Lajme të kobshme për Serbinë / Sovranitetin e Kosovës nuk mund ta copëtojnë më ‘hashimistat’!

Aktuale

Lajme të kobshme për Serbinë / Sovranitetin e Kosovës nuk mund ta copëtojnë më ‘hashimistat’!

Nga: Idriz Morina Më: 8 shtator 2022 Në ora: 20:55
Armatimi amerikan, do ta ndryshojë raportin e forcave shqiptare-serbe në Ballkan

Patrullimi në veri mbi liqenin e braktisur nga Kosova, të “Ujmanit”, i cili përveç tjerash prodhon edhe energji elektrike, është një shenjë e mirëfilltë e përpjekjeve për shtrirjen e sovranitetit të Kosovës, në të katër anët e vendit.

Parimi i shtrirjes së sovranitetit, në vet një shtet sovran, është detyra më elementare e tij. Pa asnjë dyshim që ky rast nuk përbën mburrje, përveç se duhet ta përshëndesim si kthim në normalitet.

Image
Kosova filloi ushtrimin e plotë të sovranitetit në veri

Një çmenduri

Por, ama bash ata që duan ta nënvlerësojnë, sidomos me foto të Hashim Thaçit, e bërë mbi një skaf e me idenë në kokë dhe me ‘delegatët’ e tij të shpërndarë anë e kënd botës, për ta copëtuar Kosovën, përbën një çmenduri.

Një çmenduri, që përkon 100% me çmendurinë serbe, të cilën përveçse në robëri, po vazhdojmë ta dëgjojmë si refren të çdo bisede se Kosova është Serbi, të thëna edhe me Kushtetutën e Serbisë.

Por, sot, e kishte ulur ‘pazarin’ Vuçiqi, i cili nga ‘nuk e lëshojmë Kosovën’, po këlthet, ‘po duan të na marrin veriun”!

Pra, përpjekjet për poshtërimin e vënies në veprim të kontrollit të shtetit mbi liqenin e Ujmanit (Gazivodës), i cili është liqeni dhe ujëmbajtësi kryesor për furnizimin e vendit me ujë, nuk janë thjesht një lajthitje, as nuk mund të kuptohen si përpjekje për të vënë drejtësi, por thjesht, një lajthitje mendore, e atyre që e bëjnë dëmshëm për Kosovën.

Një nga ata që kanë reaguar çuditërisht njëri është profesionist dhe madje deputet. Ish-drejtori i policisë Rashit Qalaj, ka reaguar duke theksuar se patrullime në liqenin e “Ujmanit”, janë bërë edhe më parë, madje, duke e ‘rishkruar’ qëllimin e vizitës së Thaçit në atë liqe.

Pra, në vend se të hesht apo të reagojë me çiltërsi, ai mundohet ta quajë, si një gënjeshtër fillimin e ri operacional të policisë në Ujman, duke na e kujtuar, patrullimin e herëpashershëm. Për Qelajn dhe ata që mendojnë si ai, sovraniteti është i herëpashershëm, dhe po ashtu integriteti.

Nuk ka sovranitet dhe integritet të herëpashershëm, përveç se nën ‘sundimin’ e Hashim Thaçit, për të cilin Kosova kurrë nuk ishte sovrane, gjithmonë duheshin pranuar bisedime të reja, dhe bashkë me to edhe lëshime të reja! Dhe madje, se shumica e veriut ishin dhuratë rankoviçiane!

Image
Kur Thaçi thurte intriga për ndarjen e Kosovës

S’ka shpresa për serbët

Një lajm tjetër i keq për Serbinë është se SHBA-ja, ka ndarë mbi dy miliardë ndihma ushtarake për disa vende të NATO-s, dhe në mesin e tyre e ka përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë. Pavarësisht se nuk dihet ndihma që do ta përfitojë Kosova është e qartë se bëhet fjalë për armë amerikane.

Njoftimi është dhënë gjatë vizitës që Sekretari i Shtetit Amerikan Blinken ia bëri Ukrainës, ku u raportuar se nga pakoja prej 2.2 miliardë dollarëve do të ndihmohen edhe 18 shtete të tjera për financimin ushtarak, për shkak se konsiderohen të rrezikuara nga një agresion i mundshëm rus.

Kjo do ta bëjë më të lehtë frymëmarrjen jo vetëm të FSK-së, por edhe të policisë së Kosovës, e cila mund të ndihet më komode, dhe gjithnjë e më e armatosur mjaftueshëm për të parandaluar dhe përballuar sulmet e mundshme me armë, me të cilat po kërcënon Serbia.

Po ashtu një lajm edhe më të hidhur për Serbinë, dhe serbët e ka dhënë shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane gjenerali Mark Milley, i cili e quajti dështim ushtarak përpjekjen e Rusisë për ta pushtuar Ukrainën. Madje ai dha edhe një mesazh më dramatik, dhe të pashpresë për rusët dhe serbët: “Deri më tani objektivat strategjike ruse janë mposhtur”!

Pra, përveç dështimit për pushtim, Rusia ka humbur objektivat strategjike, që nënkupton se goditjet që po ia jep Ukraina forcave ruse, janë shkatërrimtare për ushtrinë e saj.

Kështu, që ajo që unë parashikoja që në fillim e kësaj lufte është që shqiptarët duhet të luajnë rolin e tyre, që pas shumë shekujsh ia ofroi historia, dhe që po ashtu duhet të krijojnë vizionin pas përfundimit të kësaj lufte dhe dështimit rus!

Sidoqoftë politika e dështuar në Shqipëri, nuk e ka ndërmend të këndellet, ndërsa Kosova e mbingarkuar nga problemet, dhe trysnia e bisedimeve me Serbinë, por rezulton se nuk ka kohë dhe as kompetencën e duhur njerëzore-intelektuale, për të projektuar vizionin për shtetin dhe kombin, pas kësaj lufte kobëtare, që ka krijuar dhe po vazhdon të krijojë pasoja të paparashikuar dhe të rënda për shtete të brishta si ne!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat