Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi IPK ka rekomanduar suspendimin e katër policëve, për rastin e vrasjes së shtatzënës Hamide Magashi, nga ish-burri i saj, Sokol Halili.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla thotë se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Tutje, Sveçla ka thënë se të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal.
Postimi i plotë i Sveçlës:
Në takimin e mbrëmshëm të ftuar nga Presidentja, kam njoftuar se IPK është në fazën e fundit të hetimeve ndaj zyrtarëve policorë që janë angazhuar në gjithë rastin e, tashmë të ndjerës, Hamide Magashi, veçanërisht për pjesën e zbatimit të Urdhërit Mbrojtës nga Stacioni Policor në Lipjan.
Sapo jam njoftuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Me këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim.
Po ashtu, të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal.