​Festohen arritjet e programit 49 milionë dollarësh mes Kosovës e MCC-së

Aktuale

​Festohen arritjet e programit 49 milionë dollarësh mes Kosovës e MCC-së

Më: 19 tetor 2022 Në ora: 14:43
Foto ilustrim

Fondacioni Millenium Kosova ka shënuar sot përfundimin dhe arritjet e Marrëveshjes së Pragut prej 49 milionë dollarësh të nënshkruar në vitin 2017 ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Federale Amerikane MCC.

Drejtues të MFK-së theksuan se gjatë pesë vjetëve të fundit, ekipi i këtij fondi kanë zbatuar aktivitete të shumta të përqendruara rreth Projektit të Peizazhit të Energjisë së Realizueshme dhe Projektit të Qeverisjes Transparente dhe Përgjegjëse.

Kryeshefja ekzekutive në e MCC, Alice Albright tha se përmes këtij programi të Pragut, Qeveria mund të ndërtojë një të ardhme më të ndritshme energjetike dhe se ky moment nuk është fundi i partneritetit të MCC-së me Kosovën.

Ajo foli edhe për marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës dhe MCC për Kompaktin prej 202 milionë dollarë që parasheh investime në sektorin e energjisë.

Albright: Qeveria mund të ndërtojë një të ardhme më të ndritshme energjetike

Së bashku siç e pamë edhe në video kemi rritur qëndrueshmërinë e furnizimit me energji, kemi rritur transparencën si dhe kemi fuqizuar institucionet qeveritare. Qasja e besueshme në energji është pjesë kyçe e jetës së përditshme dhe është esenciale për heqjen e varfërisë dhe nxitjen ekonomike si dhe përmirësimin e standardit të jetës. Kjo është një prej masave më me kosto efektive që shtetet mund të marrin për të zvogëluar emetimin e gazrave dhe ndotjen, si dhe për të përmirësuar standardet e shëndetit. Prandaj përmes programit Prag kemi synuar të krijojmë një fondacion dhe një themel të fortë, të cilin qeveria e Kosovës mund të ndërtojë një të ardhme më të ndritshme energjetike dhe më të qëndrueshme për të gjithë kosovarët”, theksoi Albright.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se Zyra e Presidentit më 2015 ka kontribuar për kualifikimin e Kosovës për fondet e MCC-së. Megjithatë, Jahjaga tha se energjia mbetet sfidë afatgjate për Kosovën.

Jahjaga: Si Presidencë kemi kontribuar për kualifikim për fondet e MCC-së

“Jam krenare që Zyra ime në atë kohë ka udhëhequr përpjekjet kosovare që Kosova të kualifikohet për fondet e MCC-së. Kemi bashkëpunuar ngushtë me një gamë të gjerë të institucioneve të Kosovës dhe agjencive të OKB-së për të mbledhur dhe raportuar më shumë të dhëna për indekset e MCC-së, si dhe të kuptojmë se çfarë nevojitet të bëjmë për të ndryshuar performancën në këto indekse. Në fund të vitit të gjithë ishim të gëzuar kur pamë që Kosova kaloi në shumë indikatorë dhe për herë të parë ishte kualifikuar për fondet e MCC-së”, theksoi ajo.

Drejtoresha e MCC-së për Kosovë Sarah Olmstead është shprehur e kënaqur për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 2017, dhe sipas saj ka pasur përkushtim pa ngadalësim në realizmin e programit të Pragut.

Olmstead: Ka pasur angazhim pa u ndalur për zbatimin e programit

“Volumi i punës nuk është ngadalësuar që atëherë. Diskutimet dhe komentet për programin dhe arritjet janë të dobishme dhe kemi edhe drejtoreshën ekzekutive tonë të pranishme. Dua të falënderoj të gjithë ekipin që ka qenë në terren”, tha ajo.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i Fondacionit të Sfidave të Mijëvjeçarit, Petrit Selimi tha se marrëveshja e Pragut ka qenë marrëveshja më madhe e aprovuar nga Bordi i MCC-së për Kosovën. Selimi përmendi të gjithë ata që kontribuuan në realizmin e programit.

Selimi: Para 5 vjetëve mendonim që ishte zgjidhur çështja e energjisë, por ky problem ende ekziston

Në atë kohë po e diskutonim me Qeverinë e Kosovës si një projekt turizmi, papunësisë, bujqësisë e kështu me radhë. Pra, kështu diskutonim se cilat janë pengesat për Kosovën. Para 5 vjetëve mendonim që ishte zgjidhur çështja e energjisë, nuk kishte më reduktime, por tani pas 5 vjetëve po e shohim që ky problem ekziston. Kur e kemi nënshkruar marrëveshjen e Pragut, ka qenë marrëveshja më e madhe e aprovuar nga Bordi i MCC-së”, theksoi Selimi.

Në fillim të këtij takimi u shfaq një video e familjeve përfituese nga fondet e MCC-së për energji efiçiente. Nga kjo marrëveshje kanë përfituar edhe qindra gra kosovare në sektorin e energjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat