Alice Albright (MCC): Krijojmë partneritet me qeverisjet demokratike – për Kosovën arritje e madhe

Aktuale

Alice Albright (MCC): Krijojmë partneritet me qeverisjet demokratike – për Kosovën arritje e madhe

Më: 20 tetor 2022 Në ora: 21:55
Alice Albright

Alice Albright, vajza e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, dhe drejtoreshë ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, ka thënë se për të është kënaqësi e madhe që e ka vizituar Kosovën.

Në Rubikon, ajo ka theksuar se MCC-ja për të investuar projekte në një shtet, si kusht ka disa indikatorë, duke përfshirë edhe qeverisjen demokratike.

Sa i përket investimeve të MCC në Kosovë, Albright ka deklaruar se çdo herë janë përmbushur kushtet që janë kërkuar nga ShBA-ja.

“Është kënaqësi e madhe të jem në Kosovë dhe të takohem me të gjithë partnerët tanë të mrekullueshëm këtu, duke përfshirë natyrisht edhe ministren Artane Rizvanolli. Pra MCC-ja është krijuar në vitin 2004 dhe ne kemi krijuar partneritet me qeveritë që kanë treguar angazhim për qeverisje demokratike, për investim në popullin e tyre dhe menaxhim të mirë të ekonomisë së tyre”, ka thënë Albright në Rubikon.

“Ne e masim këtë përmes një seti indikatorësh shumë të ndërlikuar dhe Kosova i ka kaluar të gjithë këta indikatorë, pra është një arritje e madhe. Pra, bordi e ka përzgjedhur dy herë Kosovën për të punuar me të, një herë në vitin 2017, për një projekt, i cili tashmë thuajse ka përfunduar, për 49 milionë dollarë dhe fillimisht është përzgjedhur në vitin 2017”.

“Tash jemi këtu në fakt për të festuar përfundimin e këtij programi. Ky është në njërën anë një program për të ndihmuar në investimin e efiçiencës së energjisë dhe gjithashtu për të ofruar lloje të ndryshme të bursave dhe mundësi për gra. Pastaj bordi e zgjodhi Kosovën për programin kompakt, i cili në disa mënyra është një vazhdimësi e Threshold dhe ai program ka 202 milionë dollarë dhe natyrisht është plotësuar me një kontribut gjeneroz nga qeveria dhe i cili gjithashtu do të jetë në sektorin e energjisë dhe do të fillojmë të punojmë në të”, ka thënë Albright.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat