Emri/ Kush është kryepolici i Tiranës që ndaloi hetimet për vrasjen? Bashkëpunëtori i Ahmet Krasniqit tregon detajet e pathëna

Aktuale

Emri/ Kush është kryepolici i Tiranës që ndaloi hetimet për vrasjen? Bashkëpunëtori i Ahmet Krasniqit tregon detajet e pathëna

Nga: P.R Më: 21 shtator 2022 Në ora: 20:09
Kolonel Ahmet Krasniqi, i cili u vra nga dora tradhtare më 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë

Në 24 vjetorin e vrasjes së Ministrit të parë të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi, Skënder Zogaj, sh-bashkëpunëtori i afërt i kolonelit ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Fatos Klosit dhe Kudusi Lames, për të cilët thotë se janë dy orkestruesit kryesorë të vrasjes së kolonel Krasniqit, në natën e 21 shtatorit të vitit 1998 në Tiranë.

“Vrasësve të kolonelit Ahmet Krasniqi, që 24 vjet u ka shkuar mjaftë mirë kungulli mbi ujë, sepse qe 24 vite nuk u zbuluan! Dhe mos zbulimi është argumenti që tregon se kush janë vrasësit, sepse, Ahmet Krasniqi është vra në mes të Tiranës, në një atentat të paralajmëruar nga policia e shtetit, që disa herë ka bastisur objektin e FARK-ut, i ka çarmatosur rojat e Shtabit dhe të objektit të punës së ministrit Krasniqi, i cili po ashtu është ndaluar dhe iu ka marrë arma personale, që atentatorëve t'u lehtësohet puna dhe ta kryejnë punën e planifikuar! Këto veprime i kanë bërë zyrtarisht në bashkëpunim strukturat policore dhe ushtarake të Tiranës: krye agjenti Fatos Klosi dhe ushtaraku Kudusi Lame, prandaj, veprimet e tyre të dëshmuara, janë fakte që tregojnë se këta dy zyrtarë shtetërorë janë kryeorkestruesit e atentatit”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, zyrtarisht nga organet e rendit në Tiranë, janë penguar hetimet për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Duke qenë kështu puna, gjithçka është spekuluar me lehtësi, sepse gjithçka është mbuluar zyrtarisht: janë strehuar dorasit, janë penguar hetimet, janë kërcënuar dhe janë shanatazhuar pjesëmarrësit e implikuar në atentat por që kanë qenë të pafajshëm, siç ishin policët të cilët të Gropa e Hajdinit, pasi e kanë vërtetuar se ishte koloneli Krasniqi, e kanë lejuar ecjen e veturës në të cilën ka qenë Koloneli, por e kanë ndaluar veturën shoqëruese me oficerët madhorë të FARK-ut, që janë mbajtur të ndaluar derisa është kry atentati! Çfarë dëshmie duhet tjetër për ta kuptuar se, policia në natën e vrasjes ka qenë e mobilizuar në mbështetjen e atentatorëve”, shprehet Zogaj.

Më tej, ai thotë se dosjet vazhdojnë të mbeten të mbyllura nga Tirana zyrtare, pasi zbulimi i vrasjes së Ahmet Krasniqit, do t’i ndriçonte bosët e krimit të Tiranës dhe argatët e tyre në Prishtinë.

“Kjo punë nuk ka mundur të bëhet pa kryeagjentin Fatos Klosi dhe kryepolicin e Tiranës, Mit'hat Havari, të cilët hiq më pak se pas një muaji i kanë ndërpre hetimet, dhe atëherë e sot Tirana i mban dosjet e mbyllura, sepse, zbardhja e kësaj vrasjeje do ndriçonte edhe bosët e krimit të Tiranës dhe argatët e tyre në Prishtinë, të cilët do të duhej të shkonin prapa grilave”, deklaron Zogaj.

“Por kjo nuk ka ndodhur sepse strukturat kriminale, duke qenë në pushtet, e kanë penguar zbardhjen e vrasjeve, jo vetëm të kolonelit Ahmet Krasniqi por edhe të shumë të tjerëve, që një çerek shekulli mbahen në pengun e strukturave të krimit dhe korrupsionit të organizuar! Por, e vërteta nuk mund të mbahet përjetësisht e mbyllur! Them se, janë çastet e fundit, kur vrasjet politike do të zbardhen dhe kriminelët do të marrin hakun e merituar, që më në fund Kosova dhe Shqipëria t'i kthehet jetës dhe përparimit të merituar! Edhe pse i vdekur, Ahmet Krasniqi është më i gjallë dhe më i fortë se vrasësit e tij”, përfundon Skënder Zogaj, sh-bashkëpunëtori i afërt i Ahmet Krasniqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat