Rrëfehet Ilaz Bylykbashi që fotografoi 58 trupat e masakruar të familjes Jashari: Ja çfarë më tha Enver Maloku...

Aktuale

Rrëfehet Ilaz Bylykbashi që fotografoi 58 trupat e masakruar të familjes Jashari: Ja çfarë më tha Enver Maloku...

Nga: P.R Më: 16 nëntor 2022 Në ora: 21:15
Fotografi të 10 marsit të vitit 1998, ku shihen trupat e familjes Jashari të masakruar nga kriminelët dhe paramilitarët serb.

Fotografi Ilaz Bylykbashi, në faqen e tij në facebook ka sjellur dy fotografi të 10 marsit të vitit 1998, ku shihen trupat e familjes Jashari të masakruar nga kriminelët dhe paramilitarët serb.

Bashkë më fotografitë, Bylykbashi ka sjellë rrëfimin e tij ekskluziv se si kishte arritur që të shkojë në Prekaz dhe t’i fotografojë 58 trupat e familjes Jashari.

“Pas shkrepjeve të para të aparatit, Enveri e hoqi çarçafin dhe unë fotografoja e ndërroja pozat, dhe pastaj filmat me radhë! Sërish Enveri ndërhyri: “Ilaz, prit t’i rrotullojë trupat të shohim si e kanë trupin!” Tmerri më kishte zënë...pas kësaj nuk kam dëgjuar gjë, por e di që personazhet ishin në gjendje të tmerrshme-masakrim të pabesueshëm. Njerëz me gjurmë nga dhuna e përbindëshave...Kam shkuar nga njëri te tjetrit...”Ndal Ilaz, e kam dëgjuar një bërtitmë”!, ishte Abdyl Ramaj, i cili më ka hy nën trupin tim, që të mos rrëzohesha...kisha hipur mbi një grumbull të tullave që po të mos ishte Abdyli do të kisha rënë i thyer! Nuk e ndala punën, por as Avdyl Ramaj nuk me lëshoi, më mbajti fizikisht derisa Enveri kujdesej që të mos lëmë asnjë shenjë pa e fotografuar....”, shkruan ndër tjerash në rrëfimin e tij fotografi Bylykbashi, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Për mos me u harru:

10 mars 1998. Kosova me sy e vesh nga Drenica. Dihej se në Prekaz Shaban Jashari me djem, gra e çika, me miq e bashkatdhetarë ia kishin kthyer pushkën okupatorit. Serbia në pamundësi për t’i mposhtur në luftën tyta-tytë, përdori artilerinë për t’i thyer muret e kalasë Jashari! Flitej se pas harxhimit të municionit të të rrethuarve, milicia e ushtria serbe, kishin masakruar! Unë, prisja të gjeja një rrugë për ta vërtetuar se çfarë kishte ngjarë. Por, si të shkoja: as para as veturë e edhe për paratë e botës nuk kishte taksi që të dërgonte atje, nga frika!

Për fat një delegacionin i Kryesisë së LDK-së kishte vendos të provonte të arrinte atje. Pas shumë insistimeve ata ma bënë një vend në veturë ku ishte edhe Enver Maloku, udhëheqësi i QIK-ut (Qendrës për Informim të Kosovës) dhe Naim Jerliu. Pas tmerreve të rrugëtimit nëpër vendet kontrolluese të forcave serbe, mbërrimë në hyrje të Skënderajt! Në një depo fshati të materialit ndërtimor, që kishte vetëm kulm, i kishin shtrirë 58 (pesëdhjetetetë) të masakruar e të mbuluar me çarçafë të gjatë e të bardhë. Dukshin vetëm pak kokat e tyre.

Enver Maloku me instinkt profesional më tha:”Ilaz po i shpalojë dhe i fotografojmë!”

E luta që të pres vetëm sa ta bëjë foton e parë derisa janë të mbuluar, sepse deri atëherë nuk kishte parë as fotografuar njeri. Pas shkrepjeve të para të aparatit, Enveri e hoqi çarçafin dhe unë fotografoja e ndërroja pozat, dhe pastaj filmat me radhë! Sërish Enveri ndërhyri: “Ilaz, prit t’i rrotullojë trupat të shohim si e kanë trupin!” Tmerri më kishte zënë...pas kësaj nuk kam dëgjuar gjë, por e di që personazhet ishin në gjendje të tmerrshme-masakrim të pabesueshëm. Njerëz me gjurmë nga dhuna e përbindëshave...Kam shkuar nga njëri te tjetrit...”Ndal Ilaz, e kam dëgjuar një bërtitmë”!, ishte Abdyl Ramaj, i cili më ka hy nën trupin tim, që të mos rrëzohesha...kisha hipur mbi një grumbull të tullave që po të mos ishte Abdyli do të kisha rënë i thyer! Nuk e ndala punën, por as Avdyl Ramaj nuk me lëshoi, më mbajti fizikisht derisa Enveri kujdesej që të mos lëmë asnjë shenjë pa e fotografuar....

I harxhova shtatë filma dhe i hoqa, për çështje sigurie nga aparati, që të mos m’i gjenin milicët gjatë kthimit në Prishtinë. Një britmë urdhëruese u dëgjua. Shikoj andej dhe shoh një njeri që më urdhëroi prepraz: “Ilaz mos i prek aparatet! Leri aty ku janë! Unë kujdesem dhe ti sjell në Prishtinë”. Këtë njeri nuk e kisha pa kurrë. Frika nga tretja e filmave më kaploi, por fytyra e Xhaferit ma dha guximin e vendimit që t’i besojë. Ai tha: “I gjallë o i vdekur, më së voni deri nëser do t’i kesh në Prishtinë”! U dorëzova! Më vonë e kuptova se ishte Xhafer Murtezi, një veprimtar i kohës.

Kur u binda se aparatet fotografike i sigurova, halli i filmave ishte shumë ma i madh. Jam ndal e kam shikuar përreth. Aty pranë pash të “strukura”, nga tmerri që shihnim para nesh: Nekibe Kelmendi, Edi Shukriu, Flora Brovina dhe Mevlude Saraqi. E pash shpëtimin duke e ditur trimërinë dhe zhdërvjelltësinë e tyre. “Bëni çfarë të doni! Këta filma sonte duhet të mbërrijnë tek “Foto Nesha” dhe në “Rilindje”. Këto zonja, heroina të kohës, pas asnjë hezitim i morën filmat dhe i dërguan në cakun e duhur! Atëherë, u bëra njeriu më i lumtur në botë, sepse arrita ta përmbush detyrën tim profesionale!

Në Prishtinë, pas zhvillimit të fotografive, tek “Foto Nesha”, që i bënte përherë falas, organizuam dy konferenca për medie. “Në Rilindje”, një grup gazetarësh të huaj, prisnin të shihnin gjurmët “e terroristëve shqiptarë”, siç i kishte propaguar Serbia! Ata panë gra, burra, fëmijë e pleq të masakruar. Në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës u bë prezantimi i tyre, po ashtu! Këto ishin fotot e para nga masakra e Prekazit, të cilat prej këtu morën rrugëtimin e botës!

FotoⒸIlaz Bylykbashi

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat