Xhelal Sveçla: Nga kjo datë nuk do të lejohet lëvizja e veturave me targa ilegale

Aktuale

Xhelal Sveçla: Nga kjo datë nuk do të lejohet lëvizja e veturave me targa ilegale

Më: 28 tetor 2022 Në ora: 18:39
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se sapo votuan që procesi për targat të përshkallëzohet dhe i njëjti të përmbyllet më 21 prill të vitit të ardhshëm.

Sveçla në konferencën për media tha se pas 21 prillit të vitit 2023 nuk do të lejohet lëvizja e veturave të paregjistruara në targat RKS.

“Me qëllim të lejimit të vazhdimit të regjistrimit të veturave nga ilegale në zyrtare RKS, ne sapo votuam që procesi të përshkallëzohet dhe të përmbyllet më 21 prill të vitit të ardhshëm prej kur edhe nuk do të lejohet lëvizja e veturave të paregjistruara në targat RKS”, deklaroi ai.

Ai thotë se nuk duan eskalim të situatës, ndonëse sipas tij, po provokohet në vazhdimësi nga Vuçiqi.

“Brenda afatit dy mujor mes shumë kërcënimeve janë regjistruar 20 vetura. Jemi të interesuar që të gjitha targat të dorëzohen duke shfrytëzuar benefitet dhe nuk duam asnjë eskalim të situatës ndonëse po provokohet në vazhdimësi nga presidenti i Serbisë”, theksoi ai.

Ndërkaq, Sveçla ka ftuar shtetasit e Kosovës që t’i kalojnë veturat e tyre në targa RKS.

“Në misionin tonë mbetet ligjshmëria dhe siguria në gjithë territorin e Kosovës. Prandaj edhe këtë do ta implementojmë për çdo ditë. Ftoj të gjithë shtetasit tanë që posedojnë vetura me targa të tilla që të shfrytëzojnë edhe këtë mundësi nga Qeveria dhe t’i kalojnë veturat e tyre në targa RKS”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat