Drama në veri, që Serbia po e intrigon / Goditjen fatale duhet dhënë

Aktuale

Drama në veri, që Serbia po e intrigon / Goditjen fatale duhet dhënë

Më: 15 tetor 2022 Në ora: 16:05
Forcat e KFOR-it

Sado që shumica prej nesh duan të besojnë se veriu i Kosovës nuk do të mund të sulmohet nga Serbia, nuk duken të gjitha shenjat se janë plotësisht ashtu.

Lufta speciale serbo-ruse ndaj Kosovës, është në kulminacion. Serbia nuk është ballafaquar me masa shtrëngimi, që ajo të heq dorë nga mbështetja e Rusisë dhe projektet e përbashkëta për ta destabilizuar Kosovën.

Fakti kryesor është deklarata e vet Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka shfaqur bindjen se tensionet janë duke u rritur në veri të Kosovës, dhe se kjo nuk ka të bëjë vetëm me targat.

“...është e dukshme një rritje e tensioneve në Kosovë, jo vetëm në lidhje me çështjen e targave”, ka thënë këtë javë Stoltenberg.

Dramë dhe intriga serbe

Sikurse ne shqiptarët e dimë, se serbët nuk po revoltohen thjesht për targat, por në esencë të kundërshtimit të tyre është krijimi i tensioneve dhe një drame, në të cilën ata planifikojnë të dalin fitues.

Image
Forcat e Njësisë Speciale të Kosovës në Jarinë

Kur, jemi tek drama, duhet ditur se esenca e tyre është intriga, krijimi i ngjarjeve të papritura, kthesave dhe zhvillimeve me qëllim të përmbysjes së një rendi.

Serbët nga kasap dhe gjakatar, ia kanë dalur shpesh të prezantohen para botës si viktima, me përjashtim të ndërhyrjes së NATO-s më 1999. Por, më pas, duke bashkëvepruar me disa segmente politike, në vitin 2004, në trazirat e marsit, ia dolën, që të kthehen dhe pranohen si viktima nga bashkësia ndërkombëtare.

Ato çuan në bisedimet në Vjenë dhe krijimi i lëshimeve të jashtëzakonshme në decentralizim dhe trashëgimi. Atëherë këto lëshime u mbuluan në emër ‘të kompromiseve të dhimbshme’. Por, që atëherë serbët vazhduan të paraqiten para bashkësisë ndërkombëtare si viktima, dhe duke pasur edhe diplomacinë ruse përkrah, fituan terren thuaja në gjithë diplomacinë perëndimore, saqë rihapen edhe një proces bisedimesh, tani në Bruksel, ndërsa premtoheshin vetëm bisedime për çështje teknike.

Ato më së paku qenë teknike gjatë gjithë kohës. Kishin krijuar edhe në Kosovë mjaftueshëm bashkëpunëtorë, aq sa arritën që me demarkacion Malit të Zi, t’ia falnin rreth 0.8% të territorit, me shumë gjasë, përveç, se për ta përdorur për qëllime kundër speciales, ai ishte përgatitur si një model – uverturë për t’ia falur Serbisë deri në 10 % të veriut. Duke e theksuar më pas si arsyetim se nëse Malit të Zi, pa asnjë kërkesë dhe pa asnjë presion iu desh t’i falej aq territor, si mos t‘i falej më shumë Serbisë për ta hequr qafe, ‘njëherë e përgjithmonë’.

Fitorja, që ata e kërkojnë nuk është e thjesht. Ata duan, një veri nën kontroll të plotë serb, të pavarur nga Prishtina, si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, financa... edhe në polici, gjykata dhe në çdo çështje, apo fije për të cilat mbahet i bashkuar shteti.

Dhe të gjitha këto do ta godasin në thelb shtetin e Kosovës.

Image
Një ushtare në misionin e KFOR-it

Por, a jemi të rrezikuar të humbim?

Sigurisht se pyetja thelbësore është se nëse ne jemi të rrezikuar të humbim më shumë në gjithë këtë situatë?!

Përgjigja e parë, se nëse do të kishte një konflikt të armatosur a do të mund të humbte Kosova, është më se e qartë se jo.

Pyetja e dytë është se nëse ne nuk mund të humbim, atëherë për çfarë duhet të kemi frikë?

Frika rrjedhë nga e panjohura, mungesa e përgjigjes për një marrëveshje, dhe se çfarë qëndrime do të mbajnë vendet më të fuqishme, në krye të dialogut, veçanërisht ato të BE-së.

Pyetja e tretë, mbase më thelbësorja është se çfarë do të ndodhë, nëse nuk kemi frikë, dhe nëse konflikti nuk mund të ndodhë, cila është përpjekja e Serbisë?

Ndoshta, të gjitha provokimet, intrigat, sulmet në veri, bllokimi i rrugëve, thirrjet për rebelim, janë një teatralitet, të cilin Serbia po e përdorë për të ushtruar trysni ndaj bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që ajo t’i pranojë kërkesat e saj, gjithnjë duke i rritur. Tashmë, ajo po synon një shtyrje 10 vjeçare për njohje të Kosovës, ani pse bisedon dhe me gjasë premton, se mund ta pranojë një marrëveshje me Kosovën brenda vitit 2024.

Një nëntori po afron, por droja për ndonjë konflikt nuk është larguar. Ndërsa, sipas Sekretarit të NATO-s, Stoltenberg, prezenca e KFOR-it është rritur, pasi në takimin në Bruksel është njoftuar nga disa shtete për rritjen e mbështetjes për misionin e NATO-s.

Image
Pamje nga patrullimi i KFOR-it

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat