Mustafa tregon se a duhet shtyrë vendimi për targat pas kërkesës së ndërkombëtarëve

Aktuale

Mustafa tregon se a duhet shtyrë vendimi për targat pas kërkesës së ndërkombëtarëve

Më: 23 tetor 2022 Në ora: 17:42
Isa Mustafa

Qeveria e Kosovës, por edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani nuk kanë dhënë shenja deri më tani se do t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për shtyrje dhjetëmuajshe të afatit për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS.

Por, çka thotë ish kryeministri i vendit, Isa Mustafa përkitazi me këtë çështje.

Mustafa ka thënë se nuk ka arsye për shtyrje, megjithatë thotë se në kohën kur po kërkohet të arrihet marrëveshja e madhe, ajo përfundimtare, targat edhe mund të presin.

“Procesi duhet të koordinohet me SHBA-në dhe BE-në. Nuk është mirë të ipen deklarata implicite, se ne jemi të përkushtuar  për sundimin e ligjit që lë të nënkuptohet se SHBA dhe BE nuk janë. Sundimi i ligjit do të arrihet kur të ushtrohet sovraniteti i plotë në veri të vendit,”. Për sa kohë përfaqësuesit serb nga veriu në institucionet më të larta të Kosovës, deklarohen haptas se president i tyre është Vuçiq e jo Osmani, kuptohet se sovraniteti nuk sigurohet me targa por me veprim politik”, ka thënë Mustafa.

Kujtojmë se Escobar tha se kërkesën për shtyrje të këtij vendimi, e mbështetësin edhe vendet e QUINT-it.

Ndërsa presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi sot se presioni duhet të drejtohet te Vuçiqi.

“Prandaj ne jemi në diskutime me partnerët tanë në mënyrë që të gjithë të mirëkuptojnë që veprimet e institucioneve të Kosovës janë vetëm për rend dhe ligj dhe asnjëherë nuk kontribuojnë për ndonjë tensionim. Të vetmet veprime që kontribuojnë për tensionim janë kërcënimet, frikësimet, djegiet e makinave e të shtëpive që po bëhen nga strukturat ilegale e kriminale të cilat mbështeten dhe financohen nga Vuçiqi, prandaj fokusi duhet të jetë aty, te burimi i tensioneve, te burimi i dhunës, te burimi i kërcënimit, i frikësimit e shantazheve. Ai burim nuk ka qenë dhe as nuk është kurrë në Kosovë, ai burim ka qenë dhe është edhe sot, vetëm e vetëm në Serbi. Aty duhet të drejtohet presioni, jo te institucionet e Republikës së Kosovës që janë shndërruar në shembull për sundim të ligjit, shembull jo vetëm për historinë tonë të re por shembull për gjithë rajonin e më tej“, ka thënë ajo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat