Pse kërcënonte Ramushi dhe pse ndodhi greva?

Aktuale

Pse kërcënonte Ramushi dhe pse ndodhi greva?

Nga: Idriz Morina Më: 30 shtator 2022 Në ora: 16:45
Dikur Ramush Haradinaj, ishte në krye të Qeverisë

Në prapavijën e grevës së madhe në arsim, atipike dhe, jashtë historisë së grevimit në Kosovë, për herë të parë, që nga çlirimi prej Serbisë, një grusht njerëzish të shtyrë nga ‘nëntoka’ politike e mafioze, i mbajtën shkollat mbyllur për një muaj.

Për kërkesat, edhe ne i kemi përkrahur, sepse sindikata përfaqëson interesat e punëtorëve, në këtë rast ajo ishte e fokusuar në dhënien e efektit nëpërmjet mbajtjes së shkollave mbyllur për nxënësit, në një kohë rekord, dhe të një modeli të paprecedent.

Pra, kërkesat dhe modeli, mënyra e të kërkuarit janë çështje të ndryshme. Sikur mësimdhënësit të kishin qenë grupi-komuniteti i shtypur në Kosovë, për pagat, mund të ishte kuptuar bojkotimi i mësimdhënies, se është motivuar nga një shtypje e gjatë, që ka prodhuar gjendja shpirtërore e tyre.

Por, sa i përket pagave, dhe kohëzgjatjes së punës, angazhimit javor, mësimdhënësit kanë qenë thuajse të favorizuar.

Abuzimi i të drejtave

Një mësimdhënës me normë të plotë punon, 20 orë në javë. Pra, bëhet fjalë për orë mësimore. Por, edhe nëse i numërohet si orë pune e plotë 60 minuta, mesatarisht mësuesi punon 4 orë në ditë. Aq sa nuk e kanë komoditetin në sektorin privat punëtorët, të punojnë me gjysmë norme.

Ndërsa, grupi-komuniteti i shtypur në mënyrë sistematike me pagesa, janë shërbyesit civilë. Të drejtat e tyre, jo që nuk janë mbrojtur, por janë abuzuar. Këta punojnë 40 orë në javë apo dyfishin e punës së arsimtarëve, dhe kanë marrë shumë më pak, dhe vazhdojnë të marrin dukshëm më pak se mësimdhënësit.

Se pse kanë pasur një pagesë më të pranueshme mësimdhënësit në Kosovë, edhe kjo është e qartë. Mësimdhënësit janë konsideruar se përbëjnë një kontingjent nga më të mëdhenjtë të votuesve, pasi përveç votës së tyre, ata ndikojnë në familje, por madje edhe në krijimin e disponimit për simpatizimin e një partie të caktuar.

Por, e gjitha nuk ka të bëjë me forcën e vetë sindikalistëve, të cilët nuk janë shquar për pavarësinë e tyre, ruajtjen e etikës dhe dinjitetit të paprekur. Më saktë lëvizjet e tyre janë shquar për obediencën ndaj më të fortëve të politikës, si Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt apo prej figurave me shumë pushtet dhe imazh rrezikshmërie.

Një nga mënyrat e kundërshtimit të gjendjes, të pagave që vërtetë ishin të ulëta në arsim, ka ndodhur diku para rreth 20 viteve.

Kryeministër ishte Bajram Rexhepi, i ndjerë, dhe me Ministrinë e Arsimit udhëhiqte LDK-ja. Me gjithë tonet e ashpra të protestuesve, protesta nuk eskaloi në mbyllje të shkollave për nxënësit. Por, mesazhi kryesor, përtej kërkesave të arsyeshme, ishte fajësimi i LDK-së, dhe me këtë i Rugovës, meqë arsimin e udhëhiqte njeriu i konsideruar krah i Rugovës.

Nuk e di se sa zyrtarë të lartë të SBAShK-ut, janë ndërruar prej atëherë, pasi nuk ka qenë në fokus timin, veprimtaria e tij, por është një situatë e ngjashme, ku më shumë se sa kërkohen 50 euro shtesë, nga ajo që ka ofruar Qeveria, duket se kërkesa e ‘nëndheshme’ është dobësimi dhe rënia e rejtingut të qeverisë Kurti, sepse dallimet në kërkesat e grevistëve, duke pasur parasysh zotimin e Qeverisë, që do të miratohet ligji i pagave, me të cilin mendohet se do të rriten pagat, afërsisht sa kanë kërkuar sindikalistët rritjen prej 100 eurove.

Pra, meqenëse të paktën gjysma e kërkesës ishte e përmbushur, sindikalistët nuk kishin motivet e mjaftueshme apo të duhura, për t’i mbyllur shkollat.

Pyetje këlthitëse

Së këndejmi, mbetet të zbulohen motivet, jo të udhëheqësve të sindikatave personalisht, por të atyre që i mbështesnin këta, nga politika dhe grupet tjera të interesit.

Politikani më i zëshëm, dhe që mund të ketë ushtruar më shumë ndikim tek sindikalistët, duket të jetë Ramush Haradinaj, i cili në retorikën e tij, e ka kërcënuar madje Qeverinë, edhe tani sikurse në të kaluarën, kur i janë cenuar interesat apo kur ai ka menduar se mund të ndodhë ajo.

Ramushi këtyre ditëve, madje e ka bërë një pyetje këlthitëse për Albin Kurtin: “Pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin në burg?”. Nënteksti i saj, më shumë sesa pyetje, është kërcënues.

Kjo pyetje e Ramushit, çoi në një debat të ashpër, kur këtij iu kundërpërgjigj me një pyetje Hysamedin Feraj, se pse ai kishte shpëtuar, dhe ju vranë vëllezërit? Këto pyetje morën më shumë vëmendje se sa ajo që thoshte Ramushi.

Pa dashur ta ndryshojmë ‘tonalitetin’ e pyetjes së Ramushit, i cili edhe në një rast tjetër, e ka vënë në dyshim besueshmërinë e Albin Kurtit, madje shkoqur, ne mund ta relativizojmë kësaj here, për një dyshim tjetër.

Pyetja e bërë kësaj radhe nga Haradinaj, e ka edhe kuptimin tjetër, jo vetëm siç u hamendësua nga shumë njerëz në opinion, se e ka lënë, ‘si një njeri të saj’, por, se tash ‘opozita’ po hjek prej tij! Pra, sikur të mos ishte Albini, nuk do ta kishin problem riardhjen në pushtet, AAK-ja, PDK-ja, e ndonjë parti tjetër. Madje sikur ato të ishin në pushtet, nuk do të kishte greva, sepse shpërblimet nuk do të mungonin, as pagat më të mira (Ligjin e anuloi kushtetuesja), por Thesari i shtetit mund të ishte tharë!

Motivet e këtij kërcënimi, i shprehur edhe me apelativin: “Boll ma”, drejtuar Albinit, dyshoj se lidhen me drejtësinë, rrezikun apo alarmin që kanë nxitur për disa grupe, ligje, por mbi të gjitha disa arrestime, dhe të tjera që pritet të ndodhin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat