53 milionëshi i Bechtel Enka-s, Apeli refuzon ankesat e avokatëve të Pal Lekaj dhe të tjerëve

Aktuale

53 milionëshi i Bechtel Enka-s, Apeli refuzon ankesat e avokatëve të Pal Lekaj dhe të tjerëve

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 15:59
Pal Lekaj

Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat e avokatëve të ish-ministrit Pal Lekaj, Eset Berishës e Besim Tahirit, për rastin e 53-milionëshit të Bechtel Enka-s.

Ky vendim u mor pasi mbrojtësit e kishin kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Gjykata e Apelit ka njoftuar se ankesat janë rrëzuar.

“Gjykata e Apelit me aktvendimin, PN.S.nr.41/22 të datës 22.08.2022, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve P.L.,N.SH., , E.B., dhe B.T., të cilët ngarkohen sipas aktakuzave të Prokurorisë Speciale për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Kjo Gjykatë ka gjetur se, në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me dyshimin e bazuar, duke vazhduar me arsyetimin se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, të cilat mbështesin veprimet e përshkruara si në aktakuzë”, thuhet në njoftim.

Hedhjen poshtë të aktakuzës e kanë kërkuar të akuzuarit për keqpërdorim të 53 milionë eurove në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat