Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për uzurpim të lokalit

Aktuale

Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për uzurpim të lokalit

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 12:56
Foto ilustrim

Në mungesë të të akuzuarit B.K, është shtyrë seanca e paraparë të mbahet të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku i njëjti po akuzohet për “Uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit K., mbrojtësi i tij avokati Skender Musa njoftoi gjykatësin e rastit Eroll Gashi, se i njëjti nuk mund të jetë i pranishëm në këtë shqyrtim gjyqësor me arsyetimin se kishte një rast vdekje në familje.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e seancës së sotme, gjykatësi Gashi, seancën e radhës e caktoi për 29 nëntor të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë është kërkuar që B.K., të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit si dhe i është propozuar gjykatës që të akuzuarit t’i shqiptohet masa e dëbimit nga prona e uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, B.K nga 10 prilli 2018, në Prishtinë, me veprim të pambështetur në ligj – pa të drejtë të shfrytëzimit dhe pa pëlqimin e pronarit, vazhdon ta shfrytëzojë pronën e paluajtshme, lokalin nr.50, në rrugën “Xhorxh Bush”, me sipërfaqe prej 15 m2. Pjesa ideale prej ½ ka kaluar në emër të B.H sipas aktvendimit të 5 tetorit 2016, lëshuar nga Drejtoria e Kadastrit në Prishtinë, duke u bazuar në kontratën e shitblerjes së patundshmërisë, e noterizuar më 22 qershor 2016.

Ndërkaq, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se nga 10 prill 2018, në Prishtinë, me veprim të pambështetur në ligj – pa të drejtë të shfrytëzimit dhe pa pëlqimin e pronarit, vazhdon ta shfrytëzojë pronën e paluajtshme, lokalin nr.50, në rrugën “Xhorxh Bush”, me sipërfaqe prej 15 m2. Pjesa ideale prej ½ ka kaluar në emër të V.Z, sipas aktvendimit të 27 dhjetor 2017, lëshuar nga Drejtoria e Kadastrit në Prishtinë, duke u bazuar në kontratën e shitblerjes së patundshmërisë, e noterizuar më 1 dhjetor 2016.

Me këto, B.K akuzohet se ka kryer veprën penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi 

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat