LDK-ja kërkon nga Kurti qartësime për propozimin franko-gjerman

Aktuale

LDK-ja kërkon nga Kurti qartësime për propozimin franko-gjerman

Më: 5 nëntor 2022 Në ora: 11:05
Lumir Abdixhiku dhe Shqipe Mjekiqi

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, thotë se nuk e kanë parë propozimin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo kërkon nga kryeministri Albin Kurti të jep qartësime për përmbajtjen e këtij propozimi.

Megjithatë, thekson se pozicioni i LDK-së, është i palëkundur se çfarëdo marrëveshje me Serbinë, duhet të përmbajë njohjen reciproke. Lidhur me dialogun me Serbinë, Mjekiqi kërkon diskutime të mirëfillta ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Nënkryetarja e LDK-së, në një intervistë për KosovaPress, thotë se mirëpresin intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi, mirëpo e konsideron të domosdoshme kalimin nga dialogimi për çështje teknike në diskutime politike për ujdinë finale.

“Sa i përket propozimeve të ndryshme të cilat kanë qarkulluar, do të thoshim se ne kemi mungesë të informatave, siç kanë edhe qytetarët e Kosovës. Nuk kemi dëgjuar dhe parë asgjë sa i përket propozimeve të mundshme për këtë marrëveshje. Është jashtëzakonisht me rëndësi të diskutohet për pikat e një marrëveshjeje përfundimtare që çon në njohjen reciproke të dy vendeve, por që nuk mund të flasim me saktësi sepse nuk kemi parë këto propozimet që janë përfolur në medie, nuk është që kemi ndonjë informatë më shumë se ju. Por ajo çka dihet është se ka një intensifikim të akterëve ndërkombëtar që kjo çështje të përfundojë. Kjo është në interes të Kosovës, pasi mungesa e normalizimit të marrëdhënieve që do të qonte më pas në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve i ka shkaktuar pengesa Kosovës në arenën ndërkombëtar”, thotë ajo.

Mjekiqi thotë se partia në pushtet duhet të ketë një dialog të mirëfilltë me opozitën. Ftesat nga kryeministri Kurti i konsideron si takime ad-hoc, në rastet kur ka pasur vetëm një urgjencë për të diskutuar.

Lidhur me draftet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ajo thotë se duhet të respektohet vetëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Sa i përket Asociacionit ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili duhet të respektohet. Në ta ardhmen ose kurdo që flitet për formimin e Asociacionit, duhet të ketë parasysh siç ka thënë Gjykata Kushtetuese që bie në kundërshtim me parimet kyçe të Kushtetutës. Është me rëndësi që këto dhe çfarëdo marrëveshje që del të jetë në harmoni me kushtetutshmërinë”, deklaron ajo.

Nga ana tjetër, Mjekiqi, është kritike ndaj ekzekutivit sa i përket politikës së jashtme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat