​Shkarkohet rektori Sahiti, kryesuesi i KD-së mohon që ka pasur bashkëpunim me anëtarët e senatit

Aktuale

​Shkarkohet rektori Sahiti, kryesuesi i KD-së mohon që ka pasur bashkëpunim me anëtarët e senatit

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 16:47
Foto ilustrim

Me tetë vota për dhe një abstenim, Këshilli Drejtues i UP-së ka vendosur për shkarkimin e rektorit, Naser Sahiti. Në mbledhjen e sotme të këshillit me vota unanime është vendosur për shkarkimin e tij dhe ushtruesen e detyrës së rektorit, Luljeta Plakolli-Kasumi. Për këtë të fundit u tha se ka qenë propozim i hapur dhe do të qëndrojë në këtë pozitë deri sa të përfundojë procesi i konkursit për zgjedhjen e rektorit.

Zëvendëskryesusesja e Këshillit Drejtues të UP-së, Arbëresha Nela-Turjaku ka njoftuar se nga e hëna do të hapet konkursi për zgjedhjen e rektorit të universitetit. 

Nela-Turjaku: Ne kemi kërkuar menjëherë shpalljen e konkursit qysh ditën e hënë

“Në takimin e sotëm kanë votuar të gjithë anëtarët e këshillit, me tetë vota për dhe një abstenim, është votuar shkarkimi i rektorit profesor doktor, Naser Sahiti. Çështjet të cilat kanë qenë të ngritura, rektori ka qenë i ftuar në këtë takim dhe t’i argumentojë ato çështje. Meqenëse nuk ka qenë prezent në takim, ka dërguar disa përgjigje për të cilat këshilli ka konsideruar dhe ka vendosur se nuk janë argumente të cilat e kanë bind këshillin që të vazhdohet me këtë strukturë. Ne kemi kërkuar menjëherë shpalljen e konkursit qysh ditën e hënë, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, për zgjedhjen e rektorit të ri dhe njëkohësisht është emëruar ushtruesja e detyrës së rektorit, profesoresha asistente Luljeta Plakolli-Kasumi”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se ushtruesja e detyrës së rektorit ka plotësuar kriteret për këtë detyrë. 

Nela-Turjaku: Ka qenë propozim i hapur prej anëtarëve të këshillit

“Ka qenë propozim i hapur prej anëtarëve të këshillit dhe normalisht që paraprakisht janë konfirmuar të gjitha kushtet, kriteret në qoftë se profesoresha e nderuar i plotëson për të ushtruar këtë detyrë dhe nga këshilli me vota unanime prej nëntë votave është emëruar si ushtruese e detyrës së rektores, deri në kohën sa të përfundon i gjithë procesi i konkursit për zgjedhjen e rektorit, sipas dispozitave ligjore të përcaktuara”, ka shtuar ajo. 

Po ashtu, ka shtuar se zgjedhja e saj është bërë me qëllim që të mos krijojmë vakum institucional dhe të fillohet me konsolidimin e strukturës së re që do të udhëheq rektoratin. 

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti ka mohuar se ka pasur marrëveshje mes senatorëve dhe zyrtarëve të ministrisë për shkarkimin e rektorit, Naser Sahiti. 

Sahiti: Nuk ka pasur asnjë bashkëpunim me anëtarët që vijnë prej senatit

“Jo, ju mundeni me vërejt që janë tetë vota për, nuk ka pasur asnjë bashkëpunim me anëtarët që vijnë prej senatit. Ata anëtarë vijnë prej sistemit që kemi gjetur ne, ne nuk e kemi krijuar sistemin që e kanë sjellur ata. Është sistem që ka funksionuar tash e një kohë”, ka shtuar ai. 

Sahiti shtoi se nuk kanë sjellur anëtarë, për të cilët aludohet se punimet e tyre janë plagjiaturë, në Këshill Drejtues. 

Ai tha se nuk qëndrojnë deklarimet e ish-rektorit, Naser Sahiti se kjo mbledhje është mbajtur në mënyrë jashtëligjore. 

Sahiti: Kjo nuk qëndron

“Kjo nuk qëndron për shkak se sipas statutit, kryesuesi e thirr mbledhjen. Unë e kam thirr personalisht si kryesues i Këshillit Drejtues, e kam thirrur tri ditë përpara, ashtu siç e parasheh rregullorja për punën e Këshillit Drejtues. Nuk qëndron ajo, nuk qëndron konstatimi i ish-rektorit Sahiti”, ka përfunduar Sahiti. 

Ish-rektori i UP-së, Naser Sahiti nuk është deklaruar para mediave për shkarkimin e tij. Ai ka thënë se do të jetë në një emision televiziv dhe nuk mund të prononcohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat