Vuçiq: S’arritëm marrëveshje në Bruksel, nuk lëshojmë më targa “KM”

Aktuale

Vuçiq: S’arritëm marrëveshje në Bruksel, nuk lëshojmë më targa “KM”

Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 15:43
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e targave, nuk është arritur asnjë marrëveshje.

"Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje", tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.

"Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë", tha ai, duke shtuar se Serbia "do t'i qëndrojë pranë popullit serb" në Kosovë.

Derisa Vuçiq u pa duke dalë nga takimi, mësohet se Kurti po vazhdon bisedimet me zyrtarët evropianë.

Me ndërmjetësimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, Kurti dhe Vuçiq u takuan të hënën për të diskutuar rreth targave të automjeteve në Kosovë - çështje kjo që ka rritur tensionet mes dy vendeve.

Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Duke folur për gazetarët në Bruksel, Vuçiq tha se "pala serbe ka qenë konstruktive" në bisedime.

"Do t'i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të lartë [evropian], Borrell. Ai ka kërkuar që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, që ne mos të lëshojmë targa të reja KM - për ç'gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër", tha presidenti serb, duke paralajmëroi se "sot ose nesër" do t'i drejtohet publikut serb.

Borrell, fillimisht, mbajti takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë "takim urgjent", për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.

"... t'i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve", shkroi ai në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat