Çaste dramatike të historisë njerëzore / Shqiptarët nuk duhet të dorëzohen

Aktuale

Çaste dramatike të historisë njerëzore / Shqiptarët nuk duhet të dorëzohen

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 23 tetor 2022 Në ora: 17:16
Presidentja Vjosa Osmani gjatë një ceremonie në KFOR

Bota, më saktë njerëzimi po i jeton çastet më dramatike të historisë njerëzore. Një përplasje nga bombat taktike bërthamore, që mund të shkojë tek goditjet kataklizmike duket se kurrë s’ka qenë më afër.

Këtë frikë ka filluar ta shprehë edhe në mediat perëndimore, presidenti i Ukrainës Zelenski, i cili po i kërkon Perëndimit, që ta kërcënojë Rusinë, se në rast se e godet me koka bërthamore Ukrainën, duhet ta dijë se do të goditet edhe Kremlini në qendër të tij.

“Sa i përket përdorimit të armëve bërthamore do të jap një shembull. Tani ulemi dhe dëgjojmë thirrjet e vazhdueshme që Rusia të godasë qendrën e vendimmarrjes në Ukrainë. Si duhet të reagojë planeti? Nuk ka rëndësi nëse Ukraina i përket NATO-s apo jo. Kjo po ndodh në Evropë. Askush nuk ka të drejtë të zhvasë si një terrorist”, ka deklaruar presidenti ukrainas për një televizion kanadez, transmetojnë mediat.

Nisur nga ky perceptim, siç duket është edhe i Perëndimit, ndërmjetësuesit perëndimor duan që të nguten sa më parë, për arritjen e një marrëveshje, e cila besohet se do ta pengonte Rusinë, ta shtrijë ndikimin në Ballkan.

Image
Presidenti ukrainas Zelenski kërkon goditjen e Kremlinit me armë bërthamore

Minidrama shqiptare

Por, jo shumë larg Ukrainës, po zhvillohet një minidramë paralele, në tokat shqiptare, e thuaja në gjithë hapësirën e dikurshme të paraardhësve të tyre ilir.

Serbia e ndihmuar nga Rusia në vazhdimësi po bën përpjekje se si të mund ta realizojë një strategji sulmi apo konflikti në veri, për të kontestuar sovranitetin e Kosovës. Të njëjtën gjë është duke u përpjekur ta bëjë edhe në Bosnje. As Kroacia nuk është krejtësisht e qetë, ndërsa Mali i Zi, mbetet një objekti i vazhdueshëm sulmesh, ruso-serbe. Edhe Maqedonia Veriore, fare pak është më e qetë.

Perëndimi, për dallim në rastin e Ukrainës, që po ia ofron të gjitha mundësitë për ta mundur Rusinë, e neve shqiptarëve po na tremb me gogolin rus, dhe në vend të goditjes së Serbisë, për shkak të pozicionimit me rusët, po i mbështetë projeksionet e saja, për të përfituar në kohë, dhe pushtet më shumë për serbët në Kosovë.

Sot, presidentja e vendit Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur debateve që lidheshin me informacionin për një dokument për statutin e asociacionit dhe marrëveshjen me Serbinë, sipas të cilëve, marrëveshja që pritet të arrihet me fqinjët, nuk e përmban njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

“Nuk ka pasur kërkesë asnjëherë që Kosova të heq dorë nga kërkesa për njohje reciproke”.

Sipas presidentes, njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë “është domosdoshmëri”.

Por, çfarë do të ndodhë?

Kjo është pyetja, që është më së vështiri të zgjidhet për shqiptarët. Vetëm ata me informacione shumë të sakta në brendësi të dialogut mund të flasin më shlirshëm. Por, si duket nuk ka informacione aq të sigurta pozitive, dhe në këtë rast situata mund të duket e ndërlikuar për ne shqiptarët.

Perëndimi e ka të qartë se Ukraina është një viktimë e madhe e Rusisë, dhe se sipas shumë politikanëve dhe ekspertëve është kthyer në mburojë të Evropës dhe vetë civilizimit perëndimor.

Edhe Serbia është sjellur në të njëjtën mënyrë ndaj Kosovës gjatë luftës, bile ka kryer krime edhe më të rënda, por, si pasojë e kësaj, ajo është ndëshkuar nga NATO-ja me sulme raketore dhe përgjithësisht me sulme nga ajri.

Është e qartë se Serbia, edhe tash po e ndjek diplomacinë e Putinit, por është e kufizuar për të vepruar për shkak se Kosova është e mbushur me trupa të huaja të NATO-s kryesisht, dhe ajo nuk ka guxim ta fillojë asnjë luftë, kur e din se do të humbë.

Këtë sjellje të Perëndimit po e kundërshton edhe eksperti amerikan Daniel Server, sipas të cilit Serbia nuk ka përkushtim për paqen dhe stabilitetin në rajon, përkundrazi, veç tjerash është e interesuar për krijimin e “Serbisë së madhe”.

“Jo, nuk jam dakord. Mendoj se Vuçiqi është i përkushtuar ndaj asaj që ai e quan botën serbe, me fjalë të tjera de fakto Serbinë e madhe. Kjo kërcënon me destabilitet, si në Bosnje ashtu edhe në Kosovë”, ka thënë ai.

Po ashtu ai është treguar eksplicit, që marrëveshja me Serbinë duhet të përmbajë së paku dy kushte: të drejta reciproke për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të asociacioni të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Image
FSK-ja gjatë stërvitjeve

Në këtë aspekt, Kosova mendoj edhe unë duhet të ecë drejt krijimit të një statuti për asociacionin, që nuk e shkel Kushtetutën dhe ligjet kryesore të Kosovës, që nuk i jep shans krijimit të një statusi autonom për serbët, dhe po ashtu mendoj unë, të drejtat që kërkojnë duhet mbarojnë me anëtarësimin e Kosovës në BE, dhe brenda saj të vlejnë pastaj standardet e BE-së për pakicat.

Pa dyshim, që në rastin e Kosovës bëhet fjalë për një pakicë krejtësisht të vogël që ka rreth 50 mijë serbë, dhe si e tillë nuk mund të ketë të drejta çfarë pretendon Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat