Kosova e dyta në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit

Aktuale

Kosova e dyta në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 22:45
Albulena Haxhiu

Indeksi vjetor i Sundimit të Ligjit “World Justice Project”, i publikuar të mërkurën, ka radhitur Kosovën pas Hondurasit sa i përket përmirësimeve në këtë aspekt.

SHBA-ja është renditur si shteti i pestë që ka shënuar më së shumti përmirësime.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë përmes një postimi në Facebook, se ky është një hap i jashtëzakonshëm për Kosovën.

“Ky është një hap i jashtëzakonshëm që i njeh përpjekjet tona për realizimin e reformës në drejtësi. Natyrisht që njoftime të tilla na konfirmojnë se synimi është i drejtë dhe jemi në rrugën e duhur në këtë drejtim. Këto sinjale që po e njohin progresin tonë në fushën e drejtësisë janë edhe thirrje për vetë bartësit e sistemit, që sa më parë dhe pa asnjë kusht të bashkëngjiten në këtë proces, në mënyrë që të bëhemi shembull për ligjshmëri, transparencë, efikasitet dhe kredibilitet për qytetarët tanë e gjithashtu në sprektrin ndërkombëtar”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas Indeksit, vendet që qëndrojnë më së keqi sa i përket përmirësimeve janë: Sudani, Birmania, Haiti, Afganistani dhe Nikaragua.

Shtetet skandinave vazhdojnë të kryesojnë listën e shteteve ku ka më së shumti sundim të ligjit. Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia kryesojnë listën. Kosova qëndron e 57-ta sa i përket sundimit të ligjit në nivel global duke lënë prapa shtetet e rajonit si: Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Hungaria e Serbia.

Shtetet që janë listuar në fund për sundim të ligjit janë: Venezuela, Kamboxhia, Afganistani, Republika Demokratike e Kongos dhe Haiti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat