LDK: Pandemia e re e paaftësisë në Ministrinë e Shëndetësisë

Aktuale

LDK: Pandemia e re e paaftësisë në Ministrinë e Shëndetësisë

Më: 11 shtator 2022 Në ora: 16:57
Ekrem Hyseni

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në konferencën e sotme për medie, shprehu shqetësimin për paaftësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Me këtë rast, anëtari i kryesisë, Ekrem Hyseni ndër të tjera kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Rifat Latifi.

“Pandemia e re e paaftësisë në Ministrinë e Shëndetësisë.  Paaftësia e kësaj Qeverie është duke dëmtuar seriozisht shëndetin e qytetarëve. Paaftësia qeverisëse po i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore, profesionistët shëndetësor po i trajton me lëmoshë, gjersa investimet kapitale në këtë fushë janë realizuar vetëm 5%”, tha ai.

Sipas LDK-së, është kjo Qeveri që profesionistët shëndetësor vazhdon t’i trajtoj me lëmoshë, gjersa vetëm për pak kohë mbi 120 profesionistë shëndetësorë kanë lënë vendin, ndër ta edhe 40 specializantë. Është kjo Qeveri që javë më parë nuk ua vazhdoi kontratat mbi 1,000 pjesëtarëve të stafit mbështetës në luftën kundër pandemisë.

“Në kohën e kësaj Qeverie, përkatësisht në periudhën janar – maj 2022, mbi 520 qytetarë tanë kanë kërkuar shërim jashtë vendit. Në kohën e kësaj Qeverie, në QKUK, janë vetëm 48 anesteziologë, të cilët duhet të shërbejnë për 44 njësi – pra as dy sosh për njësi operuese.Në kohën e kësaj Qeverie, janë stërzgjatur listat e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimet shëndetësore, duke mbërritur  deri në mesin e vitit 2023” ka thënë tutje Hyseni.

Sipas kësaj parti, ë kohën e kësaj Qeverie, mungesa e barnave në listën esenciale tashmë është bërë e zakonshme, me theks të veçantë shumë prej ilaçeve për sëmundjet malinje të cilat janë të domosdoshme për mjekimin e kësaj sëmundje të rëndë.

“Në kohën e kësaj Qeverie, sipas KDI-së, Ministria e Shëndetësisë paguan 280% më shtrenjtë 1gr Paracetamol për injeksion në krahasim me vlerën e tregut me pakicë. Në kohën e kësaj Qeverie është ulë buxhetin për Ministrinë e Shëndetësisë për rreth 60 milion euro”, u tha tutje në këtë konferencë.

Sipas LDK-së, në Ministrinë e Shëndetësisë, nga 15 projekte kapitale, kanë nisur vetëm 2 prej tyre, dhe atë në vlera minimale. Në këtë ministri, gjatë këtyre 6 muajve, janë shpenzuar vetëm 5 % nga buxheti për investime kapitale, më saktësisht, nga 10,063,000 euro janë shpenzuar vetëm 530,702 euro.

Në këtë konferencë për media, Hyseni tha se gjatë kësaj qeverisje dominon arroganca, mosveprimi, propaganda, jo dëgjueshmëria profesionale, tipare këto të qeverisjeve të paafta dhe populiste, ndaj dhe kjo qeveri nuk bën përjashtim me sjelljen e saj.

Sipas LDK-së, këto janë vetëm disa nga dështimet e fundit të kësaj Qeverie, që e bëjnë “epilogun e tmerrshëm në fushën e shëndetësisë, ku burim parësor definitivisht e kanë paaftësinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat