Mjegull e frikë - Rreziqet e mëdha mund të shkaktojnë luftë!

Aktuale

Mjegull e frikë - Rreziqet e mëdha mund të shkaktojnë luftë!

Nga: Idriz Morina Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 21:29
Njësia Speciale e Kosovës në veri, ilustrim

Situata në veri, pra në Kosovë vazhdon të jetë e paqartë, pasi Serbia është e gatshme të provokojë dhunë.

Ajo e ka promovuar në vazhdimësi tezën se do të ndërhyjë në Kosovë në mbrojtje të serbëve. Ndërsa, në aspektin diplomatik ia ka dhënë një shans të madhe deklarata e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, duke e fajësuar Kosovën, për mosarritjen e një marrëveshje për targat ilegale serbe.

Borelli e shfaqi hapur, jo vetëm simpatinë për Serbinë, por njëlloj mllefi ndaj shqiptarëve, i cili edhe brenda takimit, sipas burimeve diplomatike, është treguar provokues, dhe madje përshkruhet më i ashpër se Vuçiqi.

Image
“Borelli e prishi nështë sjellur më keq se Vuçiqi”.

Është sjellur më keq se Vuçiqi

Madje, besohet se bazuar në bisedimet deri në pjesën e fundit të takimit të mbajtur të hënën në Bruksel, ishte një zgjidhje shumë afër. Por, sipas këtij burimi, “Zgjidhja ishte afër, por Borelli e prishi në fund. Është sjellur më keq se Vuçiqi”.

Por, këto situata nuk favorizojnë shumë për një rast tjetër. Shpresat nuk vdesin kurrë, por ne nuk kemi treguar as konsistencë, as energji, dhe as organizim të mjaftueshëm për të ndjekur rrugën e duhur, që kur ajo u trazua, edhe sa ishte gjallë Rugova. Por, ishte fuqia e imazhit të tij, zotësia e jashtëzakonshme intelektuale, humanizmi, që arrinte t’i asimilonte kërkesat apo qëndrimet jo të favorshme për Kosovën.

Me një fjalë gëlltiste shumë më shumë helm e prushë, dhe pa pranuar se po digjej, me qëllim që në fund të dilte fitimtar, jo ai personalisht, por misioni i tij, dhe kësisoji Kosova. Pra, ishte lideri që e identifikonte veten me misionin, me shtetin, dhe kur kjo të arrihej, atëherë, mund të pretendohej suksesi personal, por që kurrë nuk ia jepte meritat “njëshit”, por gjithmonë, shumësisë, e shihte të gjithën si një sukses dhe rezultat të përbashkët, madje edhe të atyre, që nuk mendonin njësoj apo bënin të kundërtën.

E kujtova pjesërisht këtë figurë emblematike, pikërisht në ditën e 22 vjetorit, të vrasjes së njërit prej miqve dhe pasuesve të tij më të mundshëm, Xhemail Mustafës, sepse ishte një atentat, për ta dobësuar dhe mundur politikën e Rugovës. Dhe sot, kur nuk doli më një trashëgimtar i asaj politike dinjitoze nga partia e tij, ne ndodhemi para sprovave, kur njerëzit bëhen fitues, arrijnë suksese, por e ngatërrojnë misionin me vetveten, pra më shumë e shohin si mision vetanak, se sa për kombin.

Të shqetësuar

Andaj, edhe zyrtarë të shtetit janë të shqetësuar me atë që mund të ndodhë. Frika nga një përshkallëzim dhe dhunë në veri, nën një skenar provokimi nga Serbia dhe ndihma ruse, po bëhet më shqetësuese.

“Mundet shumë lehtë të ndodhë. Kjo pasi ka shumë grupe paramilitare në veri, por edhe nga jashtë Serbisë”, thotë ai.

Pra, shqetësimi nuk është një retorikë mediale, nuk është një retorikë pushteti, por një rrezik potencial, që duhet menaxhuar, dhe mundësisht pavarësisht se si kanë rrjedhur gjërat, të arrihet më e mira e mundshme për shtetin e atdheun.

“Nuk e di. Rreziqet e mëdha mund të prodhojnë zgjidhje të mira, por edhe mund të shkaktojnë luftë”, kjo është frika aktuale.

Një konflikt, të cilin do t’i paraprinte një fitore diplomatike, sigurisht se mund të sillte rezultate të padyshimta pozitive. Tani duhet të shpresojmë nëse Serbia do të bëjë ndonjë gabim skandaloz e të pafalshëm, për ta rikthyer ne në fitore!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat