Prokuroria kërkon nga Apeli rigjykim ose dënim për të gjitha pikat e akuzës ndaj të akuzuarave në rastin “Global Hospital”

Aktuale

Prokuroria kërkon nga Apeli rigjykim ose dënim për të gjitha pikat e akuzës ndaj të akuzuarave në rastin “Global Hospital”

Më: 14 nëntor 2022 Në ora: 14:06
Pamje nga gjykata

Gjykata e Apelit, të hënën ka shqyrtuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përmes të cilës ka kërkuar që të pandehurat Gjina Zeqiri dhe Ilfete Bixhaku të shpallen fajtore për të gjitha pikat e aktakuzës ose kjo çështje të kthehet në rigjykim.

Ndaj të akuzuarës Gjina Zeqiri, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 prill 2022, kishte shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar me 2 vite burg për transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve e qelizave njerëzore, kurse e kishte liruar prej pikës 2 dhe 4 të aktakuzës.

Ndërkaq, të pandehurën Bixhaku, Themelorja e kishre liruar nga akuza për “Transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari referuese i Gjykatës së Apelit, Burim Ademi gjatë referimit të çështjes sqaroi se ankesë kanë bërë edhe mbrojtësit e të pandehurës Zeqiri, avokatët Valon Hasani, Sali Mekaj dhe Imer Beka, kurse përgjigje në ankesë për të pandehurën Bixhaku, avokati Tahir Rrecaj.

Duke e elaboruar shkurtimisht ankesën, avokati Hasani tha se e pandehura Zeqiri është dënuar për veprën penale që nuk i përgjigjet veprimeve të saja, sepse sipas tij e njëjta nuk ka bërë transplantim siç është akuzuar dhe në fund edhe është dënuar.

Ndërkaq, avokati Mekaj propozoi që të merret për bazë plotësim-ndryshimi i ligjit për shëndetin riprodhues, që veprimet e të pandehurës Zeqiri i renditë si kundërvajtje dhe po ashtu kërkoi që të anulohet edhe vendimi për sekuestrimin e të gjitha sendeve në spitalin “Globan Hospital”.

“Kam paraqitë ankesë edhe për urdhrin për konfiskim të përhershëm të invertarit, apo gjithçka që gjendej në spitali “Global Hospital”, ankesa ka të bëjë në atë se ligji thotë m’u renditë sendet që konfiskohen e jo përgjithësisht siç ka thanë Gjykata Themelore”, tha avokati Mekaj.

Në fund, për të pandehurën Zeqiri foli edhe mbrojtësi tjetër i saj, avokati Beka i cili shtoi se duhet të saktësohet se a ka pasur aktvendim për fillim të hetimeve nga prokuroria fillimisht, si dhe kërkoi nga Gjykata Apelit që e pandehura Zeqiri të lirohet sepse është dëmtuar shumë.

“Gjina është dëmtu ekonomikisht, shpirtnisht prej 2014”, shtoi avokati Beka.

Për të dënuarën Bixhaku, ka parashtruar përgjigje në ankesë avokati Rrecj, ndaj ankesës së bërë nga Prokuroria Themelore, përmes të cilës ka kërkuar që ankesa e Prokurorisë Themelore të refuzohet dhe  përgjigjja në ankesë të aprovohet.

“Ilfetja ka qenë infermiere, thjesht ka kry edhe detyrat e një recepcioniste”, deklaroi avokati Rrecaj.

Ndryshe, më 23 qershor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues për infermieren Ilfete Bixhaku, e akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, transplantim të kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore dhe Gjina Zeqiri, ku për të është konstatuar se nuk i ka kryer veprat penale, për të cilat është akuzuar dhe është pushuar urdhri ndalues për sekuestrimin e pasurisë.  

Por, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim dhe ndaj Zeqirit kishte refuzuar akuzën për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, për shkak të kalimit të dyfishtë të kohës së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale.

Ndërkaq, është anuluar pjesa tjetër e aktgjykimit lidhur me të akuzuarën Gjina Zeqiri për veprën penale “Transplantimi i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore” dhe për të akuzuarën Ilfete Bixhaku për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale “Transplantimi i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore”.

Si dhe është anuluar pjesa lidhur me pushimin e urdhrit ndalues për sekuestrim të pasurisë dhe çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.  

Sipas prokurorisë, Gjina Zeqiri, Ersan Donmez dhe Handan Namlë, më 13 nëntor 2014, në bashkëkryerje, në klinikën private “Global Hospital”, në “Mati 1”, në  Prishtinë, me rastin e trajtimit mjekësor të pacientëve, në sektorin e sterilitetit, nuk kishin përdorë masat përkatëse higjienike-sanitare, si dhe nuk kishin përdorë produkte dhe pajisje farmaceutike-medicinale pa banderolë dhe afat të skaduar.

Aktakuza thotë se e akuzuara Zeqiri, prej vitit 2012 e deri në nëntor 2014, në cilësinë e drejtoreshës në këtë klinikë, nga persona të ndryshëm, ka shfrytëzuar gjendjen e dobët ekonomike të tyre, me qëllim të transplantimit të qelizave vezore në këmbim të shumave të ndryshme të parave nga të dëmtuarat S.B, F.M dhe H.S.

Këto qeliza, Zeqiri, së bashku me Ersan Donmez dhe Handan Namlë, thuhet se i kishin transplantuar në disa pacientë të trajtuar në këtë klinikë, dhe në kundërshtim me Ligjin për Shëndetin Riprodhues, kishin bërë përcaktimin e gjinisë të dëmtuarave të cilat kishin qenë të interesuar për pranimin e këtyre qelizave.

Ndërkaq, e akuzuara Ilfete Bixhaku thuhet se me dashje i kishte ndihmuar Zeqirit, duke bërë ndërmjetësim dhe duke kontaktuar me donatorët e vezorëve, duke i udhëzuar për kohën e tretmanit mjekësor dhe duke i njoftuar dhuruesit dhe pranuesit e vezorëve për terminet e spitalit.

Agron Devaja, akuzohej se më 1 nëntor 2014, në cilësinë e personit zyrtar, pa autorizim, i kishte kumtuar personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare, duke e njoftuar të akuzuarën Zeqiri se kur do të ketë kontroll në klinikën “Global Hospital”.

Prokuroria, Devajën e ngarkonte me veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433, paragrafi 1, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat