Propozimi i ish-ministres: Qeveria ta shtyjë vendimin për targa dhe ta bëjë këtë paralajmërim

Aktuale

Propozimi i ish-ministres: Qeveria ta shtyjë vendimin për targa dhe ta bëjë këtë paralajmërim

Më: 23 tetor 2022 Në ora: 15:53
Albin Kurti

Ish-kryediplomstja Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet ta shtyjë afatin për çështjen e targave, në mirëbesim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Dy muaj më parë, Kurti kushtëzoi shtyerjen me heqjen e barrikadave nga bandat kriminale të Vuçiqit, duke i bërë praktikisht ata hisedarë të ‘paqes dhe rendit e ligjit’ në veri”, shkroi ajo.

Sipas saj, nëse nuk ka shtyerje të re, është e pritshme që bandat do të aktivizohen përsëri javën e ardhshme me rivendosjen e barrikadave, duke shkaktuar tension artificial në veri.

“Këtë herë, KM Kurti t’ia falë mirëbesimin aleatit tonë amerikan dhe të pranojë një shtyerje të fundit fare për konvertimin e targave, e mos të pritet derisa bandat kriminale riaktivizohen dhe rrjedhimisht bëhen sërish palë vendimtare në shtensionimin e situatës me kushtëzime ndaj Qeverisë së Kosovës”, tha ajo.

Ish-ministrja e Jashtme shprehet se Qeveria Kurti duhet të bëjë shtyerjen vetëm edhe për 2 muaj “(jo 10 sa kërkohet) dhe po ashtu të paralajmërojë se pas datës 31 dhjetor 2022 secila veturë me targa ilegale do të konfiskohet deri në konvertim në targa RKS”.

“Më pas, ky lëshim (lexo: koncesion) të përdoret si levë në dialog për të shtuar presionin ndaj Serbisë si palë destruktive dhe kërcënuese e vazhdueshme e sigurisë/paqes në Ballkan, si dhe për të avancuar shtrierjen e pakompromis të rendit e ligjit në veriun e vendit”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat