Gorani: Jo njohje në qendër, kush ndërmend s’e ka pasur të flas për njohjen nga Serbia

Aktuale

Gorani: Jo njohje në qendër, kush ndërmend s’e ka pasur të flas për njohjen nga Serbia

Më: 19 tetor 2022 Në ora: 21:16
Dukagjin Gorani

Sipas të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar një marrëveshje fillestare mes Kosovës dhe Serbisë mund të pritet javëve të ardhshme. Escobar në një intervistë për Kanal10, është shprehur që një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, sjell njohjet nga 5 shtetet mosnjohëse të BE-së, por s’e ka përmendur njohjen nga Serbia ndërkohë që ka thënë se anëtarësimi në OKB do të ishte i mirëseardhur.

Në emisionin Pressing, gazetari Dukagjin Gorani ka thënë se asnjëherë s’e ka kuptuar termin “njohje në qendër”, që e ka përdorur në mënyrë konsistente Qeveria e Kosvoës kur i është referuar marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Njohja në qendër, kurrë s’e marr vesh qysh është kriju ky term. Në anglisht, në letrën e Blinken, shkruhet “centered around recognition”, që i bjen me synim njohjen. Te ne ajo është bërë si njohje në qendër”, ka thënë Gorani në T7.

Sipas Goranit, mundësia që Serbia ta njoh Kosovën në këtë proces, është e vogël. Sipas tij, ndërkombëtarët do ta ndajnë në faza procesin Kosovë-Serbi dhe njohja nga Serbia si dhe anëtarësimi në OKB, mund t’i përkasin një të ardhmeje të largët.

“Jo që s’ka me pasë njohje në qendër, por as që e ka pasë kush ndërmend me folë për atë punë. Bashkësia ndërkombëtare ka përdorur një qasje të vjetër, që e ka emrin “sekuencalizim”, duke e ndarë procesin në faza. Kanë thënë, okej në fazën e parë, le ta njohin Kosovën pesë vendet e BE-së, le të organizohet në organizata ndërkombëtare, ndërkohë që anëtarësimi në OKB dhe njohja me Serbinë le të mbeten më vonë.  Pra, bëhet fjalë për ndarjen në faza të një procesi negociator”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat