Marrëveshjet e Procesit të Berlinit s’mund të hyjnë në fuqi para dy vjetëve

Aktuale

Marrëveshjet e Procesit të Berlinit s’mund të hyjnë në fuqi para dy vjetëve

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 18:11
Foto ilustrim

Marrëveshjet u nënshkruan, gotat u cakërruan dhe perdja ra. Por përtej asaj që ndodhi në samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në fillim të këtij muaji, për shumë qytetarë, zbatimi i tri marrëveshjeve të nënshkruara nga kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, është shumë më e rëndësishme se kur do të fillojnë të zbatohen.

Kjo pasi e arritur për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u cilësua nënshkrimi i tri marrëveshjeve mes këtyre vendeve, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit.

Sidoqoftë,  nga momenti i hedhjes së firmave nga ana e kryeministrave të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Bosnje e Hercegovinës në Berlin, në prani të kancelarit Olaf Scholz e zyrtarëve të tjerë të BE-së, ka edhe një procedurë të gjatë deri në zbatimin e tyre në praktikë.

RTKlive ka pyetur në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal se kur këto marrëveshje që janë “Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë”, “Marrëveshja për lëvizjen e lirë me karta të identitetit” dhe ajo për njohjen e  “Kualifikimeve profesionale për doktorët e mjekësisë, stomatologët dhe arkitektët”, do të fillojnë të zbatohen dhe cilat janë hapat që këto vende duhet të ndjekin që këti marrëveshje të hyjnë në fuqi.

“Tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Planit të Veprimit të Përbashkët Rajonal të Tregut, duhet të ratifikohen, pranohen ose miratohen në nivel kombëtar, sipas kërkesave të parashikuara nga legjislacioni përkatës i secilës prej palëve’, shkruan në përgjigjen për RTKlive nga ana  e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

“Pas ratifikimit në nivele kombëtare, palët depozitojnë njoftimin zyrtar të ratifikimit, pranimit ose miratimit”.

Nga pikëpamja procedurale, sipas sqarimit të këtij Këshilli, “Marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë” hyn në fuqi brenda 3 muajve pas ratifikimit, ndërsa ajo për “Njohjen e Kualifikimeve Profesionale” mund të zgjasë deri në 18 muaj pas ratifikimit.

“Për Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes me kartë identifikimi (letërnjoftim), hyrja në fuqi parashikohet deri në 30 ditë pas ratifikimeve të depozituara”.

Sidoqoftë, nga Këshilli për Bashkëpunim rajonal shpjegojnë se ata janë  në kontakt të rregullt me ​​të gjithë nënshkruesit e marrëveshjeve, në lidhje me proceset e ratifikimit.

“Është në interesin e të gjithëve që marrëveshjet të fillojnë të zbatohen sa më shpejt, ndaj jemi optimistë se kjo do të ndodhë në kohën më të shkurtër të mundshme”, shkruan në përgjigje, por pa dhënë ndonjë afat kohor se sa mund të jetë “koha më e shkurtër e mundshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat