MSH deklarohet për punësimin e dhëndrit të Kusari-Lilës: Nuk e kemi ditur se ka lidhje familjare

Aktuale

MSH deklarohet për punësimin e dhëndrit të Kusari-Lilës: Nuk e kemi ditur se ka lidhje familjare

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 14:44
Mimoza Kusari-Lila

Shkumbin Spahiu, dhëndri i shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari-Lilës, është emëruar në Bordin e Ankesave në AKPM nga ud.ministrja Dafina Gexha-Bunjaku. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk e kanë ditur për lidhjen familjare të Shkumbin Spahiut me deputeten Mimoza Kusari-Lila.

Ministria e Shëndetësisë është përgjigjur sot lidhur me raportimin e djeshëm për emërimin e Shkumbin Spahiut në Bordin e Ankesave në AKPM, i cili është dhëndër i deputetes së LVV-së Mimoza Kusari-Lila.

Sipas MSH-së, ud.ministrja Dafina Gexha-Bunjaku e cila e ka emëruar Spahiun në këtë Bord, nuk e paska ditur se ai ka lidhje familjare me Kusari-Lilën.

“Mund të ju informojmë që për lidhjen familjare të z. Shkumbin Spahiu me deputeten Kusari Lila kemi kuptuar vetëm pas raportimit të mediumit tuaj, dhe ju sigurojmë që emërimi i tij në bordin për ankesa në AKPPM ka qenë vetëm si rezultat i profilit të tij profesional, mbështetur në UA 05/2015 Bordi i ankesave dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë ndikimi politik”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, më 31 tetor ka emëruar përbërjen e re të Bordit të Ankesave në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Në këtë Bord janë tre anëtarë me mandat tre-vjeçar të cilët emërohen nga ministri i Shëndetësisë bazuar në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Gexha-Bunjaku ka emëruar Meliza Qorraj, Shkumbin Spahiun dhe Gëzim Berishën.

Shkumbin Spahiu është bashkëshorti i motrës së deputetes dhe shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila. Spahiu poashtu është drejtor ekzekutiv në një organizatë joqeveritare e cila bashkëpunon edhe me bashkëshortin e Kusari-Lilës, Arben Lila.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga Gexha-Bunjaku për këtë emërim, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kanë kthyer as Spahiu dhe as Kusari-Lila, nëse emërimi është bërë me ndikim politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat