Abazi: Të hapet ambasada e Kosovës në Pakistan

Aktuale

Abazi: Të hapet ambasada e Kosovës në Pakistan

Më: 4 nëntor 2022 Në ora: 12:30
Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se marrëveshjet e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit janë momenti më i rëndësishëm për Kosovën në vitin 2022.

Abazi, i cili është edhe kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, tha se sfidat e brendshme, sidomos ato në veri janë tentime për të parandaluar agjendën evropiane të Kosovës. Në konferencën për medie të premten, Abazi theksoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat është fisnik dhe tregon ekzistencën e shtetit. Ndërkohë, kërkoi edhe hapjen e ambasadës së Kosovës në Pakistan.

Abazi: Marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit, momenti më i rëndësishëm të vitit 2022

“Marrëveshjet e arritura dje shënojnë momentin më të rëndësishëm të vitit 2022, por jo vetëm, dinamizimi i Procesit të Berlinit, e ka rikthyer parimin e barazisë në rajon dhe orientimin drejt vlerave demokratike në rrugëtimin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Përcaktimi për t'u fokusuar në aspekte konkrete të bashkëpunimit që prekin drejtë për së drejti interesin e qytetarëve shënon rikthimin e agjendës integruese dhe reale të përfitimit të secilit shtet të Ballkanit Perëndimor, për transformimin politik, ekonomik e kulturor... Sfidat e brendshme sidomos ato në veri janë tentimet e fundit për të parandaluar Agjendën Evropiane të bëhet realitet. Edhe një herë po dëshmohet që Lista Serbe dhe strukturat artificiale të krijuara nga Beogradi nuk e kanë për qëllim përfaqësimin e interesave të qytetarëve serb, por janë instrumente politike dhe shantazhe të stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës. Andaj, qëndrimi ynë duhet të jetë i kujdesshëm dhe shumë i mençur për të mos lejuar që këto struktura të gjejnë justifikim për të marrë peng qytetarët e Veriut të Kosovës”, tha ai.

Duke folur për dialogun, ai tha se i njëjti po e mbanë peng të ardhmen e Kosovës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

Abazi: Dialog e ka marrë peng të ardhmen e vendit tonë

“Dialog e ka marrë peng të ardhmen e vendit tonë, përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Kjo e ka fut Kosovën në një proces që patjetër duhet të tregojë ekzistencën e shtetit. Masat që janë marrë në rastin e targave, shtyrja 1 mujore fillimisht, pastaj zbatimi gradual i vendimit ka një qëllim fisnik, shtrirjen e funksionimit të shtetit ligjor në gjithë territorin e vendit. Në anën tjetër, politika dhe diplomacia nuk është bardh e zi, normalisht se ne jemi këtu në krah të botës perëndimore dhe vlerave demokratike... Plani franko-gjerman, unë kam pa pjesë të këtij kornzimi, unë nuk e konsideroj dhe as do të pranoja nëse do të ishte një propozim merre ose lere. Ka sinjal pozitiv të dinamizmit të procesit të dialogut, kemi një fazë të re të dialogut. Është mirë që mënyrë konstruktive të shqyrtojnë dhe në një moment të caktuar të hedhim në publik, pasi nuk ka marrëveshje nëse nuk ka pronësi dhe pranim nga qytetarët është vështirë e implementueshme”, shtoi Abazi.

Megjithatë, ai tha se kriteri teknik për sistemin ETIAS nuk duhet të bëhet ndalesë politike për liberalizim të vizave.

Abazi: Shpresojmë që kriteri teknik mos të bëhet ndalesë politike për liberalizimin e vizave

“Sfida kryesore është që të mbajmë diskutimin brenda diskutimit publik dhe zotimit që ka dhënë presidenti Macron në qershor, sa i përket liberalizimit të vizave. Duhet të bëjmë punën dhe të shpresojmë se kriteri teknik mos të bëhet ndalesë politike në vendimin përfundimtar të këtij viti”, tha ai.

Në konferencën e sotme, Abazi paraqiti edhe një kërkesë ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Abazi: Të hapet ambasada e Kosovës në Pakistan

“Në kuadër të shtrirjes dhe përfaqësimit tonë diplomatik, shumë muaj më parë kam kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë që të filloj procedurat për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Pakistan. Pakistani është vend mik i Kosovës, ka njohur pavarësinë e Kosovës ndër të parat dhe ish-Ambasadori i Pakistanit në Beograd ishte urdhëruar që t'a lëshonte Beogradin për shkak të protestës së tij kundër dhunës që regjimi i Millosheviqit po bënte kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve të 90-ta. Pakistani poashtu është një ndër shtetet më të rëndësishme dhe ka potencial të jashtëzakonshëm zhvillimor, si dhe është shteti me më shumë se 215 milionë banorë. Rrjedhimisht, është mendësi strategjike që Kosova të ketë përfaqësim diplomatik në Islamabad. Shfrytëzoj rastin që publikisht të ri përsëris kërkesën time ndaj Qeverisë së Kosovës për të marrë hapa konkretë për hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Pakistan”, përfundoi Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat