Mbi 11 mijë euro shpenzime, ish-ministri Latifi dhe zyrtarë tjerë për tre muaj vizituan tri herë Austrinë

Aktuale

Mbi 11 mijë euro shpenzime, ish-ministri Latifi dhe zyrtarë tjerë për tre muaj vizituan tri herë Austrinë

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 20:59
Rifat Latifi

Për katër muaj, mbi 11 mijë euro ka shpenzuar ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi. Shpenzimet kryesisht kanë qenë të vizitave që ish-ministri dhe kabineti i tij kanë zhvilluar në Austri, si dhe për reprezentacion.

Për tre muaj, ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka udhëtuar tri herë në Austri.

Në vizitën e parë gjatë muajit qershor ku ka qëndruar gjashtë ditë, nuk ka pasur fare shpenzime për akomodim në hotele dhe ushqim, ndërkaq ka paguar biletë avioni në vlerë prej 378 euro.

Në vizitën e dytë në Austri, në muajin korrik, gjatë qëndrimit tre ditor, ish-ministri ka shpenzuar 255 euro për akomodim, 451 euro për ushqim si dhe 508 euro për biletë avioni, që në total kapin shifrën 1 mijë e 214 euro.

Ish-ministri Latifi, Austrinë e ka vizituar edhe në muajin gusht.

Në vizitën e tretë, shpenzimet kanë qenë më të mëdha për ish-kreun e MSh-së.

Përgjatë pesë ditëve, për t’u akomoduar në hotel janë shpenzuar 425 euro, për ushqim 677 euro, kurse për biletë avioni 633 euro, që në total bëjnë 1 mijë e 735 euro.

Së bashku me ish-kreun e Shëndetësisë, vizitë në Austri kanë zhvilluar edhe pjesa tjetër e kabinetit.

Më shumë se ish-shefi i saj, në vizitë 10 ditore ka qëndruar këshilltarja politike, Lumturije Bekaj, kurse gjatë kësaj periudhe ka shpenzuar 1 mijë e 443 euro.

Shefi i kabinetit, Liridon Ibërdemaj, së bashku më këshilltaren politike, Lumturije Bekaj, gjatë vizitës në Austri, së bashku kanë shpenzuar 2 mijë e 605 euro për 4 ditë.

Të gjitha këto shpenzime te kategoria e udhëtimeve kapin shifrën e afër 8 mijë eurosh.

Kurse, për reprezentacion, ish-ministri dhe kabineti i tij kanë shpenzuar 3 mijë e 611 euro.

Derisa, ushtronte pozitën e tij, për katër muaj, Rifat Latifi ka shpenzuar 2 mijë e 75 euro, prej tyre 1 mijë vetëm në muajin qershor për reprezentacion, kurse pjesa tjetër e kabinetit ka shpenzuar mbi 1 mijë euro për këtë kategori.

Në total, shpenzime për udhëtime, akomodime, bileta avioni dhe reprezentacion, ish-ministri Latifi dhe kabineti i tij kanë shpenzuar mbi 11 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat