​Testimi i tretë i unazës njëkahore shkaktoi tollovi e pakënaqësi në kryeqytet

Aktuale

​Testimi i tretë i unazës njëkahore shkaktoi tollovi e pakënaqësi në kryeqytet

Më: 28 tetor 2022 Në ora: 11:42
Foto ilustrim

Testimi i tretë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet ka shkaktuar kolona të gjata e frustrim të madh tek qytetarët që sot ia kishin mësyrë Prishtinës.

Ky testim i cili nisi sot do të vazhdoj edhe gjatë ditëve të këtij vikendi.

Përkatësisht qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve: “Agim Ramadani” nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunës, rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia, rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE, “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, rruga “Ukshin Hoti” si dhe rruga “Robert Doll”.

Qytetari, Fatmir Krasniqi madje gjithë fajin për këtë tollovi ia hedh kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Krasniqi një testim të tillë e konsideron zgjidhje jo të duhur.

Krasniqi: Kryetar ma katastrofë kurrë Prishtina nuk ka pas

Jemi informuar dhe ma katastrofë kurrë kryetar Prishtina nuk ka pas….nuk ka rrugë…rrugët anësore i ka bllokuar krejt nuk ka asgjë, kjo nuk është zgjidhje, problem për neve, o problem për qytetarët e për të gjithë problem”, theksoi ai.

Tejet i frustruar me pritjet në trafik ishte Ymer Shatri i cili tha se një qarkullim i tillë njëkahor nuk është zgjidhje për Prishtinën.

Shatri: Nuk është kurfarë zgjidhje kjo

Prapë të njëjtat vetura vetëm që nuk po mundem me u përzie kurgjo hiq nuk është kjo kurrfarë zgjidhje. 1 mijë herë ka qenë më mirë deri sot. Kemi qenë në mënyrë indirekte të informuar kemi dëgjuar. Rezultatet po i shihni tmerr nuk është duke shkuar asgjë mirë“, tha Shatri.

E Valon Potera thotë se nuk ka qenë i informuar për këtë testim të radhës së qarkores njëkahore në Prishtinë.

Ndonëse shpreson që do të ketë rezultate të mira në të ardhmen, Potera thotë se momentalisht testimi po shkon keq.

Potera: Momentalisht është duke shkuar keq, nuk kam qenë i informuar

Jo (nuk kam qenë i informuar)...që 20 minuta jam nisur nga prapa teatrit, deri këtu llogarite...momentalisht është keq ndoshta bëhet më mirë se di”, tha Potera. Krahas qytetarëve e ngasësve që e kundërshtuan këtë testim, kishte edhe qytetarët të cilët e konsideruar si ide të mirë lëvizjen njëkahore në rrugët e caktuara.

Remzi Leskovci nga Prishtina thotë se një qarkullim i tillë është zgjidhje më e mirë për trafikun për Prishtinë.

Por, ai adreson kritika për mungesë të informacioneve për këtë testim.

Leskovci: Nuk ka pas shumë informacione, por është zgjidhje e mirë

Unë që tri herë po e shoh që janë duke bërë këtë, kjo është shumë në rregull për zotin nuk është ngarkesë rruga, derisa të adaptohen do të jetë vështirë por kjo është shumë mirë....Që dy herë kanë paralajmëruar e kësaj radhe i përcolla lajmet nuk kanë lajmëruar është dashur me paralajmëru”, tha ky qytetar.

Halil Halili zyrtar për sinjalizim në komunën e Prishtinës u shpreh se ky testim i qarkores njëkahore do të zgjas 3 ditë. Ai thotë se të gjitha rrugët ku po bëhet testimi janë të sinjalizuara, derisa pret mirëkuptim nga qytetarët dhe ngasësit e veturave.

Halili: Rrugët janë të sinjalizuara kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët

Do të zgjas 3 ditë nga dita e premte deri të dielën ku do të jetë njëkahorja në drejtimin siç ka qenë në testimin e kaluar në rrugët aktuale qendrore. Të gjitha janë të sinjalizuara kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët të respektohen shenjat e trafikut rrugor. Ky projekt është për të mirën e komunës së Prishtinë ku bashkë me qytetarët do të bëjmë një test dhe do të jetë një përfundim shumë i mirë dhe i suksesshëm për të realizuar projekte të ndryshme në infrastrukturën rrugore. Tollovi kemi pas edhe ditëve të tjera edhe pa qarkore kemi disa segmente dhe kjo është arsyeja se pse po bëhet një test, që të bëhen analiza në secilin segment dhe udhëkryq, ku do të bëhen investime e ndryshme për zgjerim dhe zgjidhje e alternativa tjera të trafikut rrugor....Është duke u bërë incizimi në kohë reale si me dron apo edhe mjete tjera që janë teknikisht profesionale për analizë“, u shpreh Halili.

Halili thekson se qytetarët kanë qenë të informuar me kohë për këtë testim të radhës për shndërrim të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjete.

Halili: Ka pas informata të mjaftueshme për këtë testim

Ne i kemi përcjell me kohë brenda afatit kohor që është njoftuar përmes rrjeteve sociale, mediave....Ka pas informata të mjaftueshme dhe të njëjtën kohë është bërë sinjalistika në kohë të duhur të jetë trafiku sa më i lehtë për pjesëmarrësit në trafik”, tha ai.

Edhe gjatë muajit prill dhe maj në ditët e vikendit ishte bërë një testim i tillë i qarkores njëkahore në kryeqytet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat