Sfidues zëvendësimi i gjyqtarëve e prokurorëve serbë të dorëhequr

Aktuale

Sfidues zëvendësimi i gjyqtarëve e prokurorëve serbë të dorëhequr

Më: 13 nëntor 2022 Në ora: 15:20
Foto ilustrim

Ende nuk dihet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që kanë dhënë dorëheqje, pas situatës së krijuar në veriun e vendit. Juristët thonë se largimi i tyre është politik dhe mund të lë pasoja në sistemin e drejtësisë. Ata thonë se nëse dorëheqjet miratohen nga KGJK dhe KPK , do të jetë mjaft sfidues plotësimi i këtyre pozitave. 

Ndonëse ishin gjyqtarë e prokurorë, dorëheqjet e tyre i paralajmëroi me 5 nëntor kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që kanë dhënë dorëheqje, nuk dihet. E për këtë dhe atë se si do të veprohet me dorëheqjet, nuk kanë kthyer përgjigje nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Dorëheqjet e gjyqtarëve e prokurorëve serbë duhet parë me shqetësim të madh, pasi të njëjtit iu nënshtruan politikës, thotë juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ai thotë se mos miratimi i dorëheqjeve nga ana e KPK-së dhe KGJK-së, është veprim i duhur, ngase pas miratimit të dorëheqjeve sfidë mund të jetë zëvendësimi.

“Le të shpresojmë se këto dorëheqje do të revokohen nga vetë gjyqtarët dhe prokurorët serbë. Në anën tjetër, nëse të njëjtat mbesin në fuqi dhe miratohen nga KGJK dhe KPK, e më pastaj me dekret edhe nga presidentja, atëherë do të jetë sfidë e madhe që këto pozita të plotësohen përsëri, sepse në bazë të kushtetutës dhe asaj që e cakton edhe marrëveshja bazë e Brukselit, këto pozita janë të rezervuara për komunitetin serb”, tha Miftaraj për Radio Kosovën.

Nga ana e tij, avokati Arbër Jashari thotë se dorëheqja e gjyqtarëve e prokurorëve serbë është lajm i keq për sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Këto dorëheqje do të krijojnë jashtëzakonisht probleme të mëdha në funksionimin e mirëfilltë të sistemit gjyqësor. Nëse dorëheqjet aprovohen dhe këta persona përfundimisht dalin nga sistemi, atëherë do të krijohen probleme, duke qenë se shumë lëndë do të shtyhen. Pastaj edhe shumë procedura të tjera zvarriten apo edhe nuk do përfundohen kurrë për shkak të vjetërsimit të lëndëve”, tha ai.

Gjyqtarët e prokurorët serbë u integruan në sistemin e drejtësisë kosovare pas arritjes së Marrëveshjes për Drejtësi në vitin 2017 në Bruksel, në  kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat