Prokuroria kërkon dënimin, ndërsa mbrojtja lirimin e të akuzuarit për kontrabandim me naftën e blerë në Serbi mbi 3 milionë euro

Aktuale

Prokuroria kërkon dënimin, ndërsa mbrojtja lirimin e të akuzuarit për kontrabandim me naftën e blerë në Serbi mbi 3 milionë euro

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 14:27
Foto nga vendngjarja

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria kërkoi dënimin, ndërsa mbrojtja lirimin e Millan Bozhoviq, i cili akuzohet për krim të organizuar, kontrabandë të mallrave, shmangie nga tatimi e vepra tjera penale

Fillimisht, fjalën e saj përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe e elaboroi prokurorja speciale Habibe Salihi, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Sipas saj, gjatë shqyrtimeve gjyqësore të mbajtura për këtë çështje penale juridike, është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se në veprimet e të akuzuarit janë manifestuar elementet e veprës penale.

Kjo sipas saj, është vërtetuar edhe nga provat e palës së dëmtuar, e të cilët janë deklaruar për mënyrën dhe shumën e dëmit të shkaktuar nga veprimet e të pandehurit.

Tutje, ajo tha se nga provat e administruara nga Agjencioni për Regjistrim Civil është vërtetuar identiteti i të akuzuarit në fjalë, kurse nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës është vërtetuar se “P.P MIN PROM” është e regjistruar në Kosovë dhe se pronar i saj është i pandehuri dhe se nga shkresa e regjistrimeve ekonomike të Serbisë është vërtetuar se bashkë me D.B. është bartës i një biznesi.

Prokurorja Salihi tha se dorëzimi administrativ tregon mënyrën dhe rrugën e saktë për hyrje e deri te terminali doganor, e që nga doganierët e EULEX-it i është dorëzuar shkresa në tri gjuhët për obligimet tatimore.

Ajo shtoi se edhe nga mendimi i ekspertit vërtetohet se i pandehuri bashkë me personat e tjerë ka sjellë mallra të kontrabanduara në vlerë të përgjithshme si në aktakuzë.

Kurse, nga përshkrimi i 152 faturave sipas saj është vërtetuar sasia, lloji, blerësi dhe çmimi i mallit.

Andaj, e njëjta kërkoi nga gjykata që i akuzuari Bozhoviq të shpallet fajtor siç është e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Dogana e Kosovës, Bekim Behrami tha se qëndrojnë prapa fjalës përfundimtare të prokurores dhe se kërkojnë kompensimin e dëmit.

‘‘I akuzuari të detyrohet që neve si palë e dëmtuar të na kompensojë 1 milion e 924 mijë e 198 euro e 47 centë’’, tha Behrami.

Kurse, mbrojtja e të akuzuarit Bozhoviq, avokati Kadri Osaj tha se nga provat e administruara nga prokuroria, nuk janë vërtetuar përtej dyshimit të bazuar veprat penale të cilat i vihen në barrë të mbrojturit të tij.

Këtë, i njëjti e bazoi në raportin e kontrollit të administratës tatimore të 28 korrikut 2017, deklarimit të të akuzuarit dhe provave tjera materiale dhe formale.

Sipas avokatit Osaj, e gjithë akuza bazohet në një rrëfim jo të plotë dhe kundërthënës të ekspertit financiar Ekrem Gashi, duke thënë se ky rrëfim nuk mbështetet në legjislacionin në fuqi e as në prova materiale, andaj edhe nuk ka asnjë efekt juridik.

Ai shtoi se në ekspertizë, në faqe 6 thuhet se ‘‘Ky proces i pasqyrimit tregtar për një periudhë të caktuar 2009/2011 mund të bart rrezikun, importi të mos kishte ndodhur fare sidomos importet që nuk janë konfirmuar nga EULEX apo autoritetet e tjera kompetence duke u bazuar vetëm në dëshmi e fatura që si të tilla mund të jenë fiktive’’.

Avokati Osaj theksoi se të gjitha faturat i adresohen biznesit të regjistruar në Serbi, me të cilin i akuzuari Millan Bozhoviq nuk është pronar.

Po ashtu, i njëjti përmendi faktin se Administrata Tatimore e Kosovës me anë të njoftimit të 26 gushtit 2021 ka thënë se ‘‘ATK lidhur me këtë rast nuk parashtron kërkesë pasurore juridike, sepse bazuar në sistemin e ATK-së, SIGTAS nuk ka obligime tatimore për periudhën e atakuar’’.Tutje, avokati Osaj deklaroi se edhe në interpretimin ligjor të Departamentit të ATK së të tetorit 2016, konstatohet se në bazë të faturave të cekura nuk mund të llogaritet asnjë tatim.

Ai tha se nuk ka asnjë dëshmi që dëshmon se i akuzuari ka autorizuar dikë që ta sjellë mallin nga Serbia në Kosovë, se e ka pranuar atë mall, e që në fatura nuk ekziston numri i biznesit me të cilin Bozhoviq është pronar i biznesit në Kosovë.

Andaj sipas tij, provat e prokurorisë janë të mangëta, të supozuara dhe nuk janë të mbështetura në dëshmi konkrete.

I njëjti tha se nuk është dëshmuar as që i mbrojturi i tij të ketë bërë marrëveshje me persona të tjerë ose që ka marrë pjesë në ndonjë aktivitet kriminal apo që ka organizuar dhe ka udhëhequr ndonjë grup kriminal.

Andaj, meqë nuk ka prova të qëndrueshme dhe bindëse, i propozoi trupit gjykues që të marrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Bozhoviq.

Kurse, Bozhoviq tha se e përkrah fjalën e avokatit duke shtuar se në biznesin që ai është pronar, gjithmonë ka blerë mall në territorin e Kosovës ashtu siç edhe e ka shitur në territorin e Kosovës.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj e shpalli të përfunduar shqyrtimin gjyqësor për këtë çështje.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 28 shtator 2022.

Në këtë çështje penale i akuzuar është edhe Zhelkjo Millashinoviq, por që ndaj të njëjtit është veçuar procedura penale, pasi që është i paarritshëm për gjykatën.

Gjithashtu i akuzuar ka qenë edhe D.B., mirëpo ndaj tij kishte pushuar procedura penale, për shkak se i njëjti rezulton se ka ndërruar jetë.

PSRK-ja më 1 korrik 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Millan Bozhoviq, D.B. dhe Zhelkjo Millashinoviq, me të cilën po i akuzon se në periudhën kohore nga 22 maji 2009 deri më 14 korrik 2011, me dashje dhe dijeni kishin marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas PSRK-së, tre të akuzuarit kishin shfrytëzuar mungesën e doganierëve kosovarë në Leposaviq dhe Zubin Potok, e duke qenë se doganierët e EULEX-it vetëm kanë regjistruar mallin, por zhdoganimi është bërë në pjesën jugore të Mitrovicës, kjo gjë, sipas akuzës iu ka krijuar kushte të përshtatshme të akuzuarve për kontrabandë me mallra, shmangie doganore dhe tatimore.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Millan dhe D. B., si pronarë të regjistruar të kompanisë “P.P MIN PROM” dhe Zhelkjo Millashinoviq si vozitës i mauneve të kësaj kompanie, kanë blerë karburante në Serbi dhe të njëjtat i kanë futur ilegalisht në Kosovë, përmes kompanisë së lartcekur, e cila nuk posedon licencë për import të karburanteve.

Karburantin e blerë, sipas PSRK-së, të akuzuarit nuk e kanë zhdoganuar, por e kanë dërguar direkt në pompat e benzinës në veriun e Kosovës dhe duke qenë se nuk kanë paguar tatim, kjo sasi e karburantit ishte shitur me çmim më të lirë, se sa ai i tregut.

Vlera e përgjithshme që të akuzuarit po akuzohen se e kanë futur nga Serbia në Kosovë arrin shifrën e 3 milionë e 35 mijë e 911 euro e 36 centë, ndërsa dëmi që i është shkaktuar Doganave dhe Administratës Tatimore të Kosovës, duke iu shmangur akcizës arrin shumën 1 milion e 243 mijë e 348 euro e 59 centë, pastaj llojit të tatimit në emër të TVSH-së, në shumë prej 684 mijë e 681 euro e 60 centë, tatimit të paragjykuar 3% në vlerën e shitur në shumën prej 92 mijë e 705 euro e 43 centë dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën prej 30 mijë e  901 euro e 81 centë.

Me këto veprime, tre të akuzuarit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale, të krimit të organizuar lidhur me veprat penale, kontrabandimi i mallrave, shmangia nga tatimi dhe shmangia nga akciza dhe detyrimet e importit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat