Vjen reagimi nga Lëvizja Vetëvendosje për Fatmir Limajn: Ia përmendin jetën e errët, luksin, aferat dhe Serbinë!

Aktuale

Vjen reagimi nga Lëvizja Vetëvendosje për Fatmir Limajn: Ia përmendin jetën e errët, luksin, aferat dhe Serbinë!

Nga: N. Sh. Më: 31 tetor 2022 Në ora: 09:47
Fatmir Limaj

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani ka reaguar ndaj Fatmir Limajt i cili kritikoi ashpër, dhe fyeu Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Janë njerëz që flasin e mashtrojnë... Kosova qeveriset nga një grup njerëzish të papërgjegjshëm, pa vizion. Sot kemi qeveri pa plan e pa program. Qeveria e ka humbur komunikim me qytetarët e partnerët e vet. Unë bëj thirrje për një front të përbashkët politik. Na duhet ta shërojmë këtë helm që e ka ngritur kjo qeveri te qytetarët”, ka thënë ndër tjera Fatmir Limaj.

Zogiani përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, thotë se, Limaj është opozitari më i helmuar dhe me urrejtje kundër kryeministrit dhe LVV-së.

Ndër tjera Zogiani në këtë shkrim tregons e çfarë i kishte thënë Limajt.

“I pata thënë njëherë ka goxha do vite që e keni shndërruar shtetin ne OJQ, tha, po ka plot 12 vjet që po e luajmë shtetin. Kjo pat ndodhur ne Hotel Grand gjatë një pritjeje nga Ambasada Amerikane në kohën e Tina Kaidanov”, shkruan Zogiani.

Sipas tij, “Limaj ishte fort i vetëdijshem për atë që po bënte politika në shumë drejtime, e sidomos në lidhje me Serbinë”.

“Ai ishte një patriot, patriotizmi i të cilit u zëvendësua nga praktika tipike lindore të politikanëve. Luks, afera, jetë e errët me një fjalë”, shkruan ai.

Shkrimi i plotë:

Ku e ka hallin Fatmir Limaj?

Kam vënë re se Limaj është eksponenti opozitar mbase më i helmuari me urrejtje kundër Kryeministrit dhe VV-së.

Gjuha e tij kap ekstremet më të skajshme të urrejtjes, e pardje kapi një nga këto amplituda kur tha, ta heqim këtë helm!

Shumë komentues e definojnë këtë thjesht si një frustrim që vie nga "pamundësia për të vjedhur".

Nuk e shof kështu. Nuk them se mungesa e përdorimit të pushtetit për qëllime të ngushta nuk është një pjesë e burimit të këtij frustrimi, por madje mendoj që nuk është as kryesori.

Duhet ta njohësh më mirë Limajn për ta kuptuar ku e ka...

Limaj ka qenë një djalë patriot e besa edhe luftëtar nga ata të rrallet. Pas lufte ai kishte pretendime për lider relevant të politikës që pretendonte trashëgiminë e UÇK-së, por disi gjithmonë e ka humbur hapin për të qenë i tillë.

Në fund pikërisht nga lodhja e të qenit i treti, i katërti, e i pesti, doli nga PDK dhe historia e më vonshme tregon se ai këtë ndarje e ka bërë ekskluzivisht per arsye të egos së vet, duke qenë se sjellja e tij per çështje relevante politike nuk ndryshoi kurrë nga ajo e PDK.

T'i kthehemi patriotizmit. Duke qenë se nuk u bë kurrë relevant, ai u detyrua të jetë përcjellës i tjerëve. Nuk arriti të krijojë përkrahje autentike politike dhe kështu në politikat nacionale u be një përcjellës i thjesht i "kompromiseve të dhimbshme" që po bënin ish-shokët e tij.

Në tërë këtë proces ai përjetonte dy konflikte të brendshme. E para pse nuk ishte aq relevant për të treguar se është patriot dhe e dyta se ai patriotizëm po i venitej sepse gjatë kësaj kohe kaloi nëpër kompromise të dhimbshme të brendshme.

I pata thënë njëherë ka goxha do vite që e keni shndërruar shtetin ne OJQ, tha, po ka plot 12 vjet që po e luajmë shtetin. Kjo pat ndodhur ne Hotel Grand gjatë një pritjeje nga Ambasada Amerikane në kohën e Tina Kaidanov.

Pra, Limaj ishte fort i vetëdijshem për atë që po bënte politika në shumë drejtime, e sidomos në lidhje me Serbinë.

Ai ishte një patriot, patriotizmi i të cilit u zëvendësua nga praktika tipike lindore të politikanëve. Luks, afera, jetë e errët me një fjalë.

Mirëpo, Limaj tashti e ka një problem të ri. Ai nuk e ka menduar që do të vinte një dite si kjo kur do të përballohej me faktin që dikush ne politikën kosovare mund të jetë patriot dhe relevant njëkohësisht. Kjo e ekspozon atë në radhë të parë para vet-vetes. E kur e zbulon të vërtetën e pakëndshme për vetën është shumë e vështirë, sepse njeriu mund të ikë nga gjithkush e çkado, por jo nga vet-vetja.

Prandaj Limajt pardje i doli kaq natyrshëm ajo deklarata: Kurti po mashtron popullin me patriotizëm.

Patriotizmi, zoti Limaj, nuk është mashtrim, është vlerë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat