Presidentja Osmani priti në takim kryeshefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albright

Aktuale

Presidentja Osmani priti në takim kryeshefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albright

Më: 17 tetor 2022 Në ora: 17:39
Foto nga takimi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Presidentja Osmani e ka falënderuar znj. Albright dhe MCC-në për punën dhe përkushtimin për fillimin e suksesshëm të Programit Kompakt për Republikën e Kosovës. Presidentja Osmani ka theksuar dedikimin e institucioneve të Kosovës për këtë program, gjë që është reflektuar edhe në procesin e negocimit, nënshkrimit, si dhe ratifikimt në një kohë rekord nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.  

Presidentja Osmani ka thënë se projekti do ta vendosë Kosovën në hartë si shembull për të gjithë rajonin dhe më gjerë për sa i përket investimeve në sektorin e energjisë. Ajo vlerësoi se investimi në bateri do të ndikojnë në lehtësimin e tranzicionit energjetik dhe integrimit më të shpejtë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në sistemin energjetik, përderisa, ngritja e kapaciteteve të fuqisë punëtore e në veçanti të grave, do të ndikoj në krijimin e burimeve të nevojshme njerëzore për implementim të suksesshëm të projekteve inovative.

Tutje, Presidentja Osmani ka potencuar mbështetjen e vazhdueshme për të gjitha institucionet relevante me qëllim të materializimit sa më shpejt të programit, gjë që përfundimisht do të ndikojë edhe në tërheqjen e investimeve të huaja.

Në takim, Presidentja Osmani ka folur po ashtu për  miqësinë e palëkundur në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se programi  i ri me MCC-në do të shënojë një kapitull të ri që konfirmon edhe njëherë raportin e veçantë ne mes të dy vendeve tona. Me këtë rast, Presidentja Osmani i ka shprehur znj. Albright mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për kontributin e nënës së saj, ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, për lirinë e popullit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat