Trajkoviq: Vështirë se do të ketë zgjedhje në veri më 18 dhjetor

Aktuale

Trajkoviq: Vështirë se do të ketë zgjedhje në veri më 18 dhjetor

Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 23:36
Rada Trajkoviq

Politikania serbe, Rada Trajkoviq në një intervistë për “RTK Prime”, është shprehur e bindur se nuk do të mbahen zgjedhjet me 18 dhjetor në katër komunat veriore të Kosovës. Sipas saj, edhe ata serbë që do të donin të bëheshin pjesë e procesit nuk do të guxonin. Trajkoviq është shprehur e gatshme të marr postin e deputetes së Kuvendit të Kosovës nëse për emrin e saj do të vendoste KQZ-ja.

Në këtë intervistë në RTK, politikania serbe tha se fatkeqësisht veriu prej kohësh është kontrolluar nga grupet, ku lideri kryesor, sipas saj, është shefi i mafisë serbe, Millan Radoiçiq.

“Natyrisht që serbet në veri do të sillen ashtu siç i marrin udhëzimet pikërisht nga ai dhe kjo do të thotë që nuk mund të shprehin dëshirën e tyre se çfarë do të dëshironin ata, dhe si do të dëshironin ata të zhvillohej situata në katër komuna në veri”, tha tutje ajo.

Trajkoviq tha se disa prej të larguarve serb nga institucionet i kanë shprehur asaj brengën e shqetësimin për ekzistencën e tyre.

“Janë caktuar si policë në Serbinë qendrore kështu që kjo për ta paraqet problem. Kjo thirrje është për largim nga shtëpitë e ndarje nga familja. Gjendja në veri të Kosovës është mjaftë komplekse”, tha Trajkoviq.

Tutje ajo ka thënë se nuk do të ketë dalje në zgjedhjet e 18 dhjetorit, sepse serbët e atyre komunave nuk do të kenë guxim ta bëjnë këtë.

Ajo tha se edhe presidentja Osmani është e vetëdijshme që nuk do të ketë dalje në zgjedhje në veri, por ka respektuar procedurat.

E pyetur nëse ndihet e kërcënuar, tha se për nga natyra nuk është tip i ndieshëm. “Mund të më kërcënojnë sa të duan, kjo nuk do të jetë hera e parë”, tha ajo, derisa ka treguar se sot ka pasur kërcënime nga Ministri i Mbrojtjes së Serbisë.

Trajkoviq ka thënë se është e gatshme të marr postin e deputetes së Kuvendit, pas dorëheqjes së 10 deputetëve të Listës Serbe.

Skënder Sadiku që është  nënkryetar i Asamblesë Komunale në veri në “RTK Prime” tha se shoqëria serbe në veri duhet të demokratizohet

“Që 23 vite në 5 kilometra katror jemi të gjithë të lodhur, jemi të lodhur me logjikën e heronjve dhe viktimave. Kërkohet normalitet, normalitet për ne, banorët që jemi atje. E për këtë normalitet duhet secili ta kryej punën e vetë”, tha Sadiku.

Ai tha se nuk i duhet Evropës një Ballkan i rebeluar e të hapet një kapitull i panevojshëm.

Ndërkohë Sadri Ferati, ish ministër i Pushtetit Lokal tha se gjendja në veri është jo normale.

“Shpresojmë që nuk do të eskalojë. Tani kemi një vakum institucional dhe po zhvillohet beteja mes të  asaj që quhet legale dhe e drejtë e qeverisë që të sigurojë zbatimin e ligjit në gjithë territorin, por edhe një gjendje reale që ajo popullatë sa është e dirigjuar nga Beogradi e një pjesë e frikësuar”, tha ai.

Sipas tij, përmes këtyre veprimeve palët po bëjnë veprime që të sigurojnë pozicione më të forta në  tavolinën e bisedimeve.

“Sidomos Serbia duke shantazhuar këtë situatë dhe duke thënë që unë jam kontrolluesi i situatës e Qeveria e Kosovës duke treguar se unë jam e thirrur dhe përgjegjëse për zbatim të ligjit në atë pjesë”, tha Ferati.

Ndërkohë, Hajrullah Tërnava ekspert i Sigurisë, tha se gjendjen atje e tregon e vetë fakti se po mbretëron frikë te populli serb dhe atë vend nuk po e qeverisin institucionet legale e aktete juridike.

Caktimi i datës së zgjedhjeve për 18 dhjetor nga presidentja, sipas tij është një moment që duhet ët analizohet mirë.

“Është obligim kushtetues, por deri atëherë besoj që ka shanse e mundësi për të ardhur tek një tjetër vendim, nëse ndërhyjnë edhe ndërkombëtarët sikurse Amerika e të tjerë. Prandaj, ne duhet ta zgjedhim rrugën që na qon deri te sukseset, deri te  njohja reciproke”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat