Deputetja e LDK-së përkrah Jasharajn: Pushteti solli terr e ferr për qytetarët

Aktuale

Deputetja e LDK-së përkrah Jasharajn: Pushteti solli terr e ferr për qytetarët

Më: 2 shtator 2022 Në ora: 22:16
Valentina Bunjaku

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku i ka dalë në mbrojtje kryesindikalistit Rrahman Jasharaj, i cili ka qenë cak i sulmeve nga pushteti për shkak të kërkesave të tij dhe grevës që po zhvillohet në Kosovë.

Bunjaku, tha se ndonëse ai mbron dinjitetin e mësimdhënësve dhe vendosmërisht kërkon nga Qeveria e Kosovës përkrahje në këtë kohë krize, qarqe të caktuara e ofendojnë, shantazhojnë dhe kërcënojnë pa mëshirë.

“Dhe po këto qarqe që ne as nuk e dijmë të kaluaren e tyre e mbase nuk e kanë për t’u krenuar,janë kryesisht nga partia në pushtet. A mendojnë këta njerëz se z.Jashari ka familje dhe fëmijë. A mendojnë se ai është në prag të pensionimit e edhe me shëndet të dobët tani. A mendojnë apo ndoshta qëllimisht veprojnë”, tha ligjvënësja opozitare.

“E derisa ne protestojmë si gra për dukuritë e shëmtuara nga dhunimet dhe ngrisim zërin për zbatim rigoroz të ligjit,duhet të mendojmë se edhe ai ka grua apo vajza të cilat sigurtë ndihen keq,e ndoshta edhe marrin trauma shpirtërore.Pse kaq shumë kemi degraduar si shoqëri,si komb?!”.

Sipas saj, arsimi ka nevojë për reforma, përmirësim të kualitetit por shton se mësimdhënësit sot po përballen me ekzistencë sepse nuk kanë mundësi t’u ofrojnë fëmijëve të tyre ndoshta ushqim të mjaftueshëm në shtëpi.

“Si është gjendja në sektorët tjerë? Në polici, FSK, shëndetësi e tek zjarrëfikësit. Si është gjendja tek populli në këtë krizë enorme të rritjes së shportës konsumuese? Për këtë qeveria Kurti nuk ka përgjigje, se përkrahje e zgjidhje jo se jo. E kanë rehatuar veten me kolltukun e pushtetit dhe as që mendojnë për të tjerët”, shkroi ajo.

“E thashë mbrëmë në emision e po e citoj edhe këtu! Erdhën si shpresë për më mirë, por e kanë bërë …. Terr e ferr për qytetarët pa dallim!!!”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat