​Qeveria ndan mbi 4 milionë euro për blerjen e barnave esenciale

Aktuale

​Qeveria ndan mbi 4 milionë euro për blerjen e barnave esenciale

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 13:57
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 4 milionë euro shtesë për blerjen e barnave nga lista esenciale në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se këto mjete janë për tre muajin e fundit të këtij viti.

Murati: 4 milionë e 200 mijë e 100 euro për blerjen e barnave esenciale

“Bëhet fjalë për kërkesën Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës që ta ka qenë kërkesë për ndarjen e mjeteve shtesë për sigurimin e barnave esenciale deri në fund të vitit, për tre mujorin e fundit. Bëhet fjalë për shumën prej 4 milionë e 200 mijë e 100 euro dhe mjetet e ndara sipas kësaj kërkese merren nga nën programi kontigjencat në Ministrinë e Financave me kod 28/900 nga kategoria mallra dhe shërbime dhe transferohen në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, ka thënë Murati.

Qeveria ka ndarë edhe 92 mijë euro për subvencionimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist”, i cili u zhvillua dje në Prishtinë.

Kjo është vendosur në mbledhjen e Qeverisë në të cilën është miratuar edhe projektligji për mbrojtjen e konsumatorit.

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj ka thënë se me këtë rregullohet mbrojtja e konsumatorit, përgjegjësitë e tregtarit dhe konsumatorit në blerjen e produkteve dhe shërbimeve.

Arifaj: Përmes ligjit do të rregullohet mbrojtja e konsumatorit

“Përmes këtij projektligji do të rregullohet mbrojtja e konsumatorit, përgjegjësitë e tregtarit si dhe përgjegjësitë e konsumatorit në blerjen e produkteve dhe shërbimeve, me këtë rast adresohen praktikat e padrejta tregtare, treguesit e çmimeve dhe produktet e ofruara, kushtet e padrejta në kontratë, të drejtat e konsumatorit në relacion me kontratat në distancë dhe jashtë të objekteve afariste, masa mbrojtëse për mbrojtje për të konsumatorit, blerja dixhitale, mbrojtja kolektive, pushimet afatgjatë, masa të tjera të përcaktuara me vendim të qeverisë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ekzekutivi ka plotësuar programin legjislativ për vitin 2022, në të cilin u shtua projektligji për provimin e maturës shtetërore, ndërsa është shtyrë afati i miratimit për projektligjin për shërbimin e jashtëm.

Qeveria ka formuar këshillin organizativ për shënimit e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të kryesuar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe Strategjia Kombëtare dhe plani i Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa pronarë në Kosovë, për vitet 2022-2028.

Gjithashtu, u miratua nisma për negocim të Marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për bashkëpunim në hartimin e planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.

Ekzekutivi ka miratuar edhe projektligjin për zhvillim rajonal të balancuar, ndërsa i ka vazhduar mandatin për pesë vjet Martin Halilaj, hetues i aksidenteve hekurudhore në kudër të Komisionit për hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeropnautike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat