Rizvanolli: Me masat efiçiente ia kursejmë shtetit 12 milionë euro

Aktuale

Rizvanolli: Me masat efiçiente ia kursejmë shtetit 12 milionë euro

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 14:46
Foto ilustrim

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar në një konferencë për media masat për subvencionim të pajisjeve efiçiente të energjisë për qytetarët. Ajo ka thënë se nëpërmjet këtyre masave do t’i kursehen buxhetit të shtetit mbi 12 milionë euro në dimrin që po vjen.

Ajo ka bërë të ditur se nga sot fillon procesi i aplikimit nëpërmjet platformës “E-Kosova” për qytetarët të cilët duan të përfitojnë nga këto masa.

“Nga sot kemi hapur thirrjen për subvencionim për qytetarët në vlerë prej 6 milionë euro. Pajisjet që do të subvencionohen janë kalldatë me biomasë – dru, pelet, briketë – që do të subvencionohen në masë deri në 70% të vlerës së investimit apo 1200 euro. Pompat termike që ulin 30% të konsumit të energjisë do të subvencionohen deri në 2500 euro, kondicionerët efiçientë deri në 40% apo 400 euro, stufat individuale efiçiente me biomasë, dru, për familjet me skemë sociale me 90% apo 560 euro. Për të tjerët 70% apo 435”, ka theksuar Rizvanolli.

Ajo ka thënë se jo të gjithë ata që kanë aplikuar në fazën e parë e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre në fazën e dytë. Sipas Rizvanollit në thirrjen e parë të 6 tetorit kanë aplikuar 5992 qytetarë, derisa në fazën e dytë kanë hyrë 2367.

Sipas Rizvanollit me këto masa synohet të përkrahen 10 mijë familje dhe të ulet për 70% konsumi i energjisë elektrike në vend.

Ajo ka theksuar se nga ky subvencionim do të bëhet kursimi në faturat e energjisë elektrike dhe ulja e shpenzimeve për dru dhe lëndë të tjera djegëse.  “Këto masa pritet t’ia kursejnë 12 milionë euro vendit vetëm gjatë dimrit që po vjen”, është shprehur ministrja.

Rizvanolli ka bërë të ditur se në thirrjen e dytë janë ndryshuar disa kritere, kjo pas shqetësimeve të shfaqura nga qytetarët.

“Për qytetarët që janë në skemën sociale është rritur subvencioni për inventer nga 40% me maksimum 400 euro, deri në 60% të vlerës ose jo më shumë se 550 euro. Për stufat individuale me biomasë dhe për klimat inventer, këtyre kategorive do të mundësohet që të aplikojnë me profaturë”, është shprehur Rizvanolli, e cila ka thënë se edhe për nënat vetushqyese është paraparë subvencion më i lartë për stufat individuale me biomasë deri në 90% e vlerës investime jo më shumë se 560 euro.

Sipas ministres afati për aplikim në fazën e parë është i hapur nga sot deri më 25 nëntor 2022, ndërsa afati i fundit për fazën e dytë është 9 dhjetor 2022.

Ministrja ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm do të investohen 30 milionë euro në efiçiencë në programet e reja. Në këtë pako do të përfshihen termoizolimet, izolimet e kulmeve, ndërrimi i dyerve e dritareve si dhe pajisjet efiçiente, teksa kjo skemë do të financohet nga fondi 75 milionësh i zotuar nga Komisioni Evropian.

Ajo ka kërkuar nga komunat por edhe qytetarët që gjatë dekorimit për festat e fundvitit të shfrytëzojnë pajisje që shpenzojnë sa më pak, teksa ka thënë se si ministri planifikojnë që të ndërmarrim masa, duke kufizuar kohëzgjatjen dhe masën në të cilën ato shfrytëzohen. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat