Jasharaj flet pas takimit me Kurtin, tregon a kanë arritur marrëveshje

Aktuale

Jasharaj flet pas takimit me Kurtin, tregon a kanë arritur marrëveshje

Më: 13 shtator 2022 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 11:25 më 13.09.2022
Rrahman Jasharaj

Qeveria e SBASHK-u nuk lëshojnë pe, greva vazhdon

Takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Këshillit Grevist të kryesuar nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Pas këtij takimi i cili zgjati pothuajse dy orë, Jasharaj tha se palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre. Sindikalistët nga kërkesa për 100 euro në muaj deri në miratimin e Ligjit të pagave e qeveria nga 50 euro në muaj deri në fund të këtij viti.

Përveç kryeministrit, Kurti në takimin me Këshillin Grevist ishte prezente edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri Financave, Hekuran Murati.

Nga ky takim i shumëpritur nga Këshillit Grevist, Jasharaj u shpreh se Qeveria e Kosovës po i qëndron prapa pakos që e ka prezantuar ditë më parë, përkundër që ata ishin të gatshëm për ndonjë kompromis të vogël.

Megjithatë, ai e konsideroi lajm të mirë fillimin e dialogut në mes të ekzekutivit kosovar dhe grevistëve.

Jasharaj: Për momentin nuk ka ndryshime, qeveria qëndron prapa deklaratave për pakon

“Për momentin asgjë nuk kemi ndryshime, qeveria qëndron në deklarata që veç i dini lidhur me pakon, ne qëndrojmë si zë i sektorit publik me kërkesat tona... temë e nxehtë ishte edhe pakoja ata e kanë dhënë pa diskutim me ne por ne insistuam që kjo shuma e përmendur që nuk është pranuar nga asnjë grevistë në Republikën e Kosovës të lëvizë. Ne ishim të gatshëm të bëjmë edhe këtu një kompromis të vogël për hir të situatës. Por, qeveria mbeti tek ajo shuma e proklamuar në pakon dhe po them në këtë situatë nuk ka arritje, por e mira e kësaj është se uroj që filloi dialogu, uroj që kryeministri Kurti dhe të tjerët të mos t’i mbyllin dyert dhe të vazhdojmë me dialogun, mbase duke dëshiruar dhe uruar që gjendja të stabilizohet besoj që kryeministri me stafin e tij do të diskutojnë pas takimit me ne do të analizojnë sepse është në dorën e tyre se çka do të ndodh tutje”, theksoi Jasharaj.

Kryesuesi i Këshillit Grevist, Rrahman Jashari tha se ata vazhdojnë t’i thonë jo pakos të Qeverisë së Kosovës.

Jasharaj: Nga takimi nuk morëm asgjë të re, pakos i themi jo

“Ajo që e di dhe i thamë edhe kryeministrit është se atë 50% e pakos ata e kanë refuzuar dhe kjo nënkupton se për momentin situatën e kemi të njëjtë... Jo të ulemi në dialog ne mund 1 javë të qëndrojmë në qeveri, ose ata të vijnë në SBASHK apo BSPK por nëse nuk lëvizë qeveria në kërkesat tona, dialogu quhet i thatë, pa rezultate... Asgjë e re nuk ndodhi. Asnjë lëvizje që do të na ndihmonte në kalim të kësaj situate dhe po them që anëtarësia tash për momentin edhe njëherë do t’i thotë jo pakos edhe njëherë do t’u thotë jo këtyre gjërave. E lutëm shumë kryeministrin, ministrin Murati bashkë me Ngavcin që ata të bëjnë një veprim konkret. Të angazhohen, ka mundësi dhe buxhet, jemi të sigurt që ata të ofrojnë një lëvizje të re në mënyrë ta tejkalojmë këtë situatë“, u shpreh ai.

Sipas Jasharajt, arsyetimi i qeverisë për mosrealizimin e kërkesave të greviste ishte se kanë realizuar tashmë pakon dhe se vendin e pret një dimër i vështirë.

Jasharaj: Qeveria nuk po lëvizë nga pakoja prej 50 eurosh

“Arsyetimi ishte i zakonshëm se kanë bërë pako se kanë dhënë andej e këtej se është dimri i vështirë, dhe pikërisht kur është dimri i vështirë shtohet arsyeja e kërkesës sonë që t’i ndihmojnë njerëzit në sektorin publik... Ne sot kemi ardhur këtu të bisedojnë se a janë këta në gjendje të lëvizin nga pakoja, po të na kishin thënë po të nderuar përfaqësues të sindikatave ne për hir të situatës jemi të gatshëm të lëvizim nga ai 50-shi (euro), ne kishim komunikuar me këshillat grevistë dhe anëtarësinë për të pasur ne një version tonin. Ngase nëse kryeministri thotë se mbesin 50 (euro) ne kot i ofrojmë lëshim... 06\38 Kategorikisht qeveria është që e ka bërë pakon dhe mbetet tash për tash tek pakoja...  Ose do të fitojmë të gjithë dhe uroj të ndodh, ose larg qoftë nuk do të fitojmë, dhe unë besoj që do të fitojmë sepse qeveria sot a nesër duhet të kuptojë, të lëvizë pozitivisht, dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në frymën e marrëveshjes që e pranon anëtarësia”, u shpreh Jasharaj.

Kur u pyet se a pati ndonjë rast kur kryeministri, Albin Kurti lëshoi pe, Jasharaj u përgjigj shkurt “Jo”.

Nga 25 gushti administrata publike në vend është në grevë. Nga 1 shtatori as mësimi nuk ka filluar në Kosovë. Grevistët po kërkojnë përfshirje në konsultime për Ligjin e Pagave, por kërkesë kyçe kanë 100 euro deri në zbatim të Ligjit të pagave. Grevat në arsim kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha edhe tek prindërit.

Jasharaj e quan lajm të mirë dialogun me Qeverinë

Pa marrëveshje ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe Këshillit Grevist të BSKP-së.

Kryesuari i Këshillit Rrahman Jasharaj tha se s’ka asnjë ndryshim nga pozicionet e grevistëve dhe Qeverisë.

“Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur me kryeministrin Albin Kurti, ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati. Takimi ishte goxha i gjatë”.

“Ne si Këshill Grevist i prezantuam kërkesat tona legjitime dhe që mediat i dinë. Ata na treguan për angazhimin që i kanë bërë dhe mund të them se takimi ishte përmbajtjesor por për momentin nuk ka ndryshime. Ne qëndrojmë me kërkesat tona”.

“Nuk ka arritje. Ne do t’i themi jo pakos së qeverisë. Asgjë e re nuk ndodhi. E lutëm shumë që ata të bëjnë një veprim konkret pasi ka buxhet dhe mundësi që të ofrojnë një mundësi e re për ta kapërcyer këtë situatë”.

Sipas tij, lajmi më i mirë është se dialogu ka filluar mes sindikatave dhe Qeverisë.

Jasharaj flet për takimin me Kurtin: S’kemi arritur marrëveshje

Këshilli grevist i kryesuar nga Rrahman Jasharaj i SBASHK-ut ka folur për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti rreth mundësisë së arritjes së marrëveshjes për ndërprerjen e grevës.

Jasharaj tha se s’ka asnjë ndryshim nga pozicionet e grevistëve dhe qeverisë.

“Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur mes këshillit grevist dhe kryeministrit Kurti e ministrave Murati e Nagavci.

Takimi ishte i gjatë, ne si këshill grevist ia rikujtuam kërkesat tona legjitime që i di opinioni, ata na treguan për angazhimet që kanë bërë. Takimi ishte përmbajtësor por asgjë nuk kemi ndryshme. Qeveria qëndron në pakon e prezantuar”, tha ai.

Kurti flet për rezultatet e takimit me Rrahman Jasharajn në ora 11:00

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrat Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci sot mbajnë konferencë për media në orën 11:00.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mbajnë konferencë për media”, thuhet në njoftim.

Kurti sot ka pritur në takim këshillin grevist të BSPK-së në krye me Rrahman Jasharajn për të biseduar rreth grevës që ka hyrë në javën e tretë.

Që nga 25 gushti, BSPK, duke përfshirë edhe SBASHK-un, ka hyrë në grevë. Kërkesa e tyre është ndarja e 100 eruove për të gjithë punëtorët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

Përfaqësuesit e Këshillit Grevist arrijnë në Qeveri, pritet të nis takimi me Kurtin

Përfaqësuesit e Këshillit Grevist kanë arritur në Qeverinë e Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jashari, bashkë me përfaqësuesit e tjerë të Këshillit Grevist pritet të takohen me kryeministrin Albin Kurti.

Gjatë ditës së djeshme, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar takimin e Jasharajt me Kurtin.

Ndryshe ky takim vie pas disa javëve grevë në arsim.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka vazhduar me kërkesën për 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të Pagave për të gjithë mësimdhënësit.

E kundër kësaj ka vazhduar të deklarohet Qeveria e Kosovës.

Pas takimit të sotëm, mbetet të shihet nëse qëndrimet e SBASHK-ut dhe të Qeverisë do të përafrohen dhe që fëmijët të mund të nisin procesin mësimor.

​Kurti pritet të takojë Jasharajn

Kryeministri Albin Kurti do të presë mëngjesin e sotëm Këshillin Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Takimi është konfirmuar për KosovaPress nga zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, i cili nuk ka dhënë më shumë detaje,

Përpos kryeministrit Kurti, në këtë takim do të jetë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Këshilli Grevist i BSPK, i përfaqësuar nga kreu i saj, njëherit kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, me kohë kishte kërkuar një takim me kryeministrin Kurti për të diskutuar rreth kërkesave të tyre.

Kurti nuk kishte takuar asnjëherë Këshillin Grevist që nga fillimi i grevës ndërsa kishte pasur takim vetëm me kreun e BSPK-së, Atdhe Hykollin, por pa ndonjë rezultat.

Sindikalistët kërkojnë nga 100 euro në muaj deri në miratimin e Ligjit për paga, ndërsa Qeveria e Kosovës, përmes një pakoje të prezantuar këtë fillim muaj kishte ofruar nga 50 euro deri në përfundim të këtij viti për të gjithë zyrtarët publikë.

Së fundmi, edhe përplasjet mes zyrtarëve qeveritarë dhe sindikalistëve ishin shpeshtuar dhe me fjalor më të rënduar duke hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit.

Greva në BSPK ka nisur më 25 gusht ndërsa vijoi edhe më 1 shtator kur duhej që nxënësit të ktheheshin në bankat shkollore. Përpos mësimdhënësve, edhe administrata komunale është në grevë duke refuzuar të kryejnë shërbime. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat