Fajtorë janë të njëjtit liderë, që kanë lozur (bast) me fatin e vendit!

Aktuale

Fajtorë janë të njëjtit liderë, që kanë lozur (bast) me fatin e vendit!

Nga: Idriz Morina Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 20:17
Pamje nga mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kur vendosi për bisedimet në Bruksel

Nëse ndonjë politikani në Kosovë po i shkon në mendje organizimi i samiteve për ta përmbyllur një marrëveshje me Serbinë, ai duket se është dehidruar prej kohësh dhe nuk mban mend asgjë, ose mund të jetë alkoolizuar së tepërmi, dhe se mban dot kokën drejt dhe sytë hapur.

Bastegjinj që rrezikonin shtetin

Që kur është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 9 shtator 2010, projekt-rezoluta e BE-së për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për bisedime me Serbinë, për ‘çështje jetike për serbët’ nën mbikëqyrjen e Brukselit, shqiptarët e patën humbur rëndë fatin me kohën.

Kjo projekt-rezolutë qe miratuar me 10 shtator 2009, dhe i dha rolin kryesor Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar bisedimet Kosovë-Serbi.

Më e keqja ishte se pranuan të hynin në bisedime me Serbinë, pa u bërë dy muaj pasi Kosova shënoi triumfin kryesor kundër Serbisë, pasi GJND-ja me 22 korrik 2010 hodhi poshtë pretendimet e Serbisë për shkelje të ligjit ndërkombëtar, dhe e quajti legale shpalljen e Pavarësisë nga IPVQ-të (Institucionet e Përkohshme VetëQeverisëse të Kosovës – Kuvendi, Presidenca, Qeveria).

Pra, ende pa u vjelur as minimalisht rezultatet e asaj fitoreje vërtetë historike, që sigurisht se nuk do të kishte ndodhur pa mbështetjen e miqve amerikanë dhe të tjerë, së paku me ekspert eminent ligjor të së drejtës ndërkombëtare, qeveria jonë e pranoi një qasje, që vërtetë do të kthente mbrapsht jo pak procese.

Pavarësisht që Rezoluta bënte thirrje, që bisedimet duhej ta respektonin Vendimin e GJND-së për të drejtën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, zhvillimet në bisedime, shpesh e harruan këtë pjesë, aq sa Serbia ia doli ta detyronte Kosovën të nënshkruante përfaqësimin me fusnotë.

Image
Japonezi Hisashi Ovada, djathtas, kryetar i trupit gjykues në GJND që vendosi në favor të Kosovës

Por, nuk do ta shtjellojmë këtë sepse do të dalim tek të njëjtit liderë, që kanë lozur (bast) me fatin e vendit, gjithmonë me njërën dorë në lojën e pokerit apo në automatët e kazinove, dhe tjetrën tek mëditjet, shëtitjet dhe kënaqësitë e pafundme, dhe se kishin vëmendjen tek njerëzit, që këtij vendi ia dhanë identitetin, historinë, të ligë apo heroike, epike apo cinike... ne njerëzit, që mbi dhjetë mijë vjet kemi trashëguar gjenet e atij populli që jetoi pas përmbytjes së madhe, dhe zhvilloi një qytetërim të jashtëzakonshëm, mahnitës e madhështor, që çuditërisht apo pashpjegueshëm edhe sot, arriti aso lartësi zhvillimi, që vazhdon të magjeps studiuesit dhe të tjerët, ndërsa krijoi edhe kode e metakode, që krijuan një identitet të pathyeshëm, pavarësisht edhe rënieve të mëdha, nën pushtimet e gjata, por ia dolën që më shumë të asimilojnë gjithë kulturat e tjera, brenda një sistemi të menduar, se sa që u asimiluan prej tyre. Nuk u thye as u zhduk pavarësisht, që për botën tjetër dukej shpesh i egër, i pabindur, dhe i panënshtruar, nëpër errësirat tragjike të shekujve, pavarësisht fuqive perandorake.

Një lloj vetëvrasje

Një konferencë ndërkombëtare është mbajtur në Vjenë për të zgjidhur fatin e statusit të Kosovës, ku nuk kanë munguar trysnitë për Kosovën, por edhe lëshimet e bëra nga disa përfaqësues jo pak, të papërgjegjshëm.

Pra, siç thotë një ish-ambasador i Kosovës, se ‘po diskutohet organizimi i një samiti për përmbylljen e dialogun Kosovë-Serbi’, nëse ndodhë, kjo do të ishte vërtetë një përpjekje për të vrarë shumë nga gjërat e arritura në emër të sovranitetit dhe integritetit të vendit.

Ajo humbje dhe ai rrezikim nuk duhet të ndodhë, veçmas, që t’i jepet një kënaqësi e tillë për fitore një aleati të Putinit, Rusisë diktatoriale, që po kryen një nga mizoritë më të mëdha të këtij shekulli, në pushtimin e Ukrainës.

Tashmë, nëse jemi në fund të dialogut, pas përfundimit të këtij ngërçi, mund të caktohet vetëm Shtëpia e Bardhë, për një ceremoni nënshkrimi të një marrëveshje, përmbyllëse për bisedimet e stërzvarritura nga Serbia.

Image
Shqiptarët duke kremtuar për shtetin e tyre

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat