​Krasniqi: Kryeministri sot paska fajësuar tërë shoqërinë për rritjen e dhunës në familje

Aktuale

​Krasniqi: Kryeministri sot paska fajësuar tërë shoqërinë për rritjen e dhunës në familje

Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 14:56
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se, pas një reagimi jodinjitoz e fyes mbrëmë, Kryeministri sot paska fajësuar tërë shoqërinë për rritjen e dhunës në familje. Po thotë se kemi pak policë e shumë familje.

Unë nuk pres dorëheqje as llogaridhënie nga askush në Qeverinë tënde. Për të dhënë dorëheqje, duhet të kesh integritet, moral dhe etikë, të jesh i përgjegjshëm e profesional. Ju nuk keni këso profile në kabinetin tuaj. Keq, shumë keq!”, ka shkruar mes tjerash Krasniqi në Facebook.

Shkrimi i plotë:

Prej skandalit në skandal! Pas një reagimi jodinjitoz e fyes mbrëmë, Kryeministri sot paska fajësuar tërë shoqërinë për rritjen e dhunës në familje. Po thotë se kemi pak policë e shumë familje.

E para, 18 prej atyre policëve, Kryeministër, i mban vetëm ti personalisht për mbrojtjen tënde (nuk e di se prej kujt po mbrohesh?).

E dyta, me këtë lloj qeverisje dhe me këtë trend të ikjes së të rinjve gjatë mandatit tënd, shumë shpejtë do të kemi përgjysmë më pak familje e përgjysmë më pak policë.

E treta, sot janë bërë 101 ditë pa Ministër të Shëndetësisë. Një zonjë, që priste të bëhej nënë për herë të parë, nuk arriti ta mbajë asnjë sekond në duar foshnjën e saj sepse u vra mizorisht, bashkë me foshnjen, në një institucion publik, i thirrur për të shpëtuar jetë.

E katërta, ku është reagimi shtetëror? Ku është dorasi? Kush do të merret me të, edhe nëse arrini që ta kapni? Sistemin gjyqësor e ke në grevë, për shkak të inateve dhe tekeve tua krejt personale.

E pesta, hapi i parë për të rregulluar diçka është ta pranoni fajin. Ju vazhdoni të shfajësoheni, duke bërë të gjithë fajtorë, opozitën, shoqërinë, mësuesit, policinë, gjykatësit, mjekët, por asnjëherë, ama asnjëherë, veten dhe ministrat e tu.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme - unë nuk pres dorëheqje as llogaridhënie nga askush në Qeverinë tënde. Për të dhënë dorëheqje, duhet të kesh integritet, moral dhe etikë, të jesh i përgjegjshëm e profesional. Ju nuk keni këso profile në kabinetin tuaj. Keq, shumë keq!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat