/dalje

Edhe në pikën kufitare po zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, për dokumentet identifikuese më 27 gusht.

Në këtë pikë kufitare nuk po lëshohet dokumenti për hyrje/daljet.

Kjo u konfirmua edhe nga vet qytetarët që po kalojnë nga Kosova në Serbi, përmes kësaj pike.

Bazuar në marrëveshje pala serbe ka pranuar që të mos e lëshojë dokumentin për hyrje/dalje për poseduesit e dokumenteve kosovare me kusht që në të gjitha pikëkalimet kufitare të vendosë tabela ku thuhet se kjo po bëhet për të mundësuar lëvizjen e lirë dhe nuk nënkupton se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

Nis zbatimi i marrëveshjes në Jarinje

Qytetarët nga Kosova të cilët udhëtojnë në drejtim të Serbisë nga pika e kalimit kufitar Jarinje dhe anasjelltas, janë duke udhëtuar lirshëm pa pasur nevojë për dokumente.

Ata po udhëtojnë nga të dyja drejtimet duke përdorur vetëm letërnjoftimet e tyre.

Pjesëtarë të KFOR-it së bashku me automjetet e tyre janë pozicionuar në Rudare dhe afër Leposaviqit në drejtim të Jarinjes, ndërsa nga ana e Bërnjakut, ata ndodhen në fshatin Çabër dhe Varage. Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit është e qetë.

Marrëveshja për heqjen e dokumenteve për hyrje-dalje është arritur më 27 gusht, në mesin e tensioneve Kosovë-Serbi, pas vendosje së barrikadave nga serbët më 31 korrik në veri, duke bërë që diplomatët amerikanë dhe evropianë të shtonin angazhimin e tyre për arritjen e një marrëveshje për të shmangur dhunën.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në rast të mos zbatimit të marrëveshjes nga pala serbe, Prishtina zyrtare do t’i vendosë menjëherë masat reciproke, të cilat i kishte paralajmëruar në qershor.

Sa i përket masës tjetër, atë të regjistrimit të automjeteve, autoritetet kosovare kërkojnë nga pronarët e automjeteve me targa të tilla që t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh.

Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës qarkullojnë në veri, por marrëveshje për targat ende nuk ka, derisa zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje që pas marrëveshjes për dokumente të ketë edhe një të tillë për targat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat