Çfarë fshihet pas “përbindëshit të Pejës”?!

Aktuale

Çfarë fshihet pas “përbindëshit të Pejës”?!

Më: 4 nëntor 2022 Në ora: 00:11
Infermierja duke rrahur të moshuaren

Cilësimin “monstër” “përbindësh”, etj., etj., e kanë dhënë që prej ditës së djeshme në rrjete e emisione televizive një masë e madhe njerëzish, që në mënyrë thuajse unanime janë distancuar nga infermjerja që dhunoi të moshuarën në shtëpinë e tyre. Shtëpi që quhej  “Orenda”, e që në italisht përkthehet e “tmerrshme”, e “përbindshme”.

Por ai “përbindësh” me fytyrë vajze çfarë imazhi kishte? Kishte pamjen e një ‘botoksi’, e një prekjeje estetike të fytyrës e ndoshta edhe trupit; për t’u hequr si një vajzë e mirë, me pamje engjëllore. Siç janë në fund të fundit një pjesë e madhe e grave e madje edhe e burrave që e kanë obsesion rimodelimin e fytyrës për t’u dukur ndryshe…

E kjo në vetvete është një kurth. Pasi deri para pak kohësh, përbindshat, kriminelët apo vrasësit e lindur i njihnim apo identifikonim prej pamjes së tmerrshme, që ata e tregonin hapur se janë njerëz që përbëjnë rrezik për shoqërinë. E sot nuk ka më të tillë fytyra, por vetëm imazhe të gatshme që prodhohen nga një seri e madhe, e pafund estetistësh, që injektojnë në kapilarët poshtë lëkurës, jo gjak për të ushqyer organet jetësore, por silikon për ta drejtuar apo fryrë lëkurën, buzën, mollëzat e ballin që qëndron sipër vetullave false. Pra jemi para një shoqërie ‘ufo’, që është krejt ndryshe nga ajo që shohim, e fatkeqësisht në pjesën më të madhe janë uniform, nuk dallojmë jo vetëm të mirën nga e keqja, por edhe shkallët e bukurisë.

Bukuria nuk është vetëm fytyra klasike greke simetrike që ne shikojmë në skuplturat antike. Ajo është ideale, bukuria e vërtetë siç e ka vërtuar koha është ajo e Xhokondës, e cila nuk pamjen e ikonave greke, por është e bukur pasi secili shikon një pjesë të këndshme në fytyrën e një personi që ka jetuar në kokën e mjeshtrit të pavdekshëm Leonardo da Viçit.

Bukurua nuk vetëm buzë të fryra, vetullat me hark, apo mollëzat e ngritura dhe dhëmbët e bardhë. Por është së brëndshmi, e ky nuk është slogan. Një nga gratë më të bukura të botës ishte Merlin Monro, por që pas asaj bukurie fshihej një tmerr, frustrim e palumturi e përjetshme. Ndërsa Zhan Dark, ajo femra dele-dash, që ngjante më shumë me burrë se grua, u bë frymëzim jo vetëm për një popull të madh si francezët, por për një Europë të tërë.

Si ka mundësi që një grua në shtëpinë “Orenda”, të trajtonte ashtu një gjyshe të pafajshme?

Me shumë hipokrizi, siç u pa edhe në diarenë multimediale, shoqëria bën sikur është tronditur, sikur nuk e ka parë atë skenë kurrë në jetë.

Por ne përditë e shohim, përditë e prekim atë realitet sepse jemi kthyer në përbindsha. Sepse brezin e nënave dhe gjysheve tona, kemi kohë që e trajtojnë pa respekt e me inat. Sepse na thonë ca këshilla që ne i quajmë “jashtë kohe”. Edhe pse na i thonë me shaka, me batuta, kështu thjesht siç e mendojnë. Sepse ai brez, i nënave dhe gjysheve tona, është brezi i fundit që ende thotë atë që mendon. Ne jo, ne themi atë që “duhet të themi” për tu dukur ato që duhet të dukemi.

I qësendisim: “aman lere se s’merr vesh, nuk është koha jote”, “pse do vishemi si ju, që visheshit si burra”, “që kishit mustaqe e nuk njihnin çfarë është depilimi, dylli, manikyri e pedikyri, po rri mi aty”, etj., etj. …

Për të ardhur tek ajo që në fakt përbën thelbin e deformimit, që na u paraqit në videon e pahijshme dhe të rëndë të dhunimit të një nëne a gjysheje. Tek shërbimi e përkushtimi ndaj të moshuarve.

Kombet dhe shoqëritë e civilizuara e tregojnë veten pikërisht në kujdesin ndaj të dobtëve dhe masave që marrin për këtë pjesë të shoqërisë. Kurse shoqëritë primitive, e bëjnë këtë duke sjellë nga brezi në brez traditat e vjetra të përkujdesjes që është një ngjizje natyrale. Nëna që kujdeset për fëmijët, burri që sjell ushqimin, e të gjithë bashkë ndihmojnë të moshuarit për të lehtësuar pleqërinë. Si bota shtazore pak a shumë.

E ndër shqiptarë, që jetojnë në emigrim, një pjesë e madhe e jona, punon thuajse në të gjithë botën si badant i të moshuarve. Në shtëpi apo në azile, pasi kjo punë është shumë e paguar. Gra por edhe burra shqiptarë, në SHBA, Kanada, e të gjithë europën kujdesen për pleq të pasur, të cilët kanë nevojë shumë për kujdes. Dhe në bazë të kujdesit dhe vëmendjes që i kushtohet zgjidhin qesenë.

Janë punonjës shembullorë, që e kanë kthyer në profesion kujdesin e dhembushurinë për “pronarin” e tyre. E në fakt, çelësi është pikërisht ky; të marrësh në punë njeriun që atë punë jo vetëm di ta bëjë, por e bën me përkushtim.

Puna më e rëndë, që në Perëndim është më e paguara është kujdesi ndaj moshave të treta. Pasi do të bësh gjëra që nuk i bën dot një njeri normal. E tek ne, në shtëpitë e moshuarve, marrim thjesht  njerëz që duam të punësojmë. Të afërt, me lidhje miqësore, lidhje sentimentale. Por çdo punë, kërkon nerva të forta, sidomos një punonjës që kujdeset për të tjerët. E fajin, përveç “përbindshit të Pejës” e ka ai që e ka punësuar atë aguridhe në atë profesion që urren.

“Uh, tanë ditën tu ndrru pampersat”. Edhe? Po ajo punë parashikon pikërisht ndrrimin e pampersave, higjenën, kujdesin, marrëdhënien njerëzore që ta bësh të moshuarën të ndihet si në shtëpi.

Këtu është thelbi, e nuk ka nevojë për ta komplikuar; është e thjeshtë.

Një shkollë private nuk është një vend për të mbledhur para, për të mbajtë fëmijët kur prindërit janë në punë ose në kafe. Është shkollë, duhen mësuar nxënësit.

Një shtëpi të moshuarish, po ashtu nuk është thjesht një investim, por në radhë të pare është një përkushtim, një shërbim shumë specifik. Aq specifik, sa nëse ka sukses mund të kthehet në një institucion të rëndësishëm të marrëdhënieve njerëzore.

E pikërisht këtu lipset shteti, i cili nuk i duhet fare se sa para kërkon një biznes privat, por nëse një veteriner është veteriner, apo një infermier nuk është kasap. E bëjnë edhe vendet më liberiste në botë si SHBA. Ku shtëpitë e të moshuarve janë një biznes shumë i hershëm e nuk janë shtetërore. Por një person që punësohet, duhet të jetë i certifikuar nga një shkollë e certefikuar, që ka bërë praktikën në një institucion, ku ka marrë edhe një dëshmi. Dëshmi e certefikuar nga shteti.

Shteti nuk mund e nuk ka përse të garantojë fitimet, lëvizjet, çfarë bën e çfarë ke në mendje, por atij i takon të paktën të mbikqyrë institutet ku mësojnë fëmijët e ku trajtohen të moshuarit. Ndryshe nuk është shtet, por bandë…/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat