​Qerim Qerimi zgjidhet rektor i ri i UP “Hasan Prishtina”

Aktuale

​Qerim Qerimi zgjidhet rektor i ri i UP “Hasan Prishtina”

Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 14:55
Foto ilustrim

Ka përfunduar votimi i fshehtë i nëntë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së për zgjedhjen e rektorit.

Me gjashtë vota për, Këshilli Drejtues ka zgjedhur Qerim Qerimin për rektor me mandat të përgjysmuar.

Kandidati Sefer Avdiaj ka marrë një votë, Ermir Rogova një votë dhe Butë Dedaj një votë.

Qerim Qerimi, gjatë prezantimit të programit si kandidat për rektor të UP-së, ka prezantuar prioritet e tij, ku tha veç tjerash se është urgjent ndryshimi i statutit të UP-së.

“Krijimi i një grupi punues për rishikimin dhe hartimin e një statuti të ri në mënyrë urgjente. Ka nevojë që të ri-konceptohen përbëria përgjegjësitë e zëvendësrektorit të UP-së… Duhet që ata që shërbejnë në krye të përgjegjësive për menaxhimin e UP-së, duhet të kenë përgjegjësi të ndryshueshme dhe në pajtim me programin dhe në atë çfarë janë nevojat tona dhe cilat janë sfidat tona. Unë propozoj që të ketë një zëvendësrektor për çështje të personelit akademik, të integritetit akademik, një që do të ndihet në mënyrë të drejtpërdrejtë me çështjet e etikave që janë të lidhura me programin që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve se rekrutimit, të zhvillimit të anëtarëve të personelit akademik”, u shpreh ai.

“Si asnjë institucion tjetër, universiteti ka një rol qendror në formësimin e vlerave shoqërore, nevojave dhe aspiratave të tij, duke ndikuar në jetë në mënyra të ndryshme. Prandaj, kërkohet veprim dhe mendim kolektiv për t’ju përgjigjur efektivisht kësaj detyre kardinale. Nga ana tjetër, ky mendim kolektiv është subjekt i ndryshimit dhe evoluimit të vazhdueshëm. Prandaj, ecuria e përpjekjeve tona, në çdo fushë, varet nga idetë e formuara dhe të zbatuara mbi bazën e angazhimit të vazhdueshëm të komunitetit të gjerë universitar. Në këtë mënyrë, unë dua të përcjell ndjenjën time të këtij vizioni, të nxjerr në pah disa plane thelbësore në fushat kryesore për vitin e ardhshëm dhe më tej” – ka thënë ai.

Ai mposhti për këtë pozitë, profesorë tjerë të njohur si Sefer Avdijajn, But Dedajn, Ermir Rugovën, Ilir Tolajn dhe Salih Salihun.

Qerim Qerimi, i cili ishte pjesë edhe e Komisionit të Venedikut, studime doktorale i ka kryer në St. Thomas University School of Laë - Miami, Florida- SHBA.

Qerimi ka ligjëruar si profesor vizitor në Universitetin e Antëerpit në Belgjikë, ku ka kryer edhe studime posdoktorale.

Qerim Qerimi ka ndjekur studimet post-doktorale në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, ai ka qenë hulumtues edhe në Institutin Max Planck.

Po ashtu ka kryer kërkime doktorale në Universitetin e Vjenës.

Për më tepër, Qerimi ka shërbyer edhe në role të ndryshme këshilluese, por edhe si ekspert për organizata të tilla si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, USAID-i, UNDP-ja dhe Banka Botërore në çështje që kishin të bënin me sundimin e ligjit, ligjin zhvillimor dhe ambiental etj.

Ai ka qenë bashkë me Vjosa Osmanin pjesë e ekipit ligjor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin e “Përputhshmërisë me Ligjin Ndërkombëtar të shpalljes së njëanshme të pavarësisë sa i përket Kosovës,”

Po ashtu, Qerimi është edhe autor i mbi 16 punimeve shkencore të botuara në revista shkencore ndërkombëtare, autor librash në gjuhën angleze e shqipe, e ka mbrojtur Kosovën në një proces gjyqësor të rëndësishëm në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ka shmangur humbjen e 380 milionë eurove për Kosovën, siç është kërkuar me padinë kompanisë gjermane AXOS, si dëmshpërblim me pretendimet se në mënyrë të paligjshme i ishte mohuar e drejta në privatizimin e Telekomit të Kosovës. Kjo njëherësh ka qenë padia më e madhe kundër shtetit të Kosovës në arbitrazh.

Në vendimin e datës 3 maj 2018 të dhënë nga Gjykata, në mënyrë të posaçme dhe specifike përmendet profesor Qerim Qerimi.

Qerimi është i certifikuar në të Drejtën Ndërkombëtare Publike, Akademia e Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare (The Hague Academy of International Law).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat