“U ndesha me pamjen mizore”/ Rrëfimi rrëqethës i djalit të veprimtarit të vrarë të LDK-së – tregon detaje të vrasjes!

Aktuale

“U ndesha me pamjen mizore”/ Rrëfimi rrëqethës i djalit të veprimtarit të vrarë të LDK-së – tregon detaje të vrasjes!

Nga: M.H. Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 08:53
Haki Imeri

Vrasjet e pasluftës mbetën një nga temat ende të pazbuluara nga institucionet e vendit tonë.

Një nga vrasjet e pasluftës mbetët ajo e veprimtarit të LDK-së, Haki Imeri.

E rrëfimin rrëqethës për ditën që u vra Imeri, e ka bërë djali i tij, Kastriot Imeri, përcjell “Bota sot”.

Kastrioti tregon që të atin e tij e kanë rrëmbyer në mesditën që ka përfunduar mësimin në shkollë, për ta vrarë më pas edhe në malet e Açararevës.

Me shumë dhimbje djali i Haki Imerit tregon edhe momentin kur e ka gjetur trupin e vrarë të babes së tij: “Sa do doja që ajo rrugë të ishte fundi im, e mos të ishte fundi i babes tim! ... Dhe ja, u ndesha me atë pamjen mizore, me atë pamje që vetëm mjeshtrit e krimit dinë që ta realizojnë!... E pashë baben përmbys. M'u bë terr para syve”, ishin fjalët e Kastriotit.

Postimi i plotë

Dita më rëndë e jetës time

Fragment nga ditari im i ditës së 2 nëntorit të vitit 1999, sot - 23 vjet më parë:

Ishte ditë e martë, ditë kobi si thonë, e trishtë, që vetëm Zoti dhe ata që janë me të vërtetë njerëz mund ta kuptojnë sesa i shembur isha atë ditë. Si një i ri që s'dija si me rrinte zemra në kraharor, s'dija si më qëndronte e shkreta pa pëlcitë atë ditë kur na lajmëruan për kidnapimini e babes tonë, kindapimin e mësuesit të njohur në këtë anë, Haki Imeri.

Atë ditë babai ishte në shkolle duke dhënë mësim, në shkollën fillore të fshatit Vojnik, dhe pasi e përfundon orarin e mësimit, rreth ores 12 :00 të mesditës, niset rrugës për në Buroj bashkë me kolegun, Agim Januzi. Pos lapsit dhe fletores së punës, babai i kishte me vete edhe ftesat që i kishte marrë për t'ua shpërndarë anëtarëve për Kuvendin e LDK- së - Dega në Skënderaj, që pritej të mbahej në atë kohë. Dhe kur largohet nga shkolla së bashku me atë kolegun, diku larg shkollës 1,5 km, një veturë e zezë ua pret rrugën, ndalet dhe nga ajo veturë zbresin disa kriminelë me veshje të zeza dhe i kërkojnë mësuesit të futet në veturë! Në realitet, kështu na tha ai kolegu që ishte me babain: - Njëherë na kaloi vetura, dhe posa kaloi Hakiu tha se kjo veture po duket e dyshimtë!... Pastaj vetura ndaloi dhe erdhi disa metra nga mbrapa dhe u ndal pranë nesh. Dolën dy veta me armë nga vetura dhe na pyetën: Cili prej jush është Haki Imeri?!... Hakiu u përgjigj: Unë jam!... Ata i thanë se duhesh të vish me ne!... Hakiu ua ktheu: - Po, more, ku të doni! - dhe u fut në veturën e tyre. (Kjo tregon se baba nuk i kishte borxh askujt dhe s'kishte arsye që të frikësohej nga askush, sepse nuk i kishte bërë kurrë kujt ndonjë të keqe!... )

Rreth orës 14:00, pasdite vjen kolegu i bab's, që ishte me të në momentin e kidnapimit dhe na tregon se Hakiun e kanë kindapuar tre persona me veturë të zezë dhe të veshur në rroba të zeza! Unë së bashku me babëgjyshin, Tahir Imerin, dhe axhen, Imer Imerin, menjëherë u nisëm për në Skënderaj, për të pyetur ose për të marrë ndonjë informacion se çka ka ndodhur me babën Haki. Por më e keqja ishte se nuk dinim ku të drejtoheshim a kë ta pyesnim, ishim të gjithë të shokuar, mua më dukej sikur një ëndërr e tmerrshme, ndoshta edhe më keq!.. Në fillim shkuam tek Garda e TMK-es në Skënderaj, aty te pishat ku ishin vendosur. Axha Imer m'u pat drejtua mua: Hajt, bre bal, afrohu aty te hyrja e pyeti, ndoshta iu vjen keq prej teje e ta japin ndonje "xhevap"!... Te hyrja qëndronte një ushtar që bënte roje, u përshëndetem dhe e pyeta se a është këtu filan gjenerali! Ai ushtari m'u përgjigj: Po, këtu është Gjenerali!... Pastaj i kërkova: A keni mundësi t'i tregoni gjeneralit se ka ardhë djali i Haki Imerit dhe po do me të pyet rreth ďiçkaje që është shumë urgjente? Ai ushtari ma ktheu: - Po, more, menjëheëe! Vetëm pritni pak derisa të shkoj. Prita po nja 8 deri në 10 minuta derisa doli ai ushtari dhe erdhi tek vendi ku ishte më parë, pra, te hyrja, pastaj më tha se nuk është gjenerali këtu!... Unë këmbëngula dhe i thashë, po ti më herët më the se këtu është gjenerali, tashti po thua se nuk është, çka është kjo punë?! Ai, ushtari i shkreëe, rrudhi krahët dhe uli kokën!!!.... S'kisha çfarë të bëja! "Ka të shkoj, o babë?" - thoja me vete dhe qaja heshtur. Filloi edhe fryma të më shterrej sepse mu aty më kapi ajo ndjesia se babait i kishte ndodhur një e keqe e madhe. E gjenerali çlirimtar, si po i thonë vetës, nuk mujti, bre, apo më mirë me thënë, nuk pranoi të më takoj shkurt, fare shkurt e, të paktën, t'ma thoshte vetëm një fjalë sa për qetësim, t'ma qetësonte zemrën sado pak që donte të me dilte prej krahrori!... Dhe u ktheva i zhgënjyer, i frikësuar e pa fije shprese, duke i bërë ata hapa si nëpër zjarr derisa u afrova te vetura dhe i tregova gjyshit e axhes. Asnjëri s'folën, vetëm u panë në sy dhe më ftuan të futem në makinë. Prej aty shkuam te Policia Ushatarake për ta takuar përgjegjësin e tyre, dhe në hyrje e takuam një oficer të shërbimit ZKZ - e, (njëfarë shërbimi që operonte atëherë në kuadër të policisë ushtarake!). Ky oficeri punonte si civil dhe njihej mirë me axhen, Imerin, kishin pasur edhe shoqëri më herët. Pasi u përshëndeten me axhen, ai, oficeri, ia vëri dorën axhes mbi supe dhe na pyeti se për çfarë halli ishim shkuar aty. Axha i tha: Hakin e kanë marrë disa persona posa ka dalë nga shkolla!... Ai, oficeri, ofshani goxha thellë dhe tha: Kjo është prej s'nalti, prej krahine (QPK), sikur na e la atë përshtypjen "se ne s'kemi gisht në këtë rast!"...
Këtë shprehjen "prej krahine" une s'e kuptova dhe për sqarim iu drejtova axhes se çka do të thotë kjo?!... Axha më tregoi se me "Krahinë" e aludonej qendrën, e qendra është
Prishtina!
Duke e parë se nuk gjetëm kurrfarë mbështetje prej institucionëve që thirreshin se janë Institucione të popullit, të vetmet që morën përgjegjësinë pasluftes, kinse, për rend, ligj e siguri, në lirinë e posa ardhur s'na mbeti tjetër rruge, vetëm të ktheheshim në shtëpi e të prisnin ndonjë lajm të tmerrshëm, ashtu dhe si na erdhi lajmi i kobshëm rreth orës 22:00!...

Njëri nga Açarareva, i shoqëruar nga një tjetër nga Kopiliçi, erdhën rreth ores 22:00, nuk u futen brenda, por tek dyert e oborrit, ai nga Açareva, na e kumtoi lajmin e kobshëm në këtë mënyre: - Mixha Tahir, mua më ka telefonuar Shefi i Policisë Ushtarake të Skënderajt dhe më porositi kështu: - Shko te Tahir Binaku, në Vojnik, dhe tregoj se Hakiu është vrarë në malet e Açarevës.
Kaq. As më shumë e as më pak nuk tha, as ku saktësisht dhe as si!
Pas këtij lajmi, që na shtriu përtoke, iku lajmëtari, i cili e ndryshoi më vonë lajmin që na e kumtoi atë natë mua e gjyshit!

Shqiptarët janë frikacakë! Frika është zoti i tyne! Të tillët s'kanë zot tjetër.

Ajo natë ishte e gjatë, e errët, u bë edhe më e errët prej atij momenti që na erdhi ai lajm i zi!.. Mos më raftë me ia kumtu ndokujt një lajm të tillë, por mos e dhashtë Zoti me e fsheh të vërtetën se ajo është edhe më e rëndë se lajmi i kobit, por njeëezit, tek ne, këtë të fundit e bëjnë prej frike, për para e për shumë gjëra të poshtra!....

Po atë natë, rreth orës 22:30, unë, gjyshi dhe axha u nisëm të shkonim e ta kërkonim trupin e babes! Po ku ta kërkonim se?!... Në malet e Açareves po, por në cilin mal se, ku i tërë fshati ështe i rrethuar me male!!!...
Përgjatë rrugës, gjyshi këmbënguli që të kthehemi! Gjyshi, ndjesë pastë, na tha: " - A e dini çka?!... Hakiu paska vdekë e ne s'dimë se ku mund të jetë trupi i tij, në cilin mal, në cilen rrugë, në cilin përrua! Ky lajm i vonshëm mundet me pasë edhe ndonjë prapavijë! Kthehuni e të presim derisa të zbardh dita... Zoti e pastë në dorën e tij! Zoti na pastë në dorën e vet! - ishin fjalet e gjyshit që mezi i nxirrte nga goja, prej asaj zemres tij të vrarë!... Ne ishim të vetmuar atë natë të errët, atë natë të gjatë ishim të vetmuar në lirinë e sapo ardhur; ishim të vetmuar në mesin e njerëzëve tanë. Na rrëmbeu tufani! Na digjeshin zemrat..... Heshtën të gjithë, heshten dhe po heshtin edhe sot si gurët e varrëve. Heshtën qytetarët e Drenicës heroike, Drenicës legjendare! S'doli zog shqiptari, biles, ta kthente mbarë trupin e mësuesit të njohur në Drenicë, Haki Imeri, si e thotë kanuni i Lekë Dukagjinit! E lanë ashtu mbrapshtë përreth 19 ore, he, Zoti i mallkoftë, që nga ora 12:30-13:00 deri të nesermen në ora 7:30.

E nesërmja na zbardhi ashtu, dikush ulur, dikush në këmbë, të gjithë ishim pa gjumë, pa forcë, pa shpresë, pa asgjë! Mezi ngjanim në njerëz nga ajo goditje tinëzare në lirinë e shumë pritur, në agun lirisë që po e pergjakte "ndërrmarrja kriminale!"....

Axha Imer shkoi që të drejtohet te Policia e UNMKUT. Unë me djalin e axhes u nisëm për në Açarevë. Te një shitore u ndalem dhe pyetem, pranari na priti me shumë keqardhje, dukej se ishte i mërzitur, dhe na tregoi se ku gjendet trupi i mësuesit Haki, rreth njëqind metra larg nga ajo shitore.
U nisem drejt vendit ku ishte ekzekutuar baba! I bëja ata hapa të shkretë e lutesha që kurrë mos të arrij në atë vend!... por me duhej të luftoja me atë dhimbje të tmerrshme dhe të eci e të eci... Ishte si një ecje biblike! Ishte një rrug sikur e shtruar me zjarr... Sa do doja që ajo rrugë të ishte fundi im, e mos të ishte fundi i babës tim! ... Dhe ja, u ndesha me atë pamjen mizore, me atë pamje që vetëm mjeshtrit e krimit dinë që ta realizojnë!... E pashë baben përmbys. M'u bë terr para syve... Errësira ma pushtoi shpirtin e më s'ndjeja asgjë!....
Sikur doja t'u thoja njerëzëve: O njerëz, ejani e shihnë mësuesin tuaj tek rrin përmbys!... O njerëz, si nuk patet pak guxim e ta nderoni mësuesin tuaj, duke ia kthyer trupin mbarë sipas zakonit!... O njerëz, si lejuat që të iu vritet mësuesi juaj?!!! .... O njerëz, sa keq më vjen prej juve, se sa të pa guximshëm që jeni!...

Atë ditë erdhi Policia Unmikut dhe KFOR-i e morën trupin babait dhe e dërguan në Prishtinë...

Rrëfimin tim për diten e 2 nëntorit të vitit 1999 e përfundoj me një citat të shkëputur nga një vepër letrare - dramatike, e shkruar disa vite para se fillojë lufta e fundit: "Ç'po ndodh kështu?" - pyesin njerëzit. A kështu fillon liria? Kështu fillon liria që e pritëm me shekuj? Droja na mbyti në agimin e parë!".

Shpresën e vetme për zbardhjen e vrasjës së prindit tonë, Haki Imerit, por edhe për vrasjet tjera politike të pandriçuara deri më sot, e kemi vetëm tek ata të cilët e kanë çliruar Kosovën, te amerikanët dhe aleatet e tyre, dmth, vetem te Gjykata Speciale.

Zoti ndafte drejtësi! Zoti i bekoftë ata që ndajne drejtësi dhe vetëm drejëesi! Zoti e bekoftë vendin tim dhe njerëzit e mirë!

Kastriot Imer

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat