Gjykimi për uzurpim të një lokali, i dëmtuari thotë se ai lokal i është uzurpuar që nga viti 2018

Aktuale

Gjykimi për uzurpim të një lokali, i dëmtuari thotë se ai lokal i është uzurpuar që nga viti 2018

Më: 18 tetor 2022 Në ora: 18:30
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

Prishtinë- I dëmtuari B.H, në cilësi të dëshmitarit, deklaroi se lokali për uzurpimin e të cilit po akuzohet B.K, i është uzurpuar që nga viti 2018.

Këtë deklarim, dëshmitari H. e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Shefqet Hasimi i cili e pyeti se çfarë ka ndodhur në lokalin e tij prej viti 2018 e deri më sot, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Që nga kjo datë, lokalin ma mban të uzurpuar i pandehuri B.K, dhunshëm dhe pa pagesë të qirasë”, tha ai.

B.H tha se disa herë kishte biseduar me të pandehurin lidhur me kontratën mbi qiranë.

Gjithashtu i njëjti shtoi se i kishte bërë edhe lajmërim me shkrim të pandehurit, ku ka kërkuar lirimin e lokalit si dhe pagesën e qirasë.

Më pas, prokurori Arianit Salihu e pyeti dëshmitarin se a ka në pronësi një lokal në rrugën “Gjorgj Bush” në Prishtinë, gjë të cilën ai e pohoi.

“Po e kam në pronësi një lokal në atë rrugë, në bashkëpronësi me V.Z, i përbërë prej  15 metra katrorë, pjesa ime ideale është ½ apo respektivisht 7.5 metra katrorë”, tha ai.

Prokurori Salihu e pyeti dëshmitarin B.H, se nga blerja e lokalit pasluftës më 1999 deri në cilin vit e kishte pasur në shfrytëzim apo posedim këtë lokal.

Dëshmitari u përgjigj se nga viti 1999 e ka pasur në posedim, kurse më pas në vitin 2006 ia kishte lëshuar lokalin me qira B.K.“B.K, pa dijeninë time si pronar legjitim ka lidhur kontratë të kundërligjshme me Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), ku pas 3 muaj e gjysmë,  NPB-ja shkëputë kontratën e kundërligjshme dhe e njofton vazhdimisht me shkresa se është shkëputur kontrata, pasi që ky lokal nuk ka qenë asnjëherë i NPB-së në pronësi dhe as në menaxhim”, shtoi H.

Tutje, ai deklaroi se deri më 31 dhjetor 2017,  K. kishte paguar qiranë e fundit dhe pas asaj date nuk kishte pranuar të lidhë kontratë mbi qiranë me pronarin juridik, as ta paguajë qiranë mujore ose ta lirojë lokalin.

Ndryshe, në pyetjen e mbrojtësit të të pandehurit K., avokatit Skender Musa, se në cilën rrugë e kishte blerë H. banesën pasi që në aktgjykimin e vitit 1994, shkruante një adresë tjetër, i njëjti u përgjigj së ndër vite emri i rrugës së lokalit është ndryshuar disa herë, por se bëhet fjalë për të njëjtin lokal, në të njëjtin vend që nga viti 1964.
“NPB-ja ka kthyer përgjigje në fjalinë e fundit me njoftimin se NPB i ka shkëputur kontratat për qiradhënie me palët e lartpërmendura, nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga hulumtimi i pasurisë publike, njëherit NPB nuk i ka njohur të drejtën askujt edhe pas shkëputjes së kontratës, a e keni parë këtë shkresë? ”, pyeti avokati Musa, dëshmitarin H.

Dëshmitari tha se kjo ka qenë shkresë e mëhershme, ku pas kësaj shkrese është lëshuar shkresa kryesore, në të cilën thuhet se këto lokale asnjëherë nuk kanë qenë në pronësi të NPB-së dhe as nën menaxhimin e tyre.

Paraprakisht, në fillim të këtij shqyrtimi palët u lajmëruan se seanca duhet të ndërprehet me arsyetimin se gjyqtari Eroll Gashi do të marrë pjesë në një ceremoni varrimi, andaj me mirëkuptimin e palëve kjo seancë e shqyrtimit u ndërpre dhe e radhës u caktua 10 nëntor 2022.

Ndryshe, me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë është kërkuar që B.K., të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit si dhe i është propozuar gjykatës që të akuzuarit t’i shqiptohet masa e dëbimit nga prona e uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, B.K nga 10 prilli 2018, në Prishtinë, me veprim të pambështetur në ligj – pa të drejtë të shfrytëzimit dhe pa pëlqimin e pronarit, vazhdon ta shfrytëzojë pronën e paluajtshme, lokalin nr.50, në rrugën “Gjorgj Bush”, me sipërfaqe prej 15 m2. Pjesa ideale prej ½ ka kaluar në emër të B.H sipas aktvendimit të 5 tetorit 2016, lëshuar nga Drejtoria e Kadastrit në Prishtinë, duke u bazuar në kontratën e shitblerjes së patundshmërisë, e noterizuar më 22 qershor 2016.

Ndërkaq, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se nga 10 prill 2018, në Prishtinë, me veprim të pambështetur në ligj – pa të drejtë të shfrytëzimit dhe pa pëlqimin e pronarit, vazhdon ta shfrytëzojë pronën e paluajtshme, lokalin nr.50, në rrugën “Gjorgj Bush”, me sipërfaqe prej 15 m2. Pjesa ideale prej ½ ka kaluar në emër të V.Z, sipas aktvendimit të 27 dhjetor 2017, lëshuar nga Drejtoria e Kadastrit në Prishtinë, duke u bazuar në kontratën e shitblerjes së patundshmërisë, e noterizuar më 1 dhjetor 2016.

Me këto, B.K akuzohet se ka kryer veprën penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi 

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat