48 Orët vendimtare për Kosovën / Rreziku për një makth të ri, nuk ka mbaruar

Aktuale

48 Orët vendimtare për Kosovën / Rreziku për një makth të ri, nuk ka mbaruar

Nga: Idriz Morina Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 21:45
Foto ilustrim: Pamje nga situatat e mëparshme në veri

Nëse deri dje shkruanim se çfarë do të ndodhte me 22 nëntor, shtyrja e të njëjtës situatë dhe ngjarje për 48 orë të tjera nuk është shpëtim nga gracka serbe!

Nëse kokëdhimbja është larguar përkohësisht, frika nga rreziqet po krijon sërish shtypje. Rreziku për një makth të ri, nuk ka mbaruar.

Në aspektin e brendshëm, duket se udhëheqësit e shtetit po fitojnë simpati më shumë, por goditja që e dha Borelli publikisht e ka dëmtuar Kosovën. Veçmas kur kjo lidhet me kritikat dhe insistimin amerikan, që Qeveria ta shtynte vendimin për targat ilegale serbe, për 10 muaj.

Çfarë rrezikojmë të humbasim?

Në situatën aktuale përkundër përpjekjeve për një marrëveshje, nuk dihet aspak çfarësia e saj përfundimtare.

Po ashtu po i shohim disa zëra kritikë dikur që i janë bashkuar frymës së qeverisë, ndërsa të tjerë që habitshëm e kanë mbështetur muajt e fundit pas kritikave të bëra për shumë kohë, janë distancuar.

Nuk është shumë e rëndësishme as çfarë thonë opozitarë kritikë, pasi shumica e partive i kanë dhënë mbështetje substanciale qeverisë në të drejtën e vendosjes së rendit dhe integritetit e sovranitetit në veri, me kritikën për mosprishjen apo dëmtimin e raporteve me SHBA-të.

Përpjekja jonë tani duhet të jetë e përqendruar plotësisht në atë se çfarë do të përfitojë Kosova nga bisedimet? Më e rëndësishme se kjo është çfarë rrezikojmë të humbasim.

Sipas parashtrimeve nga kritikët, një asociacion pa kompetenca ekzekutive, jokushtetues, është një zgjidhje më e mirë, se sa përplasja që mund të çojë në një përshkallëzim, dhe në një riorganizim serb, i cili nën trysninë ndërkombëtare mund të shkojë në kërkesa më të mëdha serbe, të cilat siç dihet që nga Vjena, kurrë s’kanë pushuar, gjithnjë për të prishur atë që është arritur, për të shkuar drejt një situate dhe statuti më të mirë për serbët.

Sigurisht se Serbia duhet të ulet në tryezë, siç arsyetojnë shumica për të biseduar për një marrëveshje përfundimtare, por kjo nuk duhet të bëhet në llogari të rrezikut për të fituar më shumë të drejta ekskluzive serbët.

Unë e kam propozuar në një rast, dhe mendoj se meqë deri më sot nuk e kam hasur të publikuar, se disa të drejta si kompromis mund t’ju jepen serbëve, por vetëm me kusht, që kanë vlerë deri në momentin e integrimit të Kosovës në BE, si asociacioni, dhe që ai nuk mund të zgjasë në asnjë rast më shumë se 10 vite, nëse nuk ndodhë më parë integrimi.

Image
Josep Borelli, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së!

 

Provokimi i Borellit

Në të kundërtën, ato të drejta duhet eliminuar, sikurse duhet rishikuar dhe të drejta të tjera të përfituara në kurriz të mashtrimit serb, si për trashëgiminë kishtare, dhe të drejta politike ekskluzive me Ahtisarin, që në çështje të caktuara, si për ndryshime kushtetuese dhe të miratimit të ligjeve specifike me interes të jashtëzakonshëm për shqiptarët dhe trashëgiminë e tyre, minohen nga vota e dyfishtë e pakicave, ku një votim unik i serbëve e pamundëson çdo ndryshim!
Shqiptarët, dhe mbi të gjitha duhet ta thonë qeveritarët dhe të gjitha institucionet politike e kulturore, se trashëgimia jonë gjuhësore, kulturore, antropologjike, gjenetike, etnologjike, orale, dokesore, zakonore etj., buron nga një trashëgimi që shkon në më shumë se 11 mijë vjet qytetërim!

Gjuha jonë, është kthyer në një kod gjuhësor, të cilin duan ta eksplorojnë kudo, dhe fatmirësisht studimet e reja vetëm sa përforcojnë disa nga rezultatet dhe teoritë fillestare, se është nga gjuhët më të vjetra të botës, dhe padiskutueshëm më e vjetër se greqishtja antike.

Pra, shqiptarët janë të dëmtuar kulturalisht, si në trashëgimi, si në identitet, janë të cenuar dhe madje të rrezikuar për zhdukje, pikërisht nga politikat që janë udhëhequr nga fqinjët tanë si serbët, grekët, bullgarët, malazezët e madje së fundi edhe nga sllavomaqedonasit, dhe të gjitha këto nuk janë arritur rastësisht nga fqinjët, por nga mbështetja kryesore ruse, dhe e shteteve, që për shkak të gjeopolitikës apo rrethanave të tjera kishin konsensus në dëm të shqiptarëve.

Dhe sjellja e Borellit provokoi këtë plagë të rëndë të shqiptarëve!

Kjo çoi gati në një revoltë shqiptare! Kundërshtimi i tyre nuk buron nga vetëm ajo që ndodhi në Bruksel në një ditë të vetme, por nga vendimet në Berlin, Londër, Paris, Jaltë etj.!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat