Afera Pronto, rasti Agonis Tetaj, punësimet e familjarëve – E kaluara me shumë mistere e ish-Kryeprokurorit të 150 mijë eurove

Aktuale

Afera Pronto, rasti Agonis Tetaj, punësimet e familjarëve – E kaluara me shumë mistere e ish-Kryeprokurorit të 150 mijë eurove

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 18:26
Foto ilustrim, Haxhi Dërguti, Aleksandër Lumezi dhe të tjerë

Coca-Cola, Schweps, shampanja. Nën shoqërinë e personave më të fuqishëm të sistemit prokurorial. Në këtë formë më 7 korrik 2021, ish-Kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, ishte pensionuar. Megjithatë, një vit e gjysmë pas, emri i tij është rikthyer në vëmendje. Kjo pasi po dyshohet se Dërguti është përfshirë në një aferë korruptive që kap vlerën e 150 mijë eurove. Veç kësaj, karriera e Haxhi Dërgutit ka qenë me shumë afera të tjera. Nacionale sjell detaje.

“O pasha 5 fëmijë që i kam, nuk e kam ditë që ke dhanë pare”. Kjo ishte fjalia më e shpeshtë që ish-Kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti ia thoshte biznesmenit Sali Dakaj. Ky i fundit është i bindur që i ka dhënë 150 mijë euro nëpërmjet dy sekserëve për Dërgutin, në mënyrë që ky të vendos në favor të tij në një lëndë përmbarimore.

Sekserët dyshohet se janë Hasan Morina e Liridon Fandaj. Fandaj i ishte ofruar biznesmenit Dakaj duke i kërkuar t’i jap 300 mijë euro në mënyrë që lënda e tij të marrë epilog. Për këtë, Fandaj shfrytëzoi miqësinë që kishte Hasan Morina me Haxhi Dërgutin.

150 mijë euro biznesmeni Dakaj tha se i ka dhënë në një restorant, e të cilat pastaj Morina e Fandaj ia përcollën Haxhi Dërgutit në shtëpinë e tij. Kjo vetëm e vetëm që lënda përmbarimore 3 milionëshe e biznesmenit Salih Dakaj të vendosej ‘siç duhet’. Këto të gjitha skandale u zbuluan në një hulumtim të realizuar nga Kallxo.com.

Në dy pjesë të këtij hulumtimi, tregohet për tentim-ndikimin e Haxhi Dërgutit në gjyqtarët e lëndës, takimet e tij me biznesmenin Dakaj, dhe deklaratën skandaloze ku ish-kryeprokurori i kërkon biznesmenit ‘të jap para, sepse ka të bëjë me njerëz të fuqishëm;’. Media dje solli një përmbledhje të gjithë këtij skandali, të raportuar nga Kallxo.com

Fëmijët e punësuar në KEDS

Njërin prej fëmijëve në të cilët betohej ish-kryeprokurori Dërguti gjatë video-inçizimeve, është i punësuar në kompaninë KEDS. Dhe, jo vetëm. Disa familjarë të Dërgutit janë të punësuar në këtë kompani. Kështu kishte gjetur një hulumtim i realizuar nga gazeta Shqip.

Në këtë hulumtim, zbulohej se Haxhi Dërguti e ka ka punësuar djalin, Hajdinin, nusen e djalit, Alisa Manaj-Dërguti, dy dajë – Fidan e Bledar Dushi dhe një djalë të baxhanakut, Arbnor Morina.“Kërkon se kam të punësuar unë aty”, ka thënë Dërguti fillimisht për Shqip.com, por që pak minuta më vonë tha se e ka vetëm djalin. “Veç djalin e kam”.E më vonë, ai i konfirmon edhe punësimet e tjera.

Përgjimet Pronto

Emri i Haxhi Dërgutit ishte përmendur edhe në përgjimet Pronto, të cilat kishin tronditur opinionin publik në Kosovë.

Insajderi kishte raportuarse në një nga përgjimet e publikuara, Haxhi Dërguti, në atë kohë prokuror në Prokurorinë e Qarkut, insistonte për ta takuar Adem Grabovcin.

Në dosjen e publikuar nga insajderi Haxhi Dërguti në cilësinë e prokurorit në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë kishte bërë kërkesa të shumta për ta takuar Adem Grabovcin.

Rasti i Agonis Tetajt

Vrasja e të riut Agonis Tetaj kishte tronditur Kosovën. Familja ishte detyruar t’i publikojë momentet e vrasjes pasi vepra penale nga vrasje e rëndë, ishte rikualifikuar në vrasje nga pakujdesia.

Vrasja e Tetajt ishte vendosur të trajtohet në Prokurinë e Gjilanit. Vendimi për përjashtimin e Prokurorisë në Pejë ishte marrë nga Haxhi Dërguti. Kjo, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ishte vlerësuar si tejkalim i kompetencave.

“Me këtë rast, IKD kërkon që ky vendim i Kryeprokurorit të Shtetit të pasohet edhe me masa adekuate ndaj njërit prej akterëve kryesorë në këtë rast që është ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti. IKD kërkon që ndaj ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti të iniciohen procedurat penale dhe disiplinore për shkak të mënyrës së kundërligjshme me të cilin ish-kryeprokurori Dërguti kishte vendosur që nga kjo lëndë të përjashtohet Prokuroria Themelore në Pejë dhe e njëjta të delegohet në Prokurorinë Themelore në Gjilan. Një veprim të tillë, Dërguti e kishte bërë duke i tejkaluar kompetencat e tij ligjore, pasi që të njëjtat, nuk i japin asnjë mundësi Prokurorisë së Apelit që të vendosë lidhur me përjashtim të prokurorive themelore”, thuhej në reagimin e IKD-së.

Afera 150 mijë euroshe

Dy persona kishin premtuar që do t’ia zgjidhnin një lëndë përmbarimore biznesmenit Sali Dakaj. Për këtë, Dakaj duhet të jepte 300 mijë euro ryshfet. Ato planifikohej t’i shkonin ish-Kryeprokurorit të Apelit. Sekserët ishin Hasan Morina e Liridon Fandaj. Ish-kryeprokurori i Apelit ishte Haxhi Dërguti.

Biznesmeni ka konfirmuar se 150 mijë euro ua kishte dhënë dy sekserëve, dhe të njëjtit i kishin thënë se ato para i ka marrë ish-kryeprokurori tash avokati Haxhi Dërguti. Si pasojë kishin ardhur edhe disa takime të biznesmenit Dakaj me ish-kryeprokurorin, ku ai i premton se do të takohet me gjyqtarë për t’ia zgjidhur lëndën.

Biznesmeni Sali Dakaj kishte një lëndë përmbarimore në Gjykatën e Prishtinës. Vlera shkonte në 3 milionë euro. Që kjo lëndë të ktheje në favorin e Dakajt, i ishin kërkuar 300 mijë euro fillimisht.

Këtë e kishin bërë Hasan Morina e Liridon Fandaj, ish-shef i asamblistëve të Vetëvendosjes në Suharekë. Atij i ishte paraqitur Fandaj duke i thënë se ka persona që mund t’ia përfundojnë lëndën në favor. Dy sekserët e dyshuar në këtë rast, Morina e Fandaj ishin takuar bashkë me Dakajn.Aty biznesmenti ia kishin marrë 150 mijë euro, të cilat i kishin thënë se po i dërgojnë te Kryeprokurori i Apelit në atë kohë, Haxhi Dërguti. Ish-kryeprokurori tash avokat, Haxhi Dërguti, e kishte konfirmuar që është takuar disa herë me biznesmenin Dakaj, por asnjëherë që ka marrë para nga ai.

Me shume se një vit deri sa isha ne përfundim te karrierës ne Prokurorinë e Apelit, me fton ne kafe në restorant Puro miku im Hasan Morina. Aty takova Hasan Morinen dhe dy persona te tjerë te cilët ishin pak te njohur për mua, dhe Hasani me tregoj se ky shoku i tij qe tani është Sali Dakaj dhe një person tjetër qe ma vone mora vesh se ishte Liridon Fandaj po qe ma pare nuk kisha takuar me te. Me treguan se Sali Dakaj e ka një rast ne Gjykatën Themelore ne Prishtinë, nëse ka mundësi me i ndihmua me shpjetu. Unë ju thash ta shohim se nuk njihëm mire me gjyqtarin i cili ishte Latif Xhemajli” – theksoi Dërguti për Kallxo.com në hulumtimin e transmetuar mbrëmë.

Kryeprokurori i Apelit në video-inçizimet e publikuara mbrëmë nga Kallxo.com, e konfirmon se është takuar me gjyqtarët e Përmbarimores, për të tentuar t’ia zgjidhë lëndën biznesmenit. Gjyqtarët e përmendur në hulumtim janë Latif Xhemajli, Murat Paçarada e Ramush Bradiqi.

Megjithatë, lënda e bizesnmenti Dakaj nuk u zgjidhë. Lënda e tij u refuzua në shkallën e parë. Pas kësaj, ai ishte takuar sërish me Kryeprokurorin Dërguti. Ai i kishte premtuar se në Apel kjo lëndë merr fund, pasi që ai ka më shumë ndikim. Edhe në shkallën e dytë, lënda e Sali Dakaj u rrëzua.

Kallxo.com ka publikuar një video-inçizim ku shihet biznesmeni Dakaj duke biseduar me kryeprokurorin Dërguti. Ai asnjëherë nuk e pranon se i ka marrë 150 mijë euro nga Hasan Morina e Liridon Fandaj.

Për këtë aferë, Prokuroria e Shtetit ka premtuar se do të ndërmarrë të gjitha masat hetimore. Dërguti në të njëjtën kohë, ka theksuar se është në Gjermani shkaku i disa kontrolleve.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat