Zgjedhjet e katërta në VV – Kurti shpalosi platformën për mandatin e tretë

Aktuale

Zgjedhjet e katërta në VV – Kurti shpalosi platformën për mandatin e tretë

Më: 20 shtator 2022 Në ora: 18:19 Përditësuar në ora: 19:42 më 20.09.2022
Kryeministri Albin Kurti

​Kurti shpalos programin e tij për mandatin e ri 4-vjeçar

Lëvizja Vetëvendosje të dielën do të mbajë zgjedhjet e saja të brendshme. Kryetari aktual, njëherësh kryeministri Albin Kurti do të garojë edhe për një mandat katërvjeçar. Për herë të parë këtë vit, në LVV u themeluan edhe organet e reja, Gratë për Vetëvendosje dhe Rinia për Vetëvendosje.

Për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje kandidaturën e vetme e ka vendosur kryetari i saj aktual Albin Kurti. 

Ai në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje ka shpalosur sot programin e tij prej dhjetë pikësh për mandatin e ri 4-vjeçar në krye të kësaj partie, e cila pritet të konfirmohet përmes votave më 25 shtator.

Kurti: Këto janë dhjetë pikat themelore të programit 2022-2026

“Sot kërkoj mirëbesimin tuaj edhe për katër vjet të tjera në krye të LVV-së në prag të zgjedhjeve të së dielës të 25 shtatorit. Platforma ime programore për periudhën 2022-2026, është mbështetur në dhjetë pika themelore. E para është rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja, e dyta është rritja e anëtarësisë së grave dhe vajzave, e treta është krijimi i kohezionit midis brezave, grupeve shoqërore dhe botëkuptimore. E katërta, forcimi i shkollës politike dhe dimensionit ekzekutiv të saj, e pesta promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat, e gjashta përgatitja e burimeve njerëzore e programore për zgjedhjet lokale 2025, e shtata përgatitja e platformës politike për mandatin e dytë qeverisës, e teta rritja e qendrave të LVV në mërgatë, e nënta, angazhimi i studentëve në LVV dhe e dhjeta bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ai jashtë shtetit dhe brenda”, tha Kurti.

Para delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje sot janë shpalosur edhe platformat e dy organeve të reja të kësaj partie, ajo e Grave për Vetëvendosje, të cilën pritet ta drejtojë Albulena Haxhiu, dhe ajo e Rinisë, të cilën pritet ta drejtojë Behar Jashari. 

Duke prezantuar kandidaturën e saj, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu se gruaja në Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë faktor i patejkalueshëm, i cili nuk e sheh pushtetin si mjet për shtypje, por për barabarësi për të gjithë.

Haxhiu: Do të krijojmë më shumë hapësirë për gratë e vajzat 

“Vetë themelimi i Grave për Vetëvendosje është paramenduar si përpjekje për të krijuar hapësira që gratë e vajzat të jenë të përfaqësuara në strukturat e LVV dhe ato të bashkërendohen edhe në mandatet qeverisëse. Sot nuk jemi të kënaqura me përfaqësimin e tij, por duhet të jemi krenarë se nga kanë ardhur ky përfaqësim, sikurse krijimi i kuotës. Ky rezultat është puna e grave dhe vajzave të LVV-së ndër vite, që kanë folur me megafon, kanë organizuar lagjen, konviktin, vajzat e gratë, kanë mbajtur qëndrimin politik, kanë drejtuar institucionet, janë arrestuar disa herë, kanë denoncuar aferat politike dhe kanë kërkuar çerdhet, siguri dhe drejtësie. Këto janë gratë e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Haxhiu. 

Ajo tha se platforma e saj parasheh tri shtylla, si emancipimi gjinor që do të krijohet përmes shkollave verore feministë, do të luftojnë për përfaqësim të barabartë për të gjitha gratë në strukturat e Vetëvendosjes. 

Shtylla e dytë e platformës ka të bëjë me rritjen e aktivisteve në Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mundëson rritjen e numrit të grave në këtë parti. 

Adresimi i sjelljes dhe gjuhës seksiste, Haxhiu tha se do të jetë shtylla e tretë e platformës, e cila parashikon që asnjë rast i seksizmit të grave dhe vajzave të mos mbetet i pandëshkuar. 

Kandidaturën për të parin e Rinisë për Vetëvendosje, e shpalosi Behar Jashari. 

Ai tha se rinia ka luajtur një rol të rëndësishëm që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Rritja e shtrirja e LVV-së, aktivitete dhe puna vullnetare dhe anëtarësimi në Rininë e kësaj partie do të jenë synimet e tij gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.

Ndryshe, LVV të dielën do t’i mbajë zgjedhjet e saj të brendshme për të katërtën herë me radhë. Kjo lëvizje në vitin 2005 e mori emrin Lëvizja Vetëvendosje dhe në zgjedhjet e para të brendshme të saj, Albin Kurti u zgjodh kryetar. Këtë post ai e mbajti për gati një dekadë. 

Në mars të vitit 2015, ky subjekt mbajti për herë të dytë zgjedhjet e brendshme me Visar Ymerin si kandidat të vetëm për kryetar partie. Pas mosmarrëveshjeve që rezultuan në largimin e disa figurave të rëndësishme brenda LVV-së, ndër ta ishte edhe Imeri, i cili dha dorëheqje.

Konjufca për Kurtin: VV-ja arriti këtu pasi gjithmonë pati një drejtues të pathyeshëm, vizionar e shumë të përgatitur

Kryeparlamentari Glauk Konjufca në prag të zgjedhjeve për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje pati një dedikim për kreytarin e deritanishëm dhe kandidatin e vetëm, Albin Kurti.

Konjufca thotë se Lëvizja Vetëvendosje arriti këtu ku është pasi gjithmonë pati një kryetar të pathyeshëm, vizionar e shumë të përgatitur dhe të dashur për popullin, njofton Klankosova.tv.

“Rrugëtimi ynë nuk është i gjatë, por aktivitetet e bënë rrugën tonë të gjatë dhe aspak të lehtë. Sakrifica ka qenë themeli i këtij rrugëtimi tonë të përbashkët. Vetëvendosja e mëshiron sinqerisht interesin e qytetarëve tanë, ne dolëm të parët në zgjedhjet e vitit të kaluar pasi na besoi populli si të drejtë, të pakorruptuar dhe të panënshtrueshëm”.

“Ne arritëm këtu ku jemi edhe falë një fakti që ne patëm një drejtues të pathyeshëm, vizionar, shumë të përgatitur dhe i vendosur për të mirën e popullit, e ky është Albin Kurti”.

Madje, Konjufca thotë se Kurti nuk do të udhëheqë i vetëm, por me të gjithë.

“Gjatë burgosjes ishte shembull i qëndresës dhe gjithmonë ishte i gatshëm që të jepte edhe jetën në ato rrethana dhe pas themelimit të LVV-së dhe aktiviteteve tona ai ishte i pari i gatshëm për sakrificë dhe i pari që arrestohej. Por, të jeni të bindur se Kurti nuk qeverisë i vetëm, por bashkë me të gjithë”, tha Konjufca.

 

Haxhiu: Kandidaturën time për drejtuese të GVV-së nuk e shoh të ndarë nga historia e aktivistes

 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njëherit kandidate për drejtuese të Organizatës Gratë për Vetëvendosje, ka shpalosur planin e saj për udhëheqje.

Haxhiu thotë se historinë prej aktivisteje në Lëvizjen Vetëvendosje nuk e sheh të ndarë nga drejtimi i GVV-së, njofton Klankosova.tv.

“Kandidaturën time për drejtuese të GVV-së nuk e shoh të ndarë nga historia e aktivistes së qendrës por edhe të pikës”.

Haxhiu, mes tjerash, thotë se rrugëtimi grave në Vetëvendosje për barazi ka një histori të gjatë dhe se vendit i duhet feminizmi i Vetëvendosjes.

“Rrugëtimi i grave në Vetëvendosje për barazi sociale ka një histori të gjatë dhe i jep kuptim më të thellë përpjekës tonë për t’i parë kauzat e barazisë që të bëhen realitet në shoqërinë tonë. Vetë themelimi i Gratë për Vetëvendosje është paramenduar si vazhdimësi e kësaj përpjekje të gjatë për të krijuar hapësirat e nevojshme që gratë dhe vajzat të jenë të përfaqësuara në VV. Por, sot s’jemi të kënaqura vetëm me përfaqësim, por duhet të shohim se nga vije ai përfaqësim – përfaqësimi është tejkalimi historik i kuotës edhe si përqindje, por edhe si mjet”.

“Aktivistet i kanë sjellë Lëvizjes Vetëvendosje mendimin dhe aksionin, gruaja në Lëvizjen Vetëvendosje ka prodhuar ngjarjen politike dhe si e tillë ka qenë dhe është faktor i patejkalueshëm në vendimmarrje, andaj na duhet feminizmi i Vetëvendosjes pasi është fenimizëm për të gjitha ato shtresa që janë të shtypura për shkak të politikave të këqija të pushteteve të kaluara. Përpjekja e grave për të drejta të barabarta përmbanë zjarrin dhe vrullin e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Haxhiu.

Zgjedhjet e brendshme në VV më 25 shtator

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të shpalos sot platformën e tij për mandatin e ri 4 vjeçarsi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. 

Ngjarja e cila ka nisur në orën 18:00 zhvillohet ë Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, kryetari i organizatës më të madhe politike në vend, Albin Kurti, shpalosë platformën e tij për mandatin e ri 4 vjeçar”.

Duke marrë parasysh se mbështetja e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për Albin Kurtin është e pakontestueshme, vendosja e tij në krye të partisë nuk përbën ndonjë befasi për opinionin publik.

Zgjedhjet e brendshme të VV-së do të mbahen të dielën.

Partia më e madhe në vend është duke u organizuar që t’i mbajë zgjedhjet e saj të brendshme.

E kryetari aktual i cili është edhe kryeministër, Albin Kurti, do të garojë edhe për një mandat katër vjeçar, shkruan Klan Kosova.

Kështu ka njoftuar edhe vetë subjekti politik përmes një shkrimi në Facebook, ku ka theksuar se “sot (20.09.2022) në ora 18:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, kryetari i organizatës më të madhe politike në vend, Albin Kurti, shpalosë platformën e tij për mandatin e ri 4 vjeçar”.

Duke marrë parasysh se mbështetja e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për Albin Kurtin është e pakontestueshme, vendosja e tij në krye të partisë nuk përbën ndonjë befasi për opinionin publik.

Megjithatë, gjatë rrugëtimit 17 vjeçar të kësaj lëvizje, Kurti nuk ishte gjithmonë në krye të saj.

Kjo lëvizje në vitin 2005 e mori emrin Lëvizja Vetëvendosje dhe në zgjedhjet e para të brendshme të saj, ai u zgjodh kryetar. Këtë post ai e mbajti për gati një dekadë.

Në mars të vitit 2015, ky subjekt mbajti për herë të dytë zgjedhjet e brendshme me Visar Ymerin si kandidat të vetëm për kryetar partie. Sipas rezultateve të publikuara nga vetë subjekti politik, Ymeri në zgjedhjet për kryetar partie pati fituar 96.42 për qind të votave të anëtarësisë së partisë për të drejtuar VV-në.

Sidoqoftë, për shkak të disa mosmarrëveshjeve që rezultuan në largimin e shumë figurave të rëndësishme brenda VV-së, ndër ta ishte edhe Imeri, që  dha dorëheqje.“Unë sot jap dorëheqje në shenjë mospajtimi me këto zhvillime. Por, edhe si akt zhgënjimi që këto nuk kam arritur t’i ndalë. Kohëve të fundit kam parë një intensitet të shtuar të shpërfilljes së plotë të pozitës sime si kryetar dhe të organeve drejtuese të Lëvizjes sa herë që këto kanë marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me vullnetin e një pjese të aktivistëve. Në këto rrethana është e pamundshme të drejtosh. E nëse nuk drejtoj atëherë nuk ka kuptim që të mbetem kryetar”, pati thënë Ymeri.

Pas dorëheqjes së tij, Vetëvendosja mbajti zgjedhje dhe sërish Kurti u bë kryetar i partisë.

Tani ky subjekt politik do t’i mbajë zgjedhjet e saj të brendshme për të katërtën herë me radhë dhe sërish Kurti ka shpallur kandidaturën e tij.

Deri në kohën kur po shkruhet ky artikull, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka njoftuar për ndonjë kandidat tjetër që synon ta marrë drejtimin e saj dhe nëse mbetet kështu deri të dielën (25.09.2022) atëherë Kurti do të bëhet kryetar i VV-së për të tretën herë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat